Histori

Me gjuhën e identitetit kombëtar

Gjuha mbetet gurthemeli i identitetit kombëtar ende sot, veçanërisht për popujt e Europës. Në këtë përfundim do të dilte një studim nga Qendra Kërkimore “Pew”, tre vjet më parë, ku rëndësia e gjuhës qëndronte  mbi elementë të tjerë si traditat apo besimi fetar.

Tek gjuha  do t’i  vendosnin fort përpjekjet  veprimtarët  e Rilindjes Kombëtare, duke shndërruar në lajtmotiv shqiptarinë, si fe të shqiptarëve.

Që shqiptarët të zgjoheshin si komb, u pa e nevojshme që të zhvillohej gjuha.  Kjo çoi që atdhetarë nga diaspora e Lindjes dhe Perëndimit të mblidheshin në Manastir, për Kongresin që do të unifikonte gjuhën, katër vjet para shpalljes së Pavarësisë.

Shqipja e  shkruar me alfabet arab, ajo e  propozuar nga Shoqëria e Stambollit, shqipja  e Shoqërisë Agimi e ajo  Shoqërisë Bashkimi me shkronja latine apo ajo e Arbëreshëve të Itali apo edhe alfabeti grek i propozuar nga Kostandin Kristofordhi ...

...ardhi një ditë e pëlqyerë për istorinë tonë, që të nisim liruar' e papengim të punojmë për mbrodhësin' e lumtërin' e kombit tonë, jo me barut edhe me armë, po me kartë e pëndë, andaj kjo çështje e Abecesë lipsetë të jetë fillim, që pa atë nuku do mundim të harijmë qëllimetë tona të lartëra për mbrodhësi të gjuhësë”, shprehej drejtuesi i atij Kongresi, Mid’hat Frashëri, që i mbajti punimet nga 14 nëntori deri më  datën 22.

Lëvizjet për unifikimin e gjuhës shqipe kishin nisur që nga mesi i shekullit të 19, që për nga koha nuk ishin të vona edhe me ato që ndodhnin në Europë, ku perandoritë e mëdha po i linin vendin formimit të shteteve-kombe.

Naum Veqilharxhi nga Vithkuqi i Korçës e  krijoi abetaren e parë të gjuhës shqipe, të poligrafuar, shumë të shkurtër, me tetë faqe që titullohej “Fort i shkurtër e i perdorshim evëtar shqip” prej 33 germash, të cilën e botoi në vitin 1844. Hasan Tahsini ndoqi rrugën e Naum Veqilharxhit, duke hartuar një alfabet të veçantë, jo i njëjtë me atë të paraardhësit, të cilin e publikoi në vitin 1874.

Ai, ashtu si bashkëkombësi i tij Naum Veqilharxhi, me alfabetin e tij të veçantë deshi t’u tregonte jo vetëm popullit të vet, por edhe opinionit të huaj se shqiptarët, siç kanë gjuhën e tyre të lashtë, historinë dhe kulturën, duhet të ene edhe alfabetin. Ndërsa K. Kristoforidhi, P. Vasa, S. Frasheri, e Jani Vreto kontribuuan për alfabetin e shqipes, duke propaganduar sistemet e tyre shkrimore, por duke jenë edhe iniciatore të mbledhjeve të organizuara për këtë problem.

Më 1885, Naim Frashëri si burokrat në Ministrinë e Arsimit në Stamboll, me të vëllain, Sami Frashërin dhe shqiptarë të tjerë me ndikim të “Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip” ia dolën të siguronin lejen sulltanore për çeljen e një shkolle private shqiptare për djem në Korçë. Mbështetja financiare iu mundësua edhe nga mërgata e Rumanisë, anëtarët e Shoqërisë “Drita” të Bukureshtit, ndërsa shqiptarët e Stambollit vendosën që drejtor i shkollës të ishte Pandeli Sotiri. Më 7 mars të vitit 1887, në Korçë u çel mësonjëtorja e parë shqipe.

Miratimi i alfabetit (alfabetares) së Stambollit, në vitin 1879, ndonëse shënoi një hap të rëndësishëm përpara në rrugën e vendosjes së një alfabeti të njëjtë të gjuhës shqipe, nuk arriti ta zgjidhte përfundimisht këtë çështje. Alfabeti i Stambollit standardizoi problemin se shqipja kishte 36 fonema dhe alfabeti i saj duhej të kishte po aq shkronja.

Gjithashtu ai vendosi renditjen e tyre, ashtu siç i kemi sot. Alfabeti i Stambollit u përhap vetëm në Shqipërinë e Jugut e të Mesme, ndërsa në Shqipërinë e Veriut, posaçërisht në Shkodër përdoreshin dy alfabete të tjera për shkrimin e shqipes, all shoqërisë “Bashkimi” (1899) dhe i shoqërisë “Agimi” (1901). Stendat tregojnë se në këtë periudhë mbetën tri sisteme shkrimore: alfabeti i Stambollit, i “Bashkimit” dhe i “Agimit”.

Ky Kongres i mbajtur në shtëpinë e Fehim Zavalanit, që ishte edhe delegat i kolonisë shqiptare të Egjiptit, mblodhi shqiptarë të besimeve të ndryshme që,  me gjithë këndvështrimet që prunë nga vendet ku jetonin, ishin të një mendjeje se nevojitej sa më parë një alfabet i standardizuar.Me gjithë ca kundërshti të shqiptarëve myslimanë, Kongresi i Manastirit u cilësua si hapi i unifikimit të  kombit.

Atë kohë dolën në dritë rreth 90 gazeta dhe revista shqipe, që botoheshin në Shqipëri dhe në kolonitë shqiptare jashtë vendit...

Në nëntorin, të cilësuar në festimet e këtij viti si ai i “Lirisë”, atriumi i Muzeut Historik  Kombëtar i ngjan atij të një salloni të burrave të shqipes, që hijeshohet me praninë e së vetmes grua, Parashqevi Qiriazi.

At’ Gjergj Fishta, dom Ndre Mjeda, Nikoll Kaçorri,  Mati Logoreci, Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi, Shahin bej Kolonja,  Petro Nini Luarasi,  Thoma Avrami, Sotir Peci,  Bajo e Çerçiz Topulli,  familja Qiriazi, Mid’hat Frashëri, Grigor Cilika, Mihal Grameno, Sami Pojani...janë përjetësuar në fotografitë bardhezi, duke rikrijuar disi atmosferën e pjesëmarrësve në Kongresin e Manastirit, sot qyteti i Bitolës, në Maqedoninë e Veriut.

Shqiptarët e kolonive të Stambollit, Egjiptit, Bostonit, nga Shkodra, Kolonja apo Manastiri janë mbledhur në Tiranë për të rikujtuar rëndësinë e gjuhës, drejtshkrimi i së cilës në epokën e teknologjisë po bëhet gjithnjë e më shumë problematik në këtë 112 vjetor të Kongresit.

Në Kongres morën pjesë 32 delegatë me të drejtë vote, që përfaqësonin 26 qytete o shoqëri të ndryshme shqiptare brenda dhe jashtë atdheut, si dhe 18 delegate të tjerë si pjesëmarrës pa të drejtë vote.

Kongresi i Manastirit u shndërrua kështu në një kuvend të vërtetë mbarëshqiptar, në të cilin morën pjesa gjithsej 50 delegatë nga të gjitha anët e Shqipërisë, nga qytetet e vilajeteve të Manastirit të Kosovës, të Janinës e Shkodrës, si edhe nga shoqëritë shqiptare të Bukureshtit, të Sofjes, të ShBA-s, të Egjiptit, të Italisë, etj.

Kongresi i Manastirit shfaqi edhe njëherë vendosmërinë e  shqiptarëve për te mbrojtur individualitetin e tyre kombëtar, kundër orvatjeve të xhonturqve për t'u imponuar alfabetin arab dhe për t’i identifikuar ata me turqit.

Veprimtarët shqiptarë ranë dakord mbi alfabetin e njehsuar me shkronjat latine, që do të zëvendësonte ata të përdorurit gjer në atë kohë, bazuar në alfabetin turk e grek.

Megjithëse çështja njësimit te alfabetit zuri vendin kryesor në punimet e Kongresit të Manastirit, veta Kongresi nuk ishte një mbledhje thjesht gjuhësore, por edhe një manifesti politik.

At’ Fishta i cili shpjegoi se sido që i dërguar prej shoqërisë Bashkimi, s’ ishte aty thjesht për të mbrojtur abece-në, por për të gjetur një rrugë që çonte në bashkimin e përgjithshëm.

Për herë të parë pas kuvendeve që u mbajtën në periudhën e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) dhe të  Lidhjes së Pejës (1809-1900), u mblodhën në këtë Kongres përfaqësues nga të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe u morën vendime të rëndësishme për çështjen e alfabetit e për ato politike, që ndihmuan për ngritjen  një shkalle mi të larta të kulturës e të  arsimit shqiptar si edhe për bashkimin e tij të mëtejshëm në  luftën për çlirimin kombëtar.

Në kujtimet e saj, të punimeve të Kongresit të Manastirit, të botuara së fundmi nga Arkivi Qendror i Shtetit, Parashqevi Qiriazi shkruante sesi shtimi i nxënësve në shkollën shqipe të vajzave në Korçë, e pamundësuan drejtoreshën e saj, Sevastinë, të merrte pjesë në punimet e Kongresit.

“...ajo ma delegoi mua të drejtën e mandatin për të përfaqësuar shkollën e vajzavet të Korçës në këtë Kongres të Parë Kombëtar, sikundër u quajt atëhere prej shqiptarëvet. Si dihet, iniciativën e mori Kllubi i Manastirit “Bashkimi”, i cili u themelua fill pas Hyrietit, dhe vëllai im Gjergj Qiriazi pati luajtur rolin kryesor. Por puna ime gjatë Kongresit qe efemere...”, shkruante Parashqevia, duke vijuar se puna e saj konkrete dhe me dobi, e frymëzuar prej Kongresit të Parë të Manastirit, ishte “... botimi i abetares sime të hartuar sipas rregullave që vendosi Kongresi vetë. Kjo abetare, e para e llojit të saj, doli pas disa muajve dhe u lajmua prej shtypit kombëtar si një punë e vlefshme”.

Bashkimi Kombëtar,  me 5 të Vjeshtës së Tretë 1909 shkruante: “Kjo libre e vogël me 32 faqe dhe me 18 fytyra është radhitur bukur ...”. Abetarja kushtonte 20 para kopja, por edhe u shpërnda falas për nxënësit e shkollave shqipe të atëhershme.

Në Manastir u hap dhe shtypshkronja, e cila financohej nga një grup tregtarësh atdhetarë myslimanë shqiptarë. Shtypshkronja e Manastirit shpejt u bë e njohur në të gjithë Shqipërinë si shpërndarëse e librave dhe gazetave në gjuhën shqipe.

Shtypi i kohës, në gjuhë shqipe, edhe para njësimit të alfabetit vjen i paraqitur jo vetëm në ekspozitën në Muzeun Historik, por edhe Arkivi Qendror i Shtetit organizoi një  ekspozitë në mjediset e kalasë së Tiranës, që tregonte rrugëtimin e shqipes nga Kongresi i Manastirit tek drejtshkrimi.

...Duke iu rikthyer studimit nga Qendra Kërkimore Pew, opinionet europiane ndryshonin shumë rreth përbërësve kryesorë të identitetit kombëtar, por publiku pajtohej  se gjuha ishte  thelbësore. Ndoshta pikërisht për këtë alfabeti i Naum Veqilharxhit mbahet si një pikë kulmore e Lëvizjes së  Zgjimit Kombëtar, ndonëse revoltat kundër Portës së Lartë kishin nisur një dhjetëvjeçar më herët, më 1830-n.

Ndonëse edhe për amerikanët, kanadezët, australianët apo japonezët gjuha është element i rëndësishëm, në Europë, në vendet e anketuara nga Peë, shënonin një mesatare prej 97%, të cilët mendojnë se aftësia për të folur gjuhën kombëtare është shumë ose disi e rëndësishme.

Nacionalizmi i skajshëm, ai që vitet e fundit duket se po përdoret politikisht nga figura populiste në Europë e jo vetëm, shihet si element i shovinizmit, identiteti kombëtar që në rastin e shqiptarëve u barazua me gjuhën  ishte i rëndësishëm për hapat e mëtejshëm të shtetformimit.

“Një komb mbahet i gjallë po të ketë gjuhë shkrimin e vet, ndryshe humbet shuhet , vdes përjetë, gazeta”, shkruhej në gazetën  “Drita”, më 1908-n.

Për këtë rilindësit ngulmuan tek theksi i gjuhës, deri tek sublimimi i saj në letërsi.

...Përmbî zâ, që lëshon bylbyli, gjuha shqipe m’shungullon, shkruante atë kohë Ndre Mjeda në poezinë “Gjuha shqipe”, duke e përmbyllur me vargjet ..fundë e majë nji âsht’ Shqipnia, e nji gjuhë t’gjith na bashkon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë