Lajme

Merr fund kriza, kush fitoi Meta apo Rama?

Bledar Hoti- Presidenti Ilir Meta firmosi për dekretimin e kryeministrit Edi Rama në postin e ministrit të Jashtëm, duke i dhënë fund kështu konfliktit mes institucioneve shtetërore, që kulmoi me refuzimin e emërimit Gent Cakaj në postin e kryediplomatit.
Presidenti ndërkohë ka dhënë dy arsyet se pse ka pranuar të firmosë dekretin pro emërimit të Ramës, ndryshe nga rastet e mëparshme.

Pavarësisht debateve të shumta të hapura nga juristët dhe konstitucionalistët për faktin se mbajta e dy posteve nga ana e Ramës shihej si antikushtetuese, pasi ministrit nuk i lejohet të mbajë post tjetër shtetëror, presidenti Meta ndan bindjen se ky është një rast i veçantë që nuk ndalohet nga ligji themeltar i shtetit shqiptar.


“Emërimi i Kryeministrit edhe në detyrën e Ministrit është një rast i veçantë, që nuk parashikohet dhe as ndalohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Presidenti i Republikës vlerësoi këtë propozim në përputhje me frymën që përcjell Kushtetuta dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, duke bërë një interpretim të zgjeruar dhe fillestar të dispozitave kushtetuese, si dhe duke mbajtur në konsideratë faktin që, ushtrimi i detyrës së Ministrit nga Kryeministri është një veprimtari shtetërore që shtrihet brenda sferës ekzekutive pjesë e kabinetit qeveritar, struktura e të cilit është në të drejtën e Kryeministrit për t’u propozuar”, thuhet në reagimin e zëdhënësit të Presidentit, Tedi Blushi.


Zëdhënësi i kreut të shtetit thekson se dekretimi i Ramës si ministër i Jashtëm u realizua për të shmangur krizën institucionale që u krijua, ku mbase shkaktari i kësaj situate të krijuar është edhe vetë Presidenti.
“Në cilësinë e Kreut të Shtetit, ka mbajtur në konsideratë edhe rëndësinë e evitimit të çdo mundësie për krijimin e një krize institucionale, e cila do të dëmtonte pozitën e Republikës së Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e zëdhënësit. Nisur nga kjo arsye, kreu i shtetit ka pranuar që të shkarkojë ministrin Ditmir Bushati dhe të emërojë në vend të tij, kryeministrin Edi Rama.

Dekreti i Presidentit mund të votohet në seancën e radhës të 21 janarit, një datë që në memorien e shqiptarëve njihet me protestën e opozitës së atëhershme socialiste, ku 8 vite më parë në bulevardin para kryeministrisë u vranë 4 protestues të saj.

Tashmë pas këtij konflikti që nisi fillimisht në tetor të vitit të kaluar me refuzimin e parë për të emëruar Sandër Lleshajn në postin e ministrit të Brendshëm, si dhe përfundoi me përplasjen e fortë për emrin e Gent Cakajt si ministër të Jashtëm pritet të jetë objekt i shqyrtimit të Gjykatës Kushtetuese. Ky institucion aktualisht gjendet vetëm me një anëtar, pasi gjyqtarët janë shkarkuar ose janë dorëhequr nga procesi i Vettingut, por kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të interpretuar nëse Presidenti ka të drejtë për të refuzuar një propozim për emërim ministri.


Konflikti që mati forcat mes Metës dhe Ramës
Ilir Meta, la forcën e partisë së tij, LSI-në, për t’u “fronëzuar” në prill të 2017-ës si president i Republikës. Votat e socialistëve ishin pro aleatit të tij të koalicionit qeverisës që dukej sikur po shkërmoqej në momentin e fundit përpara shkuarjes në zgjedhjet parlamentare.

Prej më shumë se një viti, presidenti Ilir Meta u përpoq t’i jepte këtij institucioni një profil më të lartë, duke i treguar aleatit të tij të dikurshëm se në jo pak raste iu bë barrierë për shumë çështje të ndryshme.
Konflikti i parë nisi në lidhje me propozimin për emërimin e kreut të SHISH, ku kreu i shtetit mbajti për më shumë se një vit pezull emrin e Helidon Bendos.

Kjo do të ishte edhe sinjali i parë nga Presidenti në adresë të kryeministrit se ai nuk do të ishte vetëm një “noter” i thjeshtë i vulosjes së çdo propozimi, por se do të përballej me një institucion ndryshe nga të tjerët. Dekretimi do të realizohej vetëm më 6 nëntor të 2018, në kulmin e krizës së parë institucionale që do të datohej në lidhje me refuzimin për dekretimin e Sandër Lleshajt si ministër i Brendshëm. Kjo do të cilësohej si krisja e parë institucionale mes Ramës dhe Metës, për të cilën mazhoranca u mundua që të mos të shpallte një konflikt të hapur.

Përplasja e ndodhur në tetor të vitit të kaluar do të merrte fund në 16 nëntor, ku kryeministri do të detyrohej që të riparaqiste emrin e Lleshajt si ministër të Brendshëm, duke ofruar si zgjidhje lirimin si ushtarak të të propozuarit. Kjo do të cilësohet si betejë ku të dyja palët dolën të fituara. Por pa u mbyllur ky konflikt një tjetër do të paralajmërohej, që lidhej sërish me dekretimin e ministrave të qeverisë.

Sandër Lleshaj dhe presidenti Ilir Meta në momentin e betimit si ministër i Brendshëm


Në fund dhjetorit të 2018, Rama do të shpallte largimin e 8 ministrave, pjesën më të madhe të ministrave kryesorë, duke lënë që betejën me Presidentin ta riniste në fillim të muajit janar të këtij viti. Dhe përplasja e fortë do të lidhej me emrin e Gent Cakajt, i cili u propozua nga Rama në postin e ministrit të Jashtëm. Presidenti e refuzoi me vendosmëri kandidaturën e Cakajt, njeriun që Rama e cilësoi si më të diturin dhe më të lexuarin. Ndërsa nisën sulmet dhe goditjet me qëndrimet nga më të ndryshmet nëpërmjet statuseve në faqet zyrtare të rrjeteve sociale si të kryeministrit apo të presidentit.

Refuzimi për dekretimin e Cakajt do të ishte vendimi më i fortë i Presidentit përballë mazhorancës, edhe pse kjo u nxit edhe nga fakti i mos funksionimit të Gjykatës Kushtetuese. Arsyet se pse u refuzua kjo kandidaturë përveç mungesës së përvojës dhe profilit politik që duhet të kishte një ministër i Jashtëm, lidheshin dhe me faktin si i propozuari si kryediplomat kishte mbajtur disa deklarata që ishin pro ndarjes së shtetit të Kosovës.

Zv.ministri i Jashtëm Gentc Cakaj i propozuari i kryeministrit si kryediplomat

Beteja dhe konflikti 4 mujor mes Presidentit dhe Kryeministrit duket se ka marrë fund. Presidenca për momentin ka ulur armët, duke pritur zhvillimet e tjera politike.
Pas kësaj “lufte”, ndryshimet në qeveri mund të jenë të largëta, të paktën gjersa Gjykata Kushtetuese të shprehet mbi këtë konflikt që i shkaktoi jo pak sa i përket situatës politike dhe institucionale. Tashmë përplasja e pritshme do të jetë për emërimin e kreut të KLSH-së, ku mazhoranca rrëzoi propozimin e parë të Metës për emërimin e Vitore Tushajt në krye të këtij institucioni, si dhe dy ligjet e reja të kthyera nga Presidenti ai “Për noterinë” dhe “Për Kadastën”.

Fitore e Metës
Mos dekretimi i Gent Cakajt
Disa nga ligjet e kthyera nga Presidenti të rrëzuara nga Kuvendi
Ligji për Tarifat Gjyqësore
Ligji për Tatimin e Lojërave të Fatit
Ligji për Teatrin, dy herë
Ligji për Buxhetin e Shtetit
Ligji për Tatimin mbi të Ardhurat
Ligji për “Noterinë”- në shqyrtim
Ligji për “Kadastrën”-në shqyrtim

Dekreti për kreun e KLSH-së
PS refuzon propozimin e Presidentit për Vitore Tushajn


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë