Mendim

Pas shkarkimit, Gledis Nano letër ‘lamtumire’: Gjëja më e ndërlikuar në jetë, të kesh frikë

Gledis Nano, ish-drejtori i Policisë së Shtetit, që u shkarkua dje nga detyra, ka shkruar një letër të gjatë për kolegët, drejtuesit dhe ekspertët e organizmave partnere ndërkombëtare, përfaqësuesit e mediave dhe anëtarët e komunitetit.

Në letrën e ‘lamtumirës’, Nano nuk i ka kursyer falënderimet për bashkëpunëtorët e tij, ndërsa ka përshkruar disa nga pikat me sfidat që është përballur gjatë drejtimit të policisë.

“Sjell ndërmend se gjendesha pikërisht në momentin e duhur, kur besova edhe më fort se së bashku na priste një udhë aspak e lehtë, me sfida jo të pakta por që mbi të gjitha, sot mendoj me bindje të thellë se ia vlente vërtet që ta përshkonim atë së bashku”, shkruan mes të tjerash Gledis Nano.

Ndër të tjera, ai shkruan se gjëja më e ndërlikuar në jetë është të kesh frikë, ndërsa gjëja më e rëndësishme në jetë është të guxosh. Gledis Nano thekson se personaliteti nuk mund të ndërtohet me postin, por për këdo është e rëndësishme që periudhat e përkohshme të jetës t’i mbyllë me nder.

“Në punën time, nuk më ka mjaftuar vetëm përvoja e fituar nga vitet, por edhe modelet e ndërtuara nga shumë prej personaliteteve madhorë të marrëdhënieve ndërkombëtare, ku njëri prej tyre mbetet edhe një nga mendjet më të ndritura të politikës botërore; Shimon Peres. Prej tij kam mësuar dhe nuk e kam harruar për asnjë çast thënien se: ‘Gjëja më e rëndësishme në jetë është të guxosh. Gjëja më e ndërlikuar në jetë është të kesh frikë. Por, më e zgjuara në botë është përpjekja për të qenë një person me moral’. Askush nuk mund ta ndërtojë personalitetin e tij nëpërmjet postit që mund t’i ofrohet! Për cilindo këto janë periudha të përkohshme që nëse arrin ta mbyllë më nder dhe vlerësim që nga qytetari më i thjeshtë, deri tek partnerët më strategjikë, atëherë çdokush prej nesh ka fituar vetveten”, shkruan ndër të tjera Nano.

Një vëmendje të veçantë i jep edhe familjes duke thënë se e ka mbështetur në këtë periudhë të ngarkuar por edhe gjatë karrierës në polici pasi herë pas here nuk ka qenë pranë tyre për shkak të angazhimeve në punë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë