Taksa

Qeveria ngrin për 3 vjet rentën minerare, dy vite më parë e rriti 9% se kromi në Shqipëri po mbaronte

Duke ndryshuar ligjin për taksat kombëtare, qeveria ka vendosur të ngrijë rentën minerare për një periudhë tre vjeçare.

Pra për tre vite nuk do të paguhet asnjë taksë, kurse në vijim ajo të jetë sa 1/3 e normës së rentës.

 Vendimi i qeverisë do të hyjë në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare.

Si është niveli i rentës sot

Me ligjin aktual taksa, renta minerare është në masën sa 3/7 e normës së rentës për vitin 2019, 3/8 e normës së rentës për vitin 2020 dhe 1/3 e normës së rentës për vitin 2021 e në vijim.

Për “Mineralet metalike”, për përpunim brenda vendit, nga nxjerrësi te përpunuesi, përqindja e rentës aplikohet në masën sa 3/7 e normës së rentës për vitin 2019, 3/8 e normës së rentës për vitin 2020 dhe 1/3 e normës së rentës për vitin 2021 e në vijim së përcaktuar në shtojcën nr. 2, mbi vlerën (çmimin) e shitjes, e cila, për efekt të përllogaritjes së rentës minerare, nuk mund të jetë më e vogël se çmimi i shitjes për eksport të mineralit të papërpunuar”

Si bëhet pas ndryshimit

Qeveria në vendim argumenton se përqindja e saj për përmbajtjen e mineralit metalor në nënproduktin minerar është në masën 0% për periudhën nga hyrja në fuqi e këtij ligji deri për një periudhë 3-vjeçare dhe 1/3 e normës së rentës për periudhën në vijim. I njëjti ndryshim bëhet edhe në paragrafin tre të pikës katër në nenin 4 të ligjit.

“Në rastin e shitjes së mineralit të grupit të parë (I), “Mineralet metalike”, për përpunim brenda vendit, nga nxjerrësi te përpunuesi, përqindja e rentës aplikohet 0% për periudhën nga hyrja në fuqi e këtij ligji deri për një periudhë 3-vjeçare dhe 1/3 e normës së rentës për periudhën në vijim së përcaktuar në shtojcën nr. 2, mbi vlerën (çmimin) e shitjes, e cila, për efekt të përllogaritjes së rentës minerare, nuk mund të jetë më e vogël se çmimi i shitjes për eksport të mineralit të papërpunuar.

Qeveria e sjellë këtë ndryshim në vit elektoral, vetëm një vit pasi hyri në fuqi ndryshimi i radhës i parashikuar në paketën fiskale 2019.

Në projektligjin e paketës fiskale 2019, qeveria pati parashikuar që të rriste rentën minerare nga 6% në 9%.

Arsyeja që jepte propozuesja e atij projektligji, Ministria e Financave në relacionin shpjegues, ishte se kromi në Shqipëri do të mbarojë për 8 vite. Sipas saj, hapi i eksportit është mjaft i madh: 500 mijë tonë në vit. Ndërsa 135 mijë tonë të tjera shkojnë për përpunim brenda vendit, në një kohë që rezervat e kromit në Shqipëri vlerësohen në 5.5 milionë tonë. Dhe me ritme të tilla, pretendohet se kromi do të mbaronte për 8 vite, ndërkohë që industria e ferrokromit në vendin tonë do të duhej të mbyllej pas 10 viteve.

Teksa ekspertët e fushës u çuditën me sqarimet e Ministrisë së Financave në atë kohë, grupet e interesit shpjegonin se askush nuk e di me saktësi se sa rezerva kromi ka aktualisht në vend, por vendimi për rritjen e rentës minerare bëhej me qëllim për të favorizuar biznese pranë qeverisë në këtë sektor.

Disa prodhues thanë në atë kohë për gazetën “Si” se, rritja e rentës bëhet që prodhuesit të mos guxojnë të prodhojnë për eksport për shkak të kostove të papërballueshme dhe të punojnë për Samir Manen, i cili mendohet të jetë eksportuesi më i madh i ferrokromit në Shqipëri.

Një grup sipërmarrësish të këtij sektori kërkuan takim në dhjetor me qeverinë, e cilas sipas tyre u përfaqësua në nivele të ulta dhe këmbëngulte në vendimin e saj. Pas diskutimeve, ajo çfarë qeveria mori parasysh dhe reflektoi për rentën minerare ishte qe rritja graduale në tre vjet.

Pra qeveria do të realizonte planin e saj fillestar për ta shpënë rentën minerare në 9% në 3 vite duke e rritur atë me një për qind çdo vit.

Por në mënyrë të beftë dhe pa asnjë shpjegim, qeveria vendos ta zero rentën për tre vitet e ardhshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë