Rend dhe Ligj

Met Rrumbullaku në krye të Policisë së Shtetit, zyrtarizimi pritet të mërkurën

Gazeta Si - Oficeri i karrierës Met Rrumbullaku pritet të emërohet zyrtarisht të mërkurën (7 shtator) në postin e Drejtorit të Policisë së Shtetit.

Burime të Gazetasi.al, konfirmojnë se pas vendimit që do të merret në mbledhjen e qeverisë, në ceremoninë që pritet të mbahet në ambientet e Ministrisë së Brendshme, do të jetë edhe kryeministri Edi Rama.

Emri i Rrumbullakut u përfol për të marrë drejtimin e Policisë së Shtetit para lajmit të shkarkimit të ish-kryepolicit Gledis Nano.

Shkarkimi me vendim qeverie erdhi për mos përmbushje objektivash dhe reagim jo të fortë e menaxhim jo efikas.

Gjatë kësaj jave, policia është drejtuar nga zëvendësdrejtori i përgjithshëm Tonin Vocaj, i cili është komanduar në krye të këtij institucioni deri në emërimin e drejtuesit të ri.

Nano zëvendësoi Ardi Veliun me 6 tetor, por nuk arrit të mbyllë me sukses mandatin e tij, kjo edhe për shkak të ngjarjeve kriminale të ndodhura në vend, ku nga fillimi i vitit janë regjistruar 47 viktima.

Nën drejtimin e policisë nga Gledis Nano, pati dhe ngjarje të rënda, ku të përfshirë ishin edhe punonjës policie.

Siç ishte vrasja e Jurgen Dukës në një market në Tiranë nga polici Arbër Sula apo vrasja e vogëlushes 7-vjeçare në plazhin e Potamit nga komisari Arjan Tase.

Ndërkohë, emri i Rrumbullakut është propozuar edhe më herët për këtë post, kjo falë karrierës disa vjeçare të tij në polici.

Rrumbullaku mban gradën drejtues i Parë dhe deri në vitin 2013 ka qenë zëvendës-drejtor i Përgjithshëm, më pas ai pati një shkëputje nga policia për t’u rikthyer si këshilltar i ministrit  të qeverisë së përkohshme, Dritan Demiraj në vitin 2017.

Nga 2019 deri para një jave, ai ka mbajtur postin e drejtorit të Agjencisë së mbikëqyrjes policore (AMP).

Në nëntor të 2020, Muhamet Rrumbullaku u konfirmua nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit për të tri shtyllat pasuria, pastërtia e figurës dhe aftësitë profesionale. Ai ka një karrierë 29-vjeçarë ne strukturat e Policisë së Shtetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë