Analize

“Skenar maqedonas”, frikë në Shqipëri, Serbi dhe Mal të Zi

“Çdo vend demokratik ka sfidat e veta, por demokracitë hibride janë të gjitha njësoj”. Askush nuk e di më mirë kuptimin e kësaj shprehjeje sesa protestuesit në Ballkanin Perëndimor, të cilët kanë dalë vazhdimisht në protesta në rrugë përgjatë javëve të fundit. Të frymëzuar nga suksesi i protestave në Maqedoninë e Veriut, i cili çoi në përmbysjen e regjimit të Nikolla Gruevskit përmes zgjedhjeve demokratike të vitit 2016, protestuesit në Shqipëri, Malin e Zi dhe Serbi janë duke shpresuar për një "skenar maqedonas".

Ndërkohë që opozita në Tiranë përgatitej për protestën e radhës përpara parlamentit, në Beograd, presidenti Aleksandër Vuçiç  pranoi se opozita serbe ishte munduar të merrte pushtetit sipas “skenarin maqedonas”, duke hyrë më forcë radion dhe televizionin kombëtare. Një skenar i tillë është përhapur edhe në Podgoricë, ku po përflitet se qytetarët që po protestojnë kundër Milo Gjukanoviç mund të rrethojnë pallatin presidencial. Ndërkohë në Tiranë, ishte vetë kryeministri Edi Rama ai që akuzoi opozitën se ka planifikuar një ‘skenar maqedonas’ , duke i shtyrë protestuesit të përplasen fizikisht me forcat e policisë. Por përse është përhapur kjo frikë në mbarë rajonin dhe çfarë skenari fshihet prapa këtyre protestave?

Hetimet e shumta kanë zbuluar se “skenari” maqedonas ishte në fakt një operacion sistematik i orkestruar nga regjimi i atëhershëm i Gruevskit. Qëllimi ishte të thellonte tensionet politike dhe të nxiste Presidentin Gjorgje Ivanov të thërriste një gjendje të jashtëzakonshme, duke vonuar kështu kalimin e pushtetit nga VMRO DPMNE te LSDM.  Mjetet për arritjen e këtij objektivi ishin dhuna brutale, duke përfshirë sulmin edhe pothuajse vdekjeprurës ndaj deputetit Ziadin Sela, por edhe vetë kryeministrit Zaev në sallën e parlamentit në prill 2017.

Skenari maqedonas në Beograd dhe dallimi me Shkupin

Kur huliganët e VRMO DPMNE-së sulmuan parlamentin maqedonas dy vite më parë, një sërë kamerash do të kapnin mes tyre edhe një agjent të inteligjencës serbe. Duke analizuar ngjarjet e fundit në vendin tij, Shkupi ishte gjëja e parë që erdhi në mendjen e Vuçiç në deklaratën e tij të parë pas sulmit të radios dhe televizionit publik.

Sulmi ndaj parlamentit maqedonas

Ndryshe nga deklaratat e mëparshme, në të cilat Vuçiç paralajmëronte kundër rreziqeve të një "skenari maqedonas", këtë herë ai deklaroi se ky skenar kishte ndodhur tashmë, duke paraqitur  rreziqe të mëdha për stabilitetin e  Serbisë.

Një mbrëmje më parë, qytetarët që kishin protestuar prej javësh kundër qeverisë sulmuan ndërtesën e RTV kombëtar serbe RTS duke ngritur frikë për një tentativë për grusht shteti. Disa nga protestuesit u plagosën gjatë hyrjes në studiot, nga ku i bënë thirrje presidentit serb të jepte dorëheqjen. Udhëheqësit e opozitës ndoqën qytetarët, duke hyrë me forcë në ndërtesë. Mes tyre ishte edhe udhëheqësi i grupit të Aleancës për Serbinë, Dragan Djilas dhe kreu i lëvizjes së djathtë Bosko Obradoviç, i cili u arrestua nga policia.

Në reagimin e tij, Vuçiç akuzoi Perëndimin për standarde të dyfishta, duke thënë se kryeqytetet perëndimore e denoncuan sulmin ndaj parlamentit maqedonas, atëherë ata duhet të dënonin edhe ngjarjet e së shtunës në Beograd.

Protestuesit para Radio Televizionit Publik të Serbisë

Megjithatë, sipas ekspertëve, edhe pse të dyja janë ngjarje të paprecedenta, protestuesit serbë sulmuan një institucion zyrtar në shenjë proteste për më shumë demokraci, ndërsa protestuesit maqedonas u përpoqën të bllokonin zgjedhjen e Talat Xhaferit si kryetar parlamenti,  një vendim legjitim demokratik, duke minuar kështu demokracinë.

Në Serbi, detajet në lidhje me planifikimin e incidentit të së shtunës janë ende sipërfaqësore. Megjithatë, prania e politikanëve të njohur të opozitës në rreshtat e parë të protestës la të kuptohet se kishte një shkallë të konsiderueshme koordinimi politik.

“Skenar maqedonas” në Shqipëri:  Tentativa për të hyrë në parlament

Që nga nisja e protestave të opozitës dy muaj më parë, në mediat shqiptare është përfolur vazhdimisht për frikën e një “skenari maqedonas”.  Edhe sot, protestuesit kanë rrethuar për të gjashtën herë parlamentin, duke u përpjekur të çajnë korridorin policor për të hyrë drejt ndërtesës së Kuvendit.  Këto tentativa janë rritur përgjatë javëve të fundit, duke bërë që policia të përdorë në masë gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Duke komentuar manifestimet e opozitës më 14 shkurt, ashtu si Vuçiçi, edhe kryeministri Edi Rama do të pranonte se në Tiranë ka tentativa për realizmin e një skenari maqedonas. Duke iu referuar kërkesave të opozitës dhe akuzave të saj, Rama tha se ata ëndërrojnë atë që ndodhi në Maqedoni. “Ka përpjekje për skenar maqedonas, ëndërr e bazuar në dëshirën e papërmbajtshme për të marrë një pushtet që fatkeqësisht për ta nuk kanë shans t’ua japin njerëzit, ndërkohë që kanë një mungesë totale të njohurive për atë që ndodhi në Maqedoni”, – theksoi shefi i qeverisë.

Protestuesit para Parlamentit Shqiptar

Po ashtu, një ditë përpara protestës së 20 shkurtit, e cila shënoi edhe përplasjet më të ashpra mes policisë dhe qytetarëve të mbledhur përpara parlamentit,  policia e shtetit njoftoi se kishte të dhëna për nxitje të dhunës dhe organizime me natyrë kriminale.  Sipas policisë, protestuesit kanë synuar në të gjitha tubimet e mbajtura hyrjen me forcë në sallën e Parlamentit, duke ushtruar dhunë.

Frika e një skenari të ngjashëm me atë në Maqedoninë e Veriut u kthye edhe në kryefjalën e vizitës së kryeministrit Zoran Zaev në Tiranë. Duke sjellë eksperiencën e tij si opozitar në një fazë kur të dy vendet presin hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE, Zaev u distancua nga një skenar i tillë duke thënë se në Shqipëri nuk ka sinjale për një regjim hibrit.

“Në kohën kur unë isha në opozitë raportet e SHBA dhe BE flisnin për një regjim hibrid në Maqedoni, gjatë asaj kohe e drejta e proceseve demokratike ishte e mundur, njëjtë si në Shqipëri, por kur flisja me Hahn, Mogherinin, me gjithë lidershipin evropian lusja për vendin tim që të  jepej data e bisedimeve se ky ishte qëllim strategjik i vendit tim pa dallim të konfrontimeve tona si shtet. E kuptoj opozitën kudo qoftë ajo, por obligimi i të gjithëve është shteti, dhe për shkak të kësaj ekzistojmë si parti politike”, deklaroi ai.

Skenar maqedonas në Mal të Zi

Protestat në Podgoricë mund të shënojnë një pikë kthese për shoqërinë malazeze pas gati tre dekadave të sundimit të së njëjtës parti dhe të njëjtit njeri, Milo Gjukanoviç. Vala e protestave që ka pushtuar Podgoricën përgjatë javë të fundit paraqet një zgjim për shoqërinë malazeze , por edhe një rrezik për “regjimin” e Gjukanoviç.

Protesta në Mal të Zi

Ndryshe nga Shqipëria, në Mal të Zi këto protesta u organizuan fillimisht nga një grup joformal i intelektualësh dhe akademikësh kundër korrupsionit dhe lidhjeve midis elitës politike dhe krimit të organizuar, por duket po koordinohet tanimë nga opozita.

E quajtur "Pranvera Malazeze", disa analistë besojnë se vala e protestave do të përfundojë me një skenar të ngjashëm me atë maqedonas duke rrëzuar Gjukanoviçin dhe partinë e tij, e cila ka mbajtur frenat e qeverisë për gati 30 vite.

Për Florian Bieber, opozita malazeze po i përdor protestat për marrjen e pushtetit, pasi si rrallë ndonjëherë ka në anën e saj mijëra qytetarë. Ata marshojnë për pesë javë rresht në Podgoricë, për të kërkuar dorëheqjen e presidentit Gjukanoviç dhe qeverisë së, duke e akuzuar për shpërdorim detyre, marrje ryshfeti dhe lidhje me mafien.

Deri më tani protestat nuk kanë qenë të dhunshme, por ekspertet paralajmërojnë se nëse përfshirja e opozitës në koordinimin e tyre rritet, nuk do të jete e largët dita kur ata të mblidhen përpara parlamentit ose pallatit presidencial.

Protestat filluan pasi Dusko Knezeviç, biznesmen dhe ish-aleat i Gjukanoviçit, akuzoi presidentin për shpërdorim detyre dhe për marrëveshje të turpshme financiare. "Ne duam ndryshime dhe pas 30 vjetësh, mendoj se çdo qytetar e kupton  se diktatori i fundit duhet të largohet", thotë një protestuese.

Angela Merkel dhe liderët e Ballkanit

Mbështetja e BE-së për qeveritë

Sipas ekspertëve, arsyeja pse protestat në Ballkanin Perëndimor dështojnë në shumicën e rasteve është sepse BE-ja u kushton kaq pak vëmendje, dhe e kthen kokën vetëm kur manifestimet të arrijnë në incidente ekstreme. Në vitin 2014, edhe pse Maqedonia e Veriut ishte prej kohësh një "shtet i kapur”, BE-ja lëshoi ​​një raport pozitiv për përparimin e vendit fqinj, duke deklaruar  se "kriteret për pranimin në union  vazhdonin të përmbusheshin. Në Beograd, BE-ja e sheh presidentin Vuçiç si një faktor stabiliteti, edhe pse në fakt Serbia ka pësuar rënie të ndjeshme në indeksin e demokracisë.  Brukseli ka mbështetur po ashtu prej gati tre dekadash edhe regjimin e Milo Gjukanoviç, edhe pse Mali i Zi ka probleme të jashtëzakonshme me lirinë e mediave, pavarësinë e gjyqësorit dhe lidhjet e qeverisë me grupet mafioze.

Pas shpërthimit të protestave në Tiranë, vetëm disa muaj përballë vendimit për hapjen ose jo të negociatave, Bashkimi Europian i ka bërë vazhdimisht thirrje opozitës për rikthimin në parlament.  Sinjalet e SHBA, por edhe Gjermanisë kanë qënë të drejtpërdrejta për zhvillimet në Shqipëri: “Qeveria dhe parlamenti janë legjitime”.

Me agjendën dhe deklaratat që bëri në Tiranë, Drejtori i Zgjerimit në Bashkimin Europian, Christian Danielsson ashtu si grupi i eurodeputetëve që erdhi përpara tij, dështuan në negocimin e krizës politike.

Në një konferencë Danielsson përforcoi bindjen se Brukseli zyrtar nuk e pranon vendimin e opozitës për djegien e mandateve. “Minohet rrugëtimi drejt integrimit. Normaliteti i jetës politike duhet restauruar dhe Parlamenti është shtylla e demokracisë. Duhen krijuar kushtet që të ndodhë dialogu në Kuvend. Bojkoti është kundër produktiv dhe minon reformat”, deklaroi suedezi.

Zyrtari i BE-së nuk iu referua asnjëherë opozitës, por e nënkuptoi qartë se qortimet shkonin për të kur kërkoi përgjegjshmëri në aksionet politike. “Forcat politike të marrin vendime të përgjegjshme që do ta lejojnë Shqipërinë që të marrë rezultatet nga reforma. Përgjegjshmëria është e vetmja mënyrë”, tha ai.

Po ashtu edhe Parlamenti Europian doli kundër propozimit të opozitës për krijimin e një qeveri tranzitore, pas përfundimit të takimeve të delegacioni prej shtatë deputetësh me liderët e mazhorancës dhe opozitës.

“Ne e kemi diskutuar këtë ide, e kemi dëgjuar mendimet, mendimi është që Parlamenti është zgjedhur në mënyrë të ligjshme, keni një qeveri legjitime kështu që mendoj se mendimi i qeverisë së përkohshme apo dhe kalimtare do të dëmtonte përgatitjen e procesit për anëtarësimin në BE”, deklaroi kryetari i delegacionit të PE-së, Tunne Kelam në konferencën për shtyp.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë