Drejtësia

Arjan Tase mbetet në burg, akuzohet për ‘vrasje të kryer në formën e dashjes indirekte’

Gazeta Si - Ish-komisari i policisë Arjan Tase, është lënë në burg nga Gjykata e Vlorës për vdekjen e 7-vjeçares Jonada Avdia, me akuzën “vrasje e kryer në formën e dashjes indirekte”.

Prokuroria e Vlorës kundërshtoi kështu qëndrimin dhe referimin e Policisë së Vlorës, që e dorëzoi komisarin Arjan Tase për akuzën e vrasjes nga pakujdesia.

Me këtë akuzë të re, Tase rrezikon nga 10 deri në 20 vite burg parashikuar në nenin 76 të Kodit Penal dhe jo gjobë apo 5 vite burg.

Tase nuk e ka kundërshtuar vendimin e dhënë nga Gjykata e Vlorës për ta lënë në burg, pasi goditi për vdekje me gomone 7-vjeçaren në plazhin e Potamit dhe nuk do ta ankimojë në Apel.

Ai nuk pretendoi asnjë rrethanë lehtësuese, duke mos bërë ankim ndaj masës së arrestit, por nënvizoi faktin që sipas tij mjeti lundrues i kishte dalë jashtë kontrollit.

Në seancë, ai ka ngushëlluar familjarët e Jonada Avdisë dhe i ka kërkuar falje Policisë së Shtetit për veprimin fatal dhe shkeljes së ligjit.

“Nuk do të doja kurrsesi të kishte ndodhur ajo që ndodhi. Dua t’ju kërkoj ndjesë edhe të gjithë kolegëve të policisë së shtetit të prekur nga kjo situatë. Nuk duhet të ndodhte kurrsesi, por fati im i keq. Në skaf kishte hipur vetëm nëna ime dhe djali im i vogël. Në det ishte gruaja me djalin e madh dhe motra me dy fëmijët. Nëse skafi do ishte rrotulluar në anën e kundërt do të kisha vrarë familjen time”, ishte shpjegimi i tij i ngjarjes.  

Si prova për të mbështetur këtë akuzë, është dhe fakti që Tase kishte patentë për mjetin ujor dhe dinte shumë mirë rrezikun që paraqet lundrimi i këtyre mjeteve në breg të detit për qytetarët.

Gjithashtu efektivi dinte rregullat që nuk duhej të shkelte, njëra prej tyre dhe fakti që ka futur mjetin lundrues në hapësirën ujore të përcaktuar për pushuesit.

Kjo hapësirë ujore ka qenë e rrethuar me bova plastike, sipas përcaktimeve në aktet ligjore që normojnë këtë aktivitet.

Pasi zbarkoi në breg familjarët e tij në bord, ai kreu manovrime të pakujdesshme për të kthyer mjetin lundrues sërish në det të hapur.

Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 2 gushtit në Plazhin e Potamit në Himarë. E mitura po lahej në det me babain e saj, kur u përplas nga pjesa e motorit të skafit që drejtonte Tase, duke humbur jetën në vend.

Fëmija, me origjinë nga Tropoja jetonte me familjen e saj në Angli, por ishte kthyer në atdhe për pushime.

Për këtë ngjarje të rëndë është shkarkuar i gjithë zinxhiri drejtues i Policisë Kufitare të Vlorës, si edhe inspektorët përgjegjës.

Një ditë më parë, shoqëria civile e mbështetur edhe nga opozita, protestuan para Ministrisë së Brendshme dhe kryeministrisë për të kërkuar drejtësi.

Ata kërkuan dorëheqjen e ministrave Çuçi, Kumbaro dhe kryepolicit Nanos, duke i lënë afat kryeministrit Rama deri të hënën për të reflektuar.

Në rast të kundërt, ata thanë se do të rinisin protestat deri sa kërkesat e tyre të plotësohen pas kësaj ngjarjeje tronditëse.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë