Politike

Meta kthen Buxhetin 2021: Jorealist dhe nuk mbron qytetarët nga pandemia

Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin për buxhetin 2021. Sipas arsyetimeve të dhëna përmes shefit të kabinetit të Presidencës, Edmond Panariti, ligji ka një sërë mangësish.

Panariti tha se buxheti i ri nuk është realist mbi parashikimet që bën për rritjen ekonomike, as për rritjen e të ardhurave dhe as per uljen e borxhit publik.

Presidenti thotë se buxheti nuk merr parasysh disa faktorë ekonomikë e socialë.

“Nuk parashikon mbështetje të mjaftueshme dhe të nevojshme për të përballuar pandeminë Covid-19 dhe pasojat e saj; - Nuk ka programe për të mbështetur biznesin e vogël, fasoneritë, turzimin dhe eksportuesit, veçanërisht për të përballuar pasojat e papunësisë, apo ndërprerjes së aktivitetit për shkak të pandemisë. Sidomos në kushtet kur sipas statistikave zyrtare, numri i vendeve të punës të humbura llogaritet në mbi 50 000. - Nuk ka zbatuar rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare për të mos zgjeruar projektet PPP si me mbështetje buxhetore, dhe ato me ofertë të pakërkuar; - Nuk ka një objektiv për uljen e varfërisë për grupet më në nevojë; - Nuk ka objektiv për uljen e papunësisë dhe rritjen e punësimit; - Nuk ka një projekt plan se si do të ulet borxhi i rritur publik; - Nuk ka një program masash për uljen e detyrimeve të prapambetura; - Është një buxhet jo realist për sa i përket parashikimit të rritjes ekonomike dhe të ardhurave; - Nuk ka një program masash për përmirësimin e treguesve financiarë të kompanive shtetërore”, thotë Presidenti Meta.

Presidenti thotë se buxheti nuk garanton mbrojtjen as të shëndeti dhe as të dinjitetit të qytetarëve përballë pandemisë.

“Për pasojë, ky buxhet nuk mundëson mbështetjen e nevojshme buxhetore, për të bërë çfarë është e mundur, më së pari, për ruajtjen e shëndetit të popullësisë nga sëmundja infektive Covid-19, si dhe nuk garanton mbrojtjen e dinjitetit dhe personalitetit njerëzor përmes krijimit të kushteve për punësim, për shëndetësi cilësore, dhe as për mirëqënie”, arsyeton Meta.

Meta nënkupton se në këtë buxhet orientimi i fondeve është i gabuar. Ai deklaron në arsyetimin shoqërues të buxhetit se në të Qeveria parashikon shpenzime të panevojshme, siç janë 36 mln eurot për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar.

“Kjo shumë, në vend që të adresohej në mbështetje të masave për përballimin e pandemisë Covid-19, tashmë shkon për të mbuluar një iniciativë antikushtetuese dhe të paligjshme të Qeverisë dhe Bashkisë Tiranë. Shuma prej 4.5 miliard lekësh është pikërisht dëmi ekonomiko-financiar i shkaktuar nga veprimtaria e Kryeministrit, Qeverisë dhe Bashkisë Tiranë. Ndërkohë që dëmi që ka pësuar trashëgimia kulturore dhe identiteti ynë kombëtar është i pallogaritshëm dhe autorët duhet të mbajnë përgjegjësi”, thotë Presidenti.

Meta tha gjithashtu se buxheti i ri nuk mbështet as biznesin dhe veçanërisht biznesin e vogël, duke mos parashikuar paketa stimuluese. Presidenca thotë se në buxhet nuk parashikohet as një projekt-plan për uljen e borxhit publik, që sipas saj është mbi 80 për qind.

Presidenca vëren se edhe objektivi i amnistisë fiskale që parashikohet për vitin e ardhshëm është problematik, pasi përkeqëson klimën e biznesit në vend dëmton konkurrencën dhe është rrezikon të përdoret për pastrimin e parave të krimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë