Politike

Përsheshi, ustai, gjeniu, kufijtë, Meta dhe…Bushati

Mentor Kasa - Kur Edi Rama njoftonte në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste ndryshimet masive në kabinetin qeverisës, “kazani” me përsheshin e gjelit të detit, gatimi tradicional i Vitit të Ri, nuk ishte vendosur ende në zjarr. Pas ndërrimit të viteve me përsheshin ende të patretur, dekretet për shkarkimin e ministrave të vjetër dhe emërimit të ministrave të rinj mbërritën në tryezën e Ilir Metës.

Presidenti mori kohë dhe brenda afatit 7-ditor që i përcakton Kushtetuta dekretoi shkarkimin dhe emërimin për të gjitha propozimet e Kryeministrit Edi Rama, me përjashtim të njërit. Teknikisht Ditmir Bushati është ende ministër i Jashtëm i Shqipërisë. Mesnatën mes së premtes dhe të shtunës (11-12 janar) përfundoi afati dhe brenda pak muajve, Presidenti Meta vendos precedentin e parë në historinë e vendit: atë të refuzimit të shkarkimit të një ministri.

Kryeministri Rama duhej të ishte vënë në dijeni më herët mbi këtë vendim të Presidentit dhe pasi pa t’i refuzohej Gent Cakaj e dinte që do t’i refuzohej edhe propozimi për shkarkimin e Ditmir Bushatit. Në të tilla rrethana ai flet drejtpërdrejtë në emisionin “Zonë e Lirë”, ku nënkupton qartë se për të Presidenti ka shkelur Kushtetutën dhe se e vetmja pengesë për ta shkarkuar është numri i votave, që s’i ka në Parlament.

Meta i ktheu përgjigje përmes një postimi në rrjetet sociale paraditen e së shtunës. Presidenti nuk kursen ironitë. Ramën e quan “usta” të ndryshimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor, ndërsa Gent Cakajn, të propozuarin e refuzuar për ministër të Jashtëm “gjeni”, sipas fjalëve të përdorura nga vetë Kryeministri.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/posts/2084354971610765

Përdorimi i termave “…Ministria e Jashtme autoshkollë” dhe “usta i ndryshimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor” të çon automatikisht tek deklarata e ditëve të para të janarit të Nikos Kotzias, ish-ministri i Jashtëm grek, që së bashku me Bushatin ishin “farkëtarët” e marrëveshjes së papërfunduar ende të detit. Sipas Kotzias, Bushati ishte viktimë e bindjes së tij kundër ndryshimit të kufijve mes Serbisë dhe Kosovës.

Në termat e Metës nënkuptohet që “gjeniu” është Gent Cakaj, ndërsa “Ustai” Edi Rama. Pra, Presidenti na thotë që në të vërtetë është Edi Rama ai që kërkon të ndryshojë kufijtë në Ballkanin Perëndimor. E lidhur me deklaratën e Kotziasit del që Ditmir Bushati ishte një pengesë në këtë drejtim.

Tani, Ilir Meta ka marrë në mbrojtje Ditmir Bushatin duke mosdekretuar lirimin e tij nga detyra e ministrit të Jashtëm, edhe pse me këtë vendim ka shkelur Kushtetutën. Vetë Bushati ka ruajtur një profil të ulët në përplasjen Presidencë-Kryeministri. Ai ka heshtur, por nuk mund të thuhet se është i pakënaqur nga "aleati" i beftë që ka gjetur në Presidencë.

Pas refuzimit të Gent Cakajt, Ilir Meta thotë se nuk mund ta lërë Ministrinë e Jashtme pa një titullar në një periudhë kaq delikate për vendin dhe rajonin, mbase duke menduar diskutimet për çështjet e kufirit Kosovë-Serbi, marrjen e presidencës së OSBE-së dhe vendimi për negociatat në qershor. Kjo interpretohet si një vlerësim i Presidentit të Republikës për diplomacinë e Ditmir Bushatit edhe pse në të shkuarën përplasjet mes të dyve nuk kanë munguar.

Hera e parë që Meta dhe Bushati përplaseshin ishte çështja e armëve kimike siriane. Barrën kryesore të vendimit për importin e tyre e mbajti Edi Rama deri në momentin që u tërhoq nën presionin e protestës popullore. Por, si shef i diplomacisë, roli i Ditmir Bushatit nuk ishte edhe aq dytësor. Në atë kohë kryetar i Kuvendit, Ilir Meta kundërshtoi me një gjuhë diplomatike duke thënë se Shqipëria “nuk mund të mbajë një barrë më të madhe nga ç’i mbajnë supet”.

Nga protesta kunder armeve kimike

Përplasja e dytë lidhej me çështjen çame. Para se të nisnin bisedimet me Greqinë, platforma e palës shqiptare parashikonte këmbënguljen përballë palës greke për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Mënyra se si u shtrua kjo temë në publik u interpretua edhe si një joshje nga ana e socialistëve për afrimin e PDIU-së në koalicion dhe shmangien e varësisë së shumicës nga LSI-ja.

Si kryetar i Kuvendit, Ilir Meta zhvilloi një vizitë në Athinë. Në takimet që pati me zyrtarët grekë kërkoi ndër të tjera që për çështjen çame dy vendet “t’u qëndrojnë larg raporteve spekulative dhe keqkuptimeve”. PDIU e akuzoi për deklaratë antishqiptare dhe se po cilësonte spekulative çështjen e çame, ndërsa Meta u kundërpërgjigj se kjo çështje po përdorej për fushatë. Deklarata e Metës u interpretua edhe si shigjetim ndaj qëndrimeve të ministrit Bushati.

Kur u kthye në Tiranë, Meta akuzoi se për vizitën e tij në Greqi kishte patur shumë spekulime, mashtrime, keqinformime dhe shpifje. Ai doli kundër politikës së “zero problemeve me fqinjët”, të cilën Edi Rama e prezantoi si program të qeverisë së tij. “Unë e mbështes, por është e pamundur që të mos kemi probleme me fqinjët”, deklaronte Meta.

Përplasja tjetër ishte edhe më e fortë dhe ajo ndodhte në qershor të 2017. Vendi ishte në fushatë elektorale dhe Ilir Meta President i Zgjedhur, por që drejtoi fushatën e LSI-së. Në këtë kohë jep një intervistë për mediat greke ku akuzonte Kryeministrin Edi Rama se i prishi marrëdhëniet me Greqinë. Kjo deklaratë pasoi reagimin e Bushatit. Përmes një postimi në rrjetet sociale ai fliste për “tregtarë flamujsh që shisnin miqësinë e vërtetë për një pjatë me thjerrëza (pjata e preferuar e grekëve)”.

https://www.facebook.com/ditmirbushati.al/posts/1307336979380081

Ky ishte kulmi i përplasjeve, por të tjera më vonë do të pasonin. Njëra ishte ajo për votën e Shqipërisë pro rezolutës që dënonte zhvendosjen e ambasadës amerikane në Jeruzalem. Tashmë zyrtarisht si President, Meta tha se nuk ishte vënë në dijeni, se nuk ishte dakort me këtë votë, madje përmes një letre i kërkonte ndjesë Presidentit Trump për këtë temë. Bushati reagoi duke thënë se qëndrimi i Shqipërisë ishte në linjën e vendeve të Bashkimit Europian.

Përplasja e radhës, por që u zhvillua më shumë nën rrogoz ishte për autorizimin e plotfuqishmërisë në bisedimet me Greqinë për çështjen e kufirit detar. Meta e refuzoi dy herë dhënien e autorizimit dhe u fajësua nga Bushati si shkaku i ngecjes së paktit.

Tani, pa vullnetin e tij, Bushati ka në krah Presidentin Meta. Përsheshi i Vitit të Ri ka përfunduar, por përsheshi i politikës shqiptare sapo ka nisur të gatuhet për 2019 dhe paralajmëron zhvillime interesante.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë