Politike

Meta kthen ‘Buxhetin 2022’: Është antisocial, shqetësim niveli i borxhit

Ironikisht, pak minuta pasi Edi Rama tha nga Shkodra se do të rrëzohet dekreti presidencial që ka rikthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin e bashkëqeverisjes, Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend një ligj edhe më me peshë sa i takon rëndësisë; buxhetin 2022.

Meta rendit një sërë arsyesh, mes të cilave thotë se në tërësi është një plan antisocial, ka mangësi shqetësuese të transparencës në lidhje me shpenzimet dhe politikat fiskale, paraqet problematika në lidhje me nivelin e borxhit dhe efektin e tij në ekonomi, ka mangësi në mbështetjen reale për sektorët e ekonomisë, sidomos për bujqësinë dhe mbështetja për shtresat në nevojë dhe të prekurit nga pancemia e Covid, që janë trajtuar në shtëpi.

Presidenti thotë se pavarësisht se në relacionin shoqërues të projektligjit thuhet se synon konsolidimin e rimëkëmbjes ekonomike të vendit pas tërmetit dhe pandemisë, apo uljen e borxhit, shifrat konkrete që gjejnë pasqyrim në ligjin për Buxhetin 2022 nuk sigurojnë një përdorim efecient, efektiv dhe ekonomik të burimeve financiare publike, sipas nevojave të vendit.

Sipas Presidentit, treguesit krahasues me vendet e rajonit në buxhet janë selektivë dhe nuk pasqyrojnë realisht gjendjen ekonomike dhe sociale të Shqipërisë në raport me vendet fqinje. Presidenti thotë se në vitin 2020, Shqipëria ka produktivitetin më të ulët krahasuar me vendet e rajonit. Ndërsa borxhi publik për banorë e rendit vendin tonë të tretin pas Malit të Zi dhe Serbisë. Niveli i varfërisë i matur në përqindje të popullsisë me të ardhura nën 5.5 dollarë në ditë për banorë është më i larti ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Paga minimale në Shqipëri sipas raportit të Fondit Monetar Ndërkombëtar është më e ulta krahasuar me vendet e rajonit. Shqipëria vazhdon të ketë një performancë të ulët në mbledhjen e të ardhurave publike. Gjithashtu niveli i shpenzimeve publike është më i ulti nga vendet e rajonit. Shqipëria ka nivelin më të ulët të shpenzimeve publike në rajon. Shqipëria shpenzon 33.2% të PBB”, thuhet në arsyetimin e Presidentit Meta.

Buxheti i vitit 2022, vijon Presidenti Meta, nuk reflekton prioritet për shpenzimet të cilat duhet të mbështesin grupet më në nevojë, përkundrazi reflekton rritje të kostos së borxhit publik, të shpenzimeve operative, të shpenzimeve për koncesionet me mbështetje buxhetore, si dhe një nivel të lartë të investimeve publike.

Meta thotë se buxheti nuk reflekton as prioritetet e caktuara nga FMN, për uljen e shpenzimeve joprioritare dhe rrit shpenzimet për PPP-të.

“Fondi total i koncesioneve i projekteve PPP me ofertë të pakërkuar rritet nga 636.8 miliard lekë në vitin 2021 në 830.9 miliard lekë në vitin 2022 për 6 projekte të reja në vlerën 194.1 miliard lekë, ose një rritje në 30.5%”, thotë Meta.

Presidenti thotë se as zotimi për rritjen e asistencës sociale nuk përputhet me fondet e ndihmës ekonomike dhe e paaftësisë , që sipas tij nuk kanë rritje, por ulje, nga 24.7 miliard lekë në vitin 2021, në 23.55 miliard lekë të planifikuara për vitin 2021.

“Buxheti i vitit 2022 nuk reflekton një politikë të kujdesit social, për të përmirësuar gjendjen sociale në tërësi, si dhe në veçanti të personave në kufijtë e varfërisë”, thuhet në arsyetimin e dekretit.

Presidenti ngre shqetësim edhe për nivelin e borxhit. Ai thotë se buxheti nuk garanton objektivin kryesor të uljes së tij.

“Objektivi kryesor i politikës fiskale duhet të jetë kthimi i raportit të borxhit ndaj PBB-së në një rrugë rënëse. Politika fiskale jo vetëm që nuk garanton realizimin e objektivit kryesor të politikës fiskale për një rikthim të raportit të borxhit ndaj PBB poshtë nivelit 45%, apo dhe në nivelin e vitit 2020, por përkundrazi mungesa e transparencës për sa i përket vlerësimit real të stokut dhe risqeve të reja të rritjes së borxhit do të vënë në rrezik qëndrueshmërinë e financave publike dhe përkeqësimin e treguesve makroekonomikë të vendit”, thotë Meta.

Kjo është hera e dytë që Presidenti Meta i kthen Qeverisë buxhetin, pas precedentit të vendosur me buxhetin 2021. Buxheti është ligji themelor mbi të cilin shpërndahen dhe grumbullohen të ardhurat nga ana e Qeverisë. Meta shfaqi vërejtje edhe në fund të 2020 për buxhetin e këtij viti, por nuk e ktheu atë në Kuvend duke përdorur si argument pandeminë e Covid dhe domosdoshmërinë për të shmangur ngërçe që, sipas tij, do të prekin qytetarët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë