Bota

Marina franceze kap nëndetësen gjysmëzhytëse në Atlantik, po transportonte kokainë

Marina franceze ka sekuestruar 146 kilogramë kokainë pasi ndaloi një mjet lundrues gjysmëzhytës në Oqeanin Atlantik. Në bord ndodheshin katër persona, ndërsa disa tonë të tjerë drogë përfunduan në fund të detit pasi ekuipazhi aktivizoi mekanizmin e fundosjes.

Ngjarja ndodhi të enjten, më 12 nëntor 2026, ndërsa lajmi u bë publik të dielën nga Ministria Franceze e Mbrojtjes dhe Prefektura e Martinikës.

Sipas autoriteteve franceze, sapo fregata ushtarake iu afrua mjetit lundrues, i cili nuk mbante asnjë flamur identifikues, tre persona nga ekuipazhi u hodhën në det.

Ndërkohë, ekipi francez i ndërhyrjes arriti të hipte në bord dhe të nxirrte personin e katërt, i cili kishte aktivizuar mekanizmin e fundosjes së mjetit.

Autoritetet bëjnë me dije se mjeti u fundos në më pak se tre minuta, por katër të dyshuarit u shpëtuan dhe u morën në kontroll nga forcat franceze.

Gjatë operacionit, autoritetet arritën të nxirrnin nga deti disa pako me kokainë, me një peshë totale prej 146 kilogramësh.

Megjithatë, pjesa tjetër e ngarkesës, që sipas Ministrisë Franceze të Mbrojtjes arrinte në disa tonë, u fundos bashkë me mjetin lundrues.

Autoritetet franceze e cilësuan ndërhyrjen si një operacion të paprecedentë për Marinën Kombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë