Do flas dhe unë

#MESTUDENTËT

Nga Suada Halilaj*

Në një vend ku duhet luftë e përditshme me kenë fëmijë, i ri,student, burrë, grua, kafshë, profesionist, pensionist, i papunë, andrrimtar, i lirë, i drejtë, i ndryshëm,… revolta, kryengritja, mosbindja, rrudhja e vetullave e ngritja e zanit asht e vetmja shkrepëse në xhep, e vetmja shpresë që s’duhet me u lanë me vdekë.

Unë kam 8 vite që kam ik prej Shqipnisë. Sfidat e jetës studentore m’i ka lanë kujtim një tjetër shtet, jo i jemi. Ama më dalin e teprojnë 4 vite gjimnaz në të cilat u ballafaqova për herë të parë me çmimet stratosferike të librave, me korrupsionin, arrogancën e profesorëve, padrejtësinë në nota e trajtim, dhunën verbale e fizike, durimin me pikatore dhe talentet e mykuna të nxanësve në banken e fundit, banjot skandaloze, të ftoftin migjenian në klasa e karriget me 3 kambë. Vit mbas viti, kur kthehesha për pushime dhe takoja miqtë e mi që ndryshe prej meje kishin kalu nga shiu në breshën, nga gjimnazi në universitet, tanë më quanin me fat që kisha shpëtu nga ajo gojë e madhe ujku që s’len kend pa kafshu…tanë ankoheshin për një sistem surreal tarifash, pedagogësh diskriminues e të paaftë, provimesh me çmime në euro, diplomash me vlerën e letrës higjienike, milionave për një vend pune, tregun e zi mbas kuintave të konkurseve e me arsimin si biznes, ku s’ka ma randsi sa din, po sa ke.

Unë i kam besu gjithmonë miqve të mi. Unë i kam besu gjithmonë studentave. Unë i kam besu gjithmonë dëshpërimit të tyne, dritës së fikun në sy, duarve në xhepa, dorëzimit me kryet poshtë dhe s’guxoj sot e kurrë, pa i pas vesh këpucët e tyne, nga divani jem me kilometra larg marshimit që kanë nis, me u ba luaneshë tastiere e me shtyp fjalë nga receta moralistash që japin mend e gjykojnë një “rini kafenesh” të ulun vetë në kafene.

Unë jam me studentët, pa asnjë “por” e asnjë “ndoshta”, edhe pse mes tyne ka edhe militantë partie, individë që i bashkohen turmës për inerci apo djem e vajza që protestën e barazojnë me ditë pushimi. Kjo protestë, pikërisht për këtë pakicë individësh vlen dyfish. Këta të rinj e të reja kanë nevojë të përfshihen në diçka ma të madhe se qëllimet e tyne të vogla…kanë nevojë t’iu zgjohen idealet, t’iu edukohet rebelizmi, t’iu qartësohen idetë, t’iu rikthehet në jetë ndërgjegjja.

Unë jam me studentët. Kam lexu tana lajmet, kam pa tana fotografitë, kam ndigju tanë fjalimet, kam lexu çdo post virtual e jam ndi krenare, e ngazëllyme, nostalgjike e mandej edhe e zemërume me vedin, me ikjen teme, me kompanitë e fluturimeve dhe çmimet e biletave që s’me lejojnë me marr avionin e parë e me u kthy në shtëpi, me iu bashku zanit që ka ringjall qytetet këto ditë.

Jam me studentët, me tanë studentët, pavarësisht mesatares së notave, pavarësisht degës që studiojnë, pavaresisht asaj që do bahen nesër. Studentët kanë të drejtë.Rinia ka të drejtë. Vajza e djem, që vlojnë rrugëve të qyteteve e s’pranojnë negociata e vejnë ultimatume e nuk ndyhen me flamuj partie e nuk rrehen ma me karramele e çojnë zanin e pankartat e pretendojnë me iu ndigju fjala e me iu respektu e drejta, kanë të drejtë. Studentët kanë të drejtë se nuk ia dalin ma.Vit mbas viti, kanë hup lekun, durimin, shpresën, pritjen.Ça tjetër kanë me dhanë?

Kjo protestë shkon përtej kauzës që bërtet. Qëllimet e saj janë të qarta si uji i bjeshkëve, por ma e kthjellët, e furishme, mallëngjyese asht shpirti që ka lëshu të lirë. Kjo protestë asht shpresë; asht ngjarje e jashtëzakonshme në një vend që asht mësu me rrena të zakonshme; asht prova që njeriu i thjeshtë, kur don, bahet mur e gur e s’ka gja që ia shemb dinjitetin; asht termeti i parë realisht i frikshëm për pallatet e nalta të pushtetit; asht muskul i fortë i një guximi të shumëpritun.

Ndërkohë që ju jeni mijëra veta, po frymëzoni një popull prej miliona vetësh, brenda dhe jashtë asaj toke. Sa na kishte marrë malli për këtë ndjenjë pushteti e force! Ju po na mësoni se rinia ndoshta s’ka shumë vite mbi shpindë por nuk ia fik ende dëshira me jetu, me punu, me andrru. Ndërkohë që ju po çoheni në kambë për hallet tuaja, po na kujtoni hallet tona e po na mësoni ballafaqimin me veten, me ndërgjegjen, me fajin, me sloganin e jetëve tona “ankesa shumë e punë pak”. 

Jam me studentët, çfarëdo që të ndodhin, sido shkofshin gjanat, sado rezistofshin, kundër çdo përçamjeje, pritshmërie e presioni…jam studente, rini, rebele e vendit tem.

Në ditë të tilla,falë jush,Shqipnia më thrret për kthim si kurrë ma parë.

*Suada ka studiuar në Universitetin e Firences (Universita "Cesare Alfieri" di Firenze) për Shkenca Politike dhe aktualisht jeton në Oslo, Norvegji ku punon për Amnesty International Norway. Suada është edhe poete.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë