Deputeti demokrat, njëkohësisht nënkryetari i Grupit Parlamentar te Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, në mbledhjen e Konferencës se Kryetareve, ka akuzuar mazhorancën se po bllokojnë qëllimisht nismat ligjore të opozitës, duke i mbajtur ato në sirtar, pa u caktuar datë shqyrtimi.
Këlliçi kërkoi përfshirjen në rendin e ditës dhe votimin e paketës me katër nisma për shfuqizimin e ligjit për Investimet Strategjike, ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura, ligjit për Paketën e Maleve dhe disa dispozitave të ligjit për Trashëgiminë Kulturore.
Duke u ndalur te Investimet Strategjike, ai deklaroi se pas 11 vitesh zbatim, 98% e kontratave u përkasin pesë oligarkëve dhe përfaqësuesve të krimit të organizuar, ndërsa vetëm 2% lidhen me investitorë të huaj, mes të cilëve, sipas tij, edhe dy miq personalë të kryeministrit Edi Rama.
“Po vërej sërish se nismat e opozitës vazhdojnë të mbeten pa një datë shqyrtimi. Kjo do të thotë se ju po vijoni me të njëjtën sjellje të vjetër: duke mbajtur në sirtar çdo nismë të opozitës dhe duke mos i marrë ato në konsideratë.
Po jua rikujtoj edhe një herë se bëhet fjalë për një paketë të plotë ligjore.
Këto nisma po i mbani peng. Ato duhej të ishin pjesë e seancës më të parë parlamentare.
Dhe dua ta theksoj qartë: këto nuk janë thjesht nisma të Partisë Demokratike. Ato pasqyrojnë kërkesa të drejtpërdrejta të institucioneve të Bashkimit Evropian dhe lidhen drejtpërdrejt me kushtet për avancimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
Sepse është tashmë e qartë se këto ligje janë problematike, favorizuese, të lidhura me interesa korruptive dhe në kundërshtim me normat demokratike dhe standardet e Bashkimit Evropian”, tha Këlliçi.
Gjatë konferencës ka patur debat edhe mes deputetit të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi me anëtarët e mazhorancës. Blushi ka kërkuar që tërheqjen nga rendi i ditës të akteve normative që lidhen me reagimin ndaj protestave.
“Futja në kalendar e këtyre akteve dëshmon se doni të vazhdoni të qeverisni nëpërmjet dhunës. Kuvendi nuk mund të kthehet në noter të dhunës shtetërore. Kryeagjenda e këtij Kuvendi nuk mund të jetë dhuna, por kërkesat legjitime të studentëve. Dhunën po e dënojnë edhe eurodeputetët, ndërsa kryetari memec i Kuvendit nuk reagon. Po dëshmoni jo vetëm se jeni përgjegjës për krizën, por edhe nxitës të përshkallëzimit të saj. Futja e akteve normative dëshmon natyrën kriminale të kësaj shumice, që kërkon të qeverisë me shkopinj e plumba gome”, u shpreh deputeti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje