Politike

A e shpërndan dot Kuvendin? Meta shkresë KQZ për numrin e deputetëve

Përplasja mes presidentit dhe mazhorancës po merr forma “lufte”, pasi kreu i shtetit Ilir Meta i ka kërkuar zyrtarisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të njihet me numrin e deputetëve që janë aktualisht në Kuvendin e Shqipërisë.

Shkresa i është drejtuar nga sekretarja e Përgjithshme e këtij institucioni kryekomisionerit Klement Zguri. “Cili është numri aktual i mandateve të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në shkallë vendi? Vënien në dispozicion të listës emërore të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për çdo zonë zgjedhore për çdo subjekt, si dhe listën emërore të deputetëve aktualë në shkallë vendi. Presidenti kërkon dhënien e këtij informacioni brenda një kohe sa më të shkurtër dhe ushtrimin e kësaj kërkesë me përgjegjësi të lartë shtetërore”, thuhet në shkresën e Presidencës.
Që nga shkurti i këtij viti, deputetët e opozitës parlamentare dorëzuan mandatet duke krijuar një situatë të paprecedentë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndërmori procesin e zëvendësimit të mandateve të deputetëve të PD dhe LSI. Por deri më tani ky proces është bllokuar për shkak se është shteruar e gjithë lista e deputetëve të opozitës në të 12 qarqet e Shqipërisë. Deputetët e LSI-së, KQZ-ja i ka zëvendësuar të gjithë mandatet, por pezull kanë mbetur mandatet e Partisë Demokrate. Aktualisht Kuvendit i mungojnë 18 deputetë. Procedura e zëvendësimit ka ngecur, pasi sipas ligjit vende vakante duhet të zëvendësohen me partinë që ka herësin më të madh të votave nga zgjedhjet e fundit parlamentare. Mbi bazën e saj, i bie që këto mandate te opozitës t’i marrë Partia Socialiste.

Shkresa e Presidencës dërguar në Parlame


Ideja për shpërndarjen e Parlamentit është hedhur edhe më parë nga liderët e opozitës. Fillimisht do të ishte kryetari i Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule që do të kërkonte pikërisht shpërndarjen e Parlamentit. “Pavarësisht farsës së zëvendësimit të opozitës, tani edhe me saktësi matematike nuk mund të plotësohet më kërkesa e nenit 64 të Kushtetutës për 140 deputetë. Kuvendi ka rënë. Në mungesë te Gjykatës Kushtetuese, arsyeja juridike kërkon nismën e Presidentit për shpërndarjen e tij”, do të shprehej Dule më 22 maj.
Neni 64 i Kushtetutës parashikon se “Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore shumemërore. Zona zgjedhore shumemërore përputhet me ndarjen administrative të një prej niveleve të organizimit administrativo-territorial. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor proporcional, për përcaktimin e zonave zgjedhore dhe për numrin e mandateve për secilën zonë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet”. Pikërisht kjo dispozitë mund të shërbejë edhe si një argument për presidentin për të shpërndarë Parlamentin. Thirrja për shpërndarjen e Parlamentit është bërë edhe kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka.
Lëvizja e Presidentit vjen si një kundërpërgjigje ndaj mazhorancës, e cila një ditë më parë votoi me 100 vota pro Rezolutën që dënonte aktin e Presidentit i cili nxori një dekret të dytë duke anuluar datën e zgjedhjeve të 30 qershorit. Gjithashtu ky hap i kreut të shtetit ndërmerret dhe në momentet kur mazhoranca ka mbledhur 55 firma deputetësh për të shkarkuar presidentin, duke e akuzuar për shkelje të rëndë të Kushtetutës.

Kur shpërndahet  Parlamenti

Kushtetuta e ka  të përcaktuar se Parlamenti ka 140 deputetë. Gjithashtu janë përcaktuar edhe rastet se kur Presidenti mund të shpërndajë Parlamentin. Në nenin 95, pika 4 e Kushtetutës për caktohet  shprehimisht se kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Kryeministrin e ri, Presidenti e shpërndan Parlamentin.

Në një tjetër rast i parashikuar në nenin 104 theksohet se shpërndarja e Parlamentit realizohet edhe në rastin kur kryeministri nuk merr mocionin e besimit nga deputetët, pra 71 votat e kërkuara. “Kryeministri ka të drejtë t’i paraqesë Kuvendit mocion besimi ndaj Këshillit të Ministrave.  Në rast se mocioni i besimit votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kryeministri, brenda 48 orëve nga votimi i mocionit, i kërkon Presidentit të Republikës shpërndarjen e Kuvendit. Presidenti shpërndan Kuvendin brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës. Kërkesa për mocion besimi nuk mund të paraqitet gjatë periudhës së shqyrtimit të mocionit të mosbesimit, sipas nenit 105. Votimi i mocionit nuk mund të bëhet pa kaluar tri ditë nga paraqitja e tij”, thuhet në këtë dispozitë.

Vendimi për shpërndarjen e Parlament është edhe në momentin kur nuk arrihet të zgjidhet presidenti i vendit.  “Në rastet se edhe pas votimit të pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar, ose kur pas votimit të katërt pa sukses nuk paraqitet asnjë kandidaturë e re, Kuvendi shpërndahet. Zgjedhjet e reja zhvillohen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e tij”, thuhet në nenin 87 të Kushtetutës.

Këto janë dispozitat e përcaktuara në ligjin themeltar të shtetit për rastet e shpërndarjes së Parlamentit si kompetencë  e presidentit. Ndërsa ditët e fundit është ngritur debati për faktin se Parlamenti me 122 deputetëve nuk është i plotë dhe si i tillë duhet të shpërndahet. Por argument janë të ndryshme, pasi Kuvendi dhe me numrat aktualë që disponon, i ka 94 votat e siguruara, aq sa mund të nevojitet për shkarkimin e presidentit, apo votat për kalimin e  ligjeve me shumicë të cilësuar votash, ku Kodet e ndryshme kalojnë me 84 vota. Analisti  dhe avokat i njohur Sokol Hazizaj kohë më parë më media pati deklaruar se mund të vlerësohet rasti nëse “Kuvendi nuk realizon detyrimin kushtetues të funksionimit te tij vetëm me praninë formale të më pak se 140 deputetëve. E kundërta, detyron, ose bëhet shkak që Presidenti i Republikës të konstatojë mosfunksionim të Parlamentit. Dhe, reagimi kushtetues i Presidentit të Republikës është të shpërndajë këtë parlament të paplotësuar me 140 deputetë, siç e përcakton Kushtetuta dhe të shpallë zgjedhje të reja, në mungesë të Gjykatës Kushtetuese. Duhet pranuar që Presidenti Republikës nuk mund të qëndrojë në pozitën e mosveprimit kushtetues”.

Sokol Hazizaj

Opinioni i dytë sipas tij lidhet edhe me faktin se “Opinioni i dytë kushtetues është: Nuk ka rëndësi që Kuvendi të përmbushë të 140 vendet e deputetëve, siç përcakton Kushtetuta, por ka rëndësi që të ketë një numër të atillë deputetësh, sa është edhe numri i shumicës së cilësuar për të funksionuar dhe marrë vendime të rëndësishme nën pretekstin e integrimit, kur dihet që të gjitha palët politike nuk dakordësohen”.

Ndërsa edhe nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba në një intervistë në Top Channel u shpreh se 140 është numër honorifik dhe se numri maksimal i votave për një shumicë të cilësuar ekziston dhe se ky institucion mund të funksionojë. Mungesa e Gjykatës Kushtetuese për të interpretuar një situatë të tillë, mund të shkaktojë më tepër përplasje mes mazhorancës dhe opozitës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë