Politike

Balla: Meta po vonon marrjen e vaksinës anti-Covid

Socialistët akuzojnë Presidentin Ilir Meta se po rrezikon marrjen e vaksinës nga ana e Shqipërisë me vonesën për dekretimin e buxhetit të shtetit, të miratuar nga Kuvendi.

Është e patolerushme, është e papranueshme Ilir Meta që të vonojë ligjin për buxhetin e shtetit. Është miratuar në Kuvend dhe Presidenti i Republikës për turpin e vijon ta mbajë peng ligjin për buxhetin e shtetit duke vonuar përgatitjen që duhet të bëjë Qeveria për përballimin e situatës së COVID, në veçanti sigurimin e vaksinë", deklaroi kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

Buxheti për vitin 2021 u miratua në mes të nëntorit. Presidenti as e ka kthyer, as e ka miratuar atë. Sipas këtij buxheti shuma e financimit të shëndetësisë nuk do të ndryshojë në krahasim me 2020. Ajo do të jetë 2.9 për qind e GDP-së. Megjithatë, në relacionin shoqërues, Qeveria thotë se shëndetësia është prioritet për vitin e ardhshëm.

Balla paralajmëroi se socialistët do të rrëzojnë edhe dekretin e Presidentit që kthen për rishqyrtim në Kuvend ligjin për Policinë e Shtetit.

"Ligji është diskutuar për një kohë shumë të gjatë në Kuvendin e Shqipërisë, ka marrë kohë të gjatë. Gjej rastin ta falënderoj ministrin e Brendshëm për korrektesën që ka treguar në marrëdhënien me Kuvendin”, tha ai.

Kreu i grupit parlamentar socialist akuzoi Presidentin për lidhje me ish-efektivë të Policisë që janë shkarkuar për shkak të përfshirjes në aktivitete kriminale.

“Të gjitha përpjekjet, në krye të të cilave është vënë Ilir Meta, Presidenti i Republikës që natën takohet me ish-policë të larguar nga Policia e Shtetit për shkak të përfshirjes në aktivitete kriminale dhe ditën bën sikur shqetësohet për Policinë e Shtetit”, vijoi Balla.

Edhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj e cilësoi dekretin e Metës për rishqyrtim të këtij ligji një akt thellësisht politik.

"Presidenti pretendon se dhënia e kompetencës për mbikëqyrje të veçantë për Policinë e Shtetit rrezikon të shkelë të drejtat e njeriut për arsye se është në varësi të ministrit të Brendshëm, ndërkohë që demokracitë funksionojnë mbi këtë parim. Qeveria kontrollon dhe duhet ta kontrollojë administratën dhe burokracinë përndryshe demokracia do të ishte në rrezik”, tha ai.

Lleshaj ftoi deputetët që ta rrëzojnë dekretin.

“Duke e konsideruar aktin e kthimit të ligjit si akt të mirëfilltë politik, pa asnjë brendi juridike, duke theksuar faktin se ky ligj ka kaluar një proces të gjatë diskutimi, filtër diskutimi me partnerët tanë ju ftojmë ta votojmë dhe t’i hapim rrugë zbatimit të tij”, tha ministri i Brendshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë