Kërkesa e Kontrollit të Lartë të Shtetit për më shumë fonde dhe 10 punonjës shtesë për vitin 2027 është shoqëruar me debate në Komisionin “Xhafaj”.
Deputeti socialist, Ermal Elezi vuri në pikëpyetje nevojën për zgjerimin e organikës, duke theksuar se pagat në KLSH janë rritur me rreth 90% nga viti 2021 deri në vitin 2025, pa u paraqitur tregues që të dëshmojnë një përmirësim të ngjashëm të mbulimit dhe cilësisë së auditimeve.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e KLSH-së argumentuan se fondet shtesë dhe forcimi i burimeve njerëzore janë të nevojshme për përmbushjen e detyrimeve institucionale dhe kërkesave që lidhen me integrimin europian.
Ermira Hoxha, drejtoreshë e Burimeve Njerëzore në KLSH tha se kërkesat buxhetore për vitin 2027, në vlerën 894,4 milionë lekë, janë orientuar në 3 zëra: paga dhe sigurime shoqërore në vlerën 711,5 milionë lekë, mallra dhe shërbime 100,9 milionë lekë, shpenzime kapitale me financim të brendshëm 82 milionë lekë.
“Për kërkesën për paga dhe sigurime shoqërore, parashikimet janë bërë për stafin e KLSH-së dhe kontraktimin e ekspertëve të jashtëm. Janë marrë parasysh kërkesat për rritjen e auditimeve. KLSH-ja ka përgjegjësi edhe për rekomandimet e dhëna dhe cilësinë e auditimeve, procese që kërkojnë një angazhim të vazhdueshëm të burimeve njerëzore”, tha ajo.
Në kërkesën për rritjen e numrit të punonjësve është marrë në konsideratë edhe përmbushja e detyrimeve në kuadër të integrimit europian, i cili kërkon forcimin e kontrollit të jashtëm publik, rritjen e transparencës dhe përgjegjshmërisë në administrimin e fondeve publike dhe përafrimin e veprimtarisë audituese me kërkesat dhe praktikat europiane.
Ndërkohë, relatori Ermal Elezi iu përgjigj duke thënë se investimet janë realizuar vetëm në masën 18%.
“Meqë thuhet se do të realizohen 100%, flitet për procese që janë në procedim, pasi nuk mund të realizohen në periudhën e mbetur të vitit”.
Ndërsa për kërkesën për shtim punonjësish, ai tha se duhet një plotësim i raportit të progresit.
“Thuhet që institucioni ka 215 punonjës nga 243, pra rezulton që mungojnë 18 punonjës. Kjo ka të bëjë me ambientet apo i keni në parashikim për t’i realizuar? Pa plotësuar strukturën, nuk mendoj që shtesa me 10 punonjës gjen vend për pranimin e kërkesës, për sa kohë ka ende vakanca”, tha ai.
Ai shtoi se “pagat e KLSH-së janë rritur ndjeshëm vitet e fundit dhe, përpara se të kalojmë në kërkesa shtesë, duhet të na provoni që angazhimi dhe cilësia e punës janë maksimale dhe pastaj të shohim nëse ajo që kërkoni ka të bëjë me ngarkesën dhe cilësinë”.
Elezi tha se që nga viti 2021 deri në vitin 2025 janë rritur rreth 90% pagat dhe “dokumenti juaj nuk sjell ndonjë tregues që mbulimi me auditime dhe cilësia të kenë sjellë po të njëjtën rritje”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje