Analize

Merkel dhe Putin “shtien në dorë” monopolin e gazit rus

Bashkimi Europian ndërmori hapin e parë nëpërmjet një votimi të papritur më 8 shkurt për ta kthyer Gazpromin, nga një instrument të politikës ruse në një ndërmarrje të rregulluar, të privuar nga fuqia e saj monopoliste. Në një kthesë të çuditshme, Gjermania, kujdestari i vetëshpallur i unitetit evropian, u gjet politikisht i izoluar nga pjesa tjetër e Europës, e cila u bashkua me Presidentin Donald Trump, për të kundërshtuar ndërtimin e një gazsjellësi gjigant që do të lidhë për herë të parë brigjet ruse me ato gjermane.

Ndërkohë që komisionerët e Bashkimit Europian u mblodhën në Bruksel të premten më 8 shkurt për të votuar mbi projektet e ardhshme energjike të unionit, gazsjellësi që do të transportojë gazin nga Rusia në Gjermani, ishte në rrezik. Edhe aleati i besueshëm i Gjermanisë, Franca kishte sinjalizuar se do të votonte kundër projektit gjermano-rus. Pa Francën, Gjermania nuk mund t’i ndalonte vendet e tjera të votonin kundër këtij tubacioni. U deshën më shumë se një javë negociata prapa dyerve të mbyllura që Angela Merkel dhe Emmanuel Macron të arrinin një kompromis.

Europa Lindore dhe Ukraina kundërshtojnë fuqimisht projektin ruso-gjerman që po ndërtohet nga Gazprom në bashkëpunim me pesë gjigandët e energjisë europiane. Ndër arsyet kryesore të këtij kundërshtimi është fakti se “Nord Stream 2” do të anashkalojë të gjitha tubacionet që kalojnë në Ukrainës, të cilat aktualisht transportojnë rreth gjysmën e gazit rus në Europë. Po ashtu ky gazsjellës do ta bëjë Gjermaninë qendrën europiane të shpërndarjes së gazit, ndërkohë që do të duhej të ndërtohej një tubacion i ri për ekonomitë në lindje të Berlinit. Edhe pse përkrahësit pretendojnë se “Nord Stream 2” nuk do të rrisë varësinë e Evropës nga gazi rus, i kombinuar me tubacionin “Turk Stream” të propozuar nga Gazprom, i cili ka të ngjarë të bashkohet me TAP-in, Rusia do të rrethonte tregun e energjisë të Europës nga jugu dhe lindje. Për më tepër çmimet aktuale të gazit amerikan nuk janë konkurruese me gazin rus.

Sulmet e Merkelit ndaj të gjitha vendeve që kundërshtonin ndërtimin e këtij gazsjellësi zbuloi angazhimin e saj të thellë ndaj “Nord Stream 2” . Ajo i bëri presion të pashembullt Rumanisë, e cila kryesoi takimin e 8 shkurtit, për të sjellë një propozim alternativ në tryezën e votimit. Negociatat midis Parisit dhe Berlinit përfunduan pasi Merkel kërkoi një kompromis që fitoi mbështetjen e Francës. Sipas paktit të arritur, Gjermania do të jetë përgjegjësja që do të sigurohet që Gazprom të respektojë rregullat e BE mbi shpëndarjen e gazit, rregullimin e çmimeve dhe qasjen e palëve të treta në rrjetin e saj të tubacionit.
Në të vërtetë, kur komisionerët u takuan të premten, drafti i hartuar nga Merkel dhe Macron kaloi me vetëm një "jo" nga Bullgaria, pasi asnjë nga vendet e tjera nuk pari vullnetin të kundërshtonte kancelarin gjermane. Hapi i ardhshëm është tanimë miratimi i gazjellësit në Parlamentit Evropian, me sa duket para zgjedhjeve parlamentare të majit.

Pika kryesore e diskutimit ishte nëse vendet anëtare do të miratonin ndërtimin e tubacioneve që vijnë jashtë BE-së, si “Nord Stream 2”, nën rregullat e BE-së, të cilat përcaktojnë s tubacionet që operojnë në tregun e brendshëm europian duhet të funksionojnë të ndara nga pjesa tjetër e gazsjellësit. Për “Nord Stream 2”, kjo do të thotë se Gazpromi do të duhej ta shiste tubacionin e vet tek një palë e tretë për të ndarë prodhimin nga shpërndarja. Një vendim i tillë do të nxjerrë jashtë lojë ligjin që i ndalon Gazprom të shesë gazin e tij në vende të tjera dhe do të parandalonte monopolin rus të rriste çmimet sipas dëshirës.

Vendosja e Gjermanisë në krye të rregullores se “Nord Stream 2” është njësoj sikur të vendoset dhelpra për të ruajtur kotecin e pulave. Edhe pse Merkel ka disa kundërshtarë të “Nord Stream 2” në partinë e saj, partnerët e saj të koalicionit, Partia Socialiste e Gjermanisë (SPD), ka qenë të gjithnjë një përkrahës i zjarrtë i këtij gazsjellësi. Nëse Merkel do të tërhiqej nga ndërtimi i “Nord Stream 2” qeveria e saj do të binte.

Shtetet e Bashkuara dhe Presidenti Trump kanë marrë një pozitë të fortë kundër këtij gazsjellësi. Ambasadori Amerikan në Gjermani, Richard Grenell, kërcënoi pesë kompanitë partnere europiane me sanksione nëse bashkëpunojnë me “Nord Stream 2”. Rusia dhe përkrahësit e NS2 në Gjermani ankohen se SHBA-të thjesht po përpiqen të detyrojnë Europën të blejë gazin e saj të shtrenjtë dhe se kundërshton “Nord Stream 2” për fitime të egra komerciale.

Argumenti i Berlinit është se “Nord Stream 2” është thjesht një nismë tregtare midis dy fuqive europiane, por mbështetja e Merkel për “Nord Stream 2” ka qenë një fatkeqësi politike që e ka izoluar Gjermaninë nga pjesa tjetër e Evropës.

Ndërtimi i këtij gazsjellësi ka vënë në alarm shumë nga vendet e Europës Juglindore, mes frikës së tubacioni mund të përdoret ndër të tjera edhe për qëllimeve spiunazhi.
Gjatë Forumit Europian të Sigurisë, të mbajtur në Varshavë më 24 tetor, Polonia, Estonia, Letonia, Ukraina dhe Lituania e cilësuan tubacionin e gazsjellësit Nord Stream 2, projekt i Gazprom, si një kërcënim ekzistencial për BE-në dhe NATO-n. Me nisjen e ndërtimin e tij tre vjet më parë, tubacioni ka përkeqësuar ndjeshëm marrëdhëniet e Gjermanisë dhe Polonisë. Ndërkohë që BE-ja është e hutuar nga këmbëngulja e Berlinit për të ecur përpara, Varshava nuk lëshon pe pasi thotë se gazsjellësi përbën rrezik për kontinentin europian.

Vladimir Putin dhe Angela Merkel

Tubacioni nën Detin Balltik pritet të përfundojë në vitin 2020 dhe ka një kosto prej 10 miliardë eurosh. Kur të ndërtohet plotësisht, ai do të furnizojë me 55 miliardë metra kub gaz rus në vit Gjermaninë, duke anashkaluar Poloninë dhe Ukrainën, dy shtete që kundërshtojnë fuqishëm tubacionin. Nord Stream 2” do të mundësojë transportin e gazit natyror nga Rusia Lindore në Gjermaninë Veriore, për t’u shpërndarë më pas edhe në Europën Perëndimore.

Por eskpertët paralajmërojnë se nëse çohet deri në fund, gazsjellësi mund të bëhet një mjet politik në duart e Moskës. Ai i jep Rusisë një pretekst për patrullimin e të gjithë Detit Baltik dhe mund të përdoret gjithashtu për të dërguar informacione.

Zyrtarët europainë po pyesin nëse Evropa duhet të lidhet edhe më shumë me një gazsjellës që varet nga sjellja e mirë e një vendi që aneksoi në mënyrë të paligjshme Krimenë, filloi një luftë në Ukrainën Lindore, rrëzoi avion pasagjerësh, ndërhyri në Siri për të shpëtuar një diktator dhe që po angazhohet në një luftë hibride të pandërprerë kundër botës perëndimore.

Të tjerë pyesin veten nëse ka ardhur koha që Europa dhe pjesa tjetër e botës të dënojnë një shtet që ëshstë parë si rojtari i vlerave perëndimore në zemër të Evropës, për shkeljet e shumta të së drejtës dhe normave ndërkombëtare. Një gjë është e sigurt: askush në Europë nuk e dëshiron një aleancë ruso-gjermane.

Burime: “Forbes”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë