Rend dhe Ligj

Mbi 30 të arrestuar, sekuestrime armësh dhe droge në 10 operacione të policisë në një javë

Në 10 operacione, janë arrestuar 34 persona, ku 12 kanë qenë të shpallur në kërkim, nga këta 10 në kërkim kombëtar dhe 2 në kërkim ndërkombëtar.

Në bilancin e sa javor, Policia e Shtetit thotë se përveç personave të prangosur, ka pasur edhe sekuestime armësh zjarri, kanabisi, kokaine dhe parash.

Konkretisht bëhet fjalë për operacionet: “Bratoshi”, “Linza”, “Koordinimi”, “Just in time”, Tabacino”, “Osumi”, "Antenat”, “Blic”, “Kriptofarm” dhe operacioni ndërkombëtar “Astrolabio” i zhvilluar me Italinë dhe Greqinë.

Në kuadër të këtyre operacioneve, janë arrestuar 34 shtetas, nga këta 18 në kuadër të operacionit “Astrolabio” (në rrjetin e trafikut të klandestinëve). Po ashtu janë zbuluar dy laboratorë për prodhimin e kriptomonedhave.

Policia bën me dije se janë sekuestruar 4 armë zjarri, lëndë narkotike kokainë dhe kanabis, municion luftarak, armë të ftohta, shuma parash dhe sende të tjera të kundërligjshme.

“Në fushën e krimeve mjedisore janë evidentuar 34 raste, në fushën e lojërave të fatit janë evidentuar 6 raste, në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, emigrantëve nga vendet e treta që hyjnë ilegalisht në vendin tonë, nëpërmjet kufirit me shtetin grek, janë evidentuar 11 raste, si dhe janë evidentuar 19 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit. Për këto raste janë proceduar dhe arrestuar 73 persona. Janë arrestuar 16 persona, janë proceduar penalisht 2 persona dhe është shpallur në kërkim 1 tjetër, për dhunë në familje.  Gjithashtu, janë arrestuar 6 persona dhe janë proceduar penalisht 4 të tjerë, për kundërshtim të punonjësve të Policisë”, - thuhet në një njoftim për shtyp.

Ndërsa në fushën e krimit ekonomik e financiar janë evidentuar 21 raste në të gjithë vendin, për të cilat janë proceduar e arrestuar 21 persona. Janë zbardhur 16 raste të vjedhjes së pronës dhe janë vënë në pranga 16 autorët e dyshuar të këtyre vjedhjeve.

Janë proceduar e arrestuar 40 drejtues mjetesh, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Është zbardhur një aksident me pasojë dhe është vënë në pranga drejtuesi i mjetit, i cili pasi e aksidentoi 83-vjeçarin, e hodhi në kanal për të humbur gjurmët dhe u largua.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë