Politike

Meta kthen ligjin që heq rentën e kromit: Favorizues

Presidenti Ilir Meta i ka rikthyer Kuvendit ndryshimet e bëra në dhjetor të vitit të kaluar në ligjin për taksat kombëtare, duke deklaruar se këto ndryshime shkelin barazinë përpara ligjit, janë jotransparente dhe favorizojnë shfrytëzuesit e minierave.

“Në përfundim të shqyrtimit të këtij ligji, konstatohet se ky ligj bie në kundërshtim me parimet dhe dispozitat kushtetuese që mbrojnë sigurinë juridike, lirinë ekonomike, barazinë para ligjit, autonominë e pushtetit vendor, si dhe dëmton hapur interesin publik dhe pasurinë kombëtare”, thotë Presidenti.

Meta ka rrëzuar argumentimin e Qeverisë, që i ka justifikuar këto ndryshime si nevojë për të mbështetur industrinë e nxjerrjes së mineraleve në këtë situatë pandemie.

“Situata pandemike, e cila vazhdon ende, ka sjellë efekte negative në secilën fushë të ekonomisë dhe në secilin subjekt operues në tregun e lirë në vend dhe mbarë botën. Kjo situatë trajtohet në mënyrë të vazhdueshme nga ekspertët e ekonomisë me qëllim përballimin e pasojave të rënda dhe ardhjen në ndihmë si për bizneset e investitorët, ashtu edhe për qytetarët”, thotë Meta.

Ndërhyrja në ligjin për taksat kombëtare u bë nga Kuvendi në seancën plenare të 17 dhjetorit, me qëllim përjashtimin nga taksa e rentës minerare për mineralet që përpunohen në vend dhe eksportohen në formën e nënprodukteve minerare, si ferrokromi, koncetratet e kromit dhe të bakrit. Falja e kësaj taksa parashikohet deri në vitin 2023, ndërsa për 2024 përcaktohet ulja në masën e një të tretës së saj.


Copyright © Gazeta “Si”



Lajme të lidhura


Më Shumë