Futboll

Maradona politik, populist, socialist dhe njeri i botës së tretë

Populist dhe njeri i botës së tretë. “Zot” dhe “Djall”. Shumë i dashur për drejtuesit e shteteve, por armik për të fuqishmit e FIFA-s. Hero popullor dhe mik i kamorristëve. Lider në një fushë futbolli dhe “i burgosur” i veseve dhe dobësive në jetën private. Një yll televiziv dhe “pre” e përhershme e telekamerave të fshehta. Shkelës i ligjit dhe një njeri shumë bujar.

Të gjitha këto nuk mjaftojnë për të përshkruar figurën komplekse të monstrës së shenjtë të historisë së futbollit botëror Diego Armando Maradona, i cili sot, më 30 tetor 2020, mbush 60 vjeç. Për dikë që ka jetuar një jetë të trazuar, si “El Pibe de Oro”, nuk është e lehtë ta arrijë këtë shifër.

Maradona, kampion bote me Argjentinën në '86-n. Gazeta Si, 30 tetor 2020

Për figurën e Maradonës është shkruar, fotografuar, filmuar dhe treguar shumë. Trupin e tij e kemi parë të rritet, të strukturohet, tonifikohet, dëmtohet, rehabilitohet, fryhet, rëndohet, toksikohet dhe pastrohet shumë e shumë herë. Që i vogël xhonglonte me top para një telekamere, duke ëndërruar të bëhej kampion bote dhe të kalonte mes turmave të njerëzve në stadiume, por jo që të shkonte në shtratin e ndonjë spitali, duke rrezikuar të mos çohej më që aty.

“Nuk ka asnjë shoqëri, ku djalli të mos e bëjë pjesën e vet. Mitet e të gjitha kohërave na e tregojnë këtë me dritëhijet e tyre, me të bardhën dhe të zezën në çdo qenie njerëzore”, - ka thënë Michel Maffesoli. Ndoshta dimensioni politik e bën Maradonën pak më të veçantë. Le ta nisim nga ajo që ndodhi dy vjet më parë në Botërorin e Rusisë.

Ajo pasdite moskovite
Më 16 qershor 2018, në stadiumin “Luxhniki” të Moskës pritet të nisë ndeshja Argjentinë-Islandë, e para në Grupin D. Para vërshëllimës së fillimit të ndeshjes, vëmendjen e medies e merr prania në tribunë e Diego Armando Maradonës. Menjëherë nisin thirrjet “Maradooooo, Maradooooo!” dhe gjithçka tjetër kalon në plan të dytë, nga pritshmëria për Lionel Mesin te debutimi i Islandës.

Maradona duke tymosur një puro në stadiumin "Luzhniki". Gazeta Si, 30 tetor 2020

Shtypi argjentinas fliste në atë kohë për përvjetorin e 40 të botërorit të 78-s dhe uronte që djemtë e Sampaolit të fitonin kupën e tretë të botës. Në 1978-n, kur Argjentina jetonte dramën e diktaturës së gjeneralëve dhe qeverisë së Videlës, organizoi kupën e 11 të botës në futboll. Ylli i Maradonës po ndriçonte me fanellën e kuqe të Argentinos Zhuniors. Diego konsiderohej pasuri kombëtare, por trajneri Menoti e la në shtëpi. Zhgënjimi ishte i madh dhe imazhi i tij publik u bë ai i një futbollisti të papjekur, që prekej kollaj dhe binte në dëshpërim.

Por thirrja nuk vonoi dhe vitin tjetër Maradona udhëhoqi në Japoni kombëtaren U-20, të drejtuar po nga Menoti, në fitimin e kupës. Përjashtimi i tij nga kombëtarja e Kempesit dhe Pasarelës mbetet një episod torturues i karrierës së tij. Në Botërorin e 2010-ës në Afrikën e Jugut, për shembull, kur Diego ishte trajner i Argjentinës, ai po mendonte për atë sezon të mohimit të të drejtave njerëzore.

Një ditë në grumbullimin e kombëtares bën një vizitë Estela De Carlotto, aktiviste e t Diego con Estela De Carlotto drejtave t Diego con Estela De Carlotto njeriut dhe presidente e Abuelas de Plaza de Mayo. Maradona e përqafoi dhe tha: “Të gjithë ne argjentinasit duam të dimë të vërtetën”. Në atë kohë, Federata Argjentinase e Futbollit, në mbrojtje të të drejtave të njeriut, ishte kandidate për çmimin Nobel për paqen. Tetë vite më pas, në debutimin e Argjentinës në botërorin rus, Maradona mbante një fanellë për Argjentinën e 78-ës. Një edicion i mbetur në histori për terrorin e shtetit, por i mbyllur me një sukses që duhet kujtuar.

Maradona dhe Estela De Carlotto, aktiviste e të drejtave të njeriut. Gazeta Si, 30 tetor 2020

Rikthimi në Moskë
Nëse analizohen me kujdes edhe elementët e tjerë të asaj pasditeje në kryeqytetin rus, kupton se sa ato pak orë tifozllëku për kombëtaren e bëjnë atë një njeri me aftësi të jashtëzakonshme komunikuese. Ndeshja e fundit europiane e Diegos me Napolin, - në nëntor të 1990-ës, – luhej pikërisht aty, në stadiumin që mbante emrin e Leninit.

Ishte faza e 1/8-ve të Kupës së Kampionëve dhe muajt e fundit të jetës së Bashkimit Sovjetik, i impenjuar për të festuar përvjetorin e Revolucionit të Tetorit. Napoli i Maradonës luante me Spartakun e Moskës. Fanellën me numrin 10 e mbante Xhanfranko Xola, Maradona ishte në stol. Pak orë para ndeshjes argjentinasi kishte shkuar në Moskë me një avion privat, i veshur me një peliçe.

Pasi kishte eliminuar Italinë me Argjentinën e tij në Botërorin e ’90-s, Diego ishte një nga më të urryerit në Itali dhe raporti i tij me qytetin dhe drejtuesit e Napolit ishte bërë shumë i vështirë. Gjatë muajve të fundit napoletanë mund të përmenden mbrëmja e gjysmëfinales së fituar ndaj Italisë në “San Paolo”, intervista pas ndeshjes me fanellën e Italisë, si dhe përfshirja në hetimin për drogë dhe prostitucion nga Prokuroria.

Imazhi i Maradonës mbetet i shenjtë në Napoli. Gazeta Si, 30 tetor 2020

Jemi larg imazhit të tij të gëzuar, ikonës simbol, ashtu si Masimo Troisi, Pino Daniele, Nino D’Anxhelo. Napoli tenton të heqë pluhurin nga rrënojat e tërmetit të 1980-ës. Jemi përballë një njeriu, i cili sfidon dhe provokon, si në politikën italiane çështja veri-jug. Xhani Mura te “La Repubblica”, më 29 prill 1990 do të shkruante:

“Maradona e bëri më pak të bukur këtë titull në krahasim me të parin. Më pak të bukur për polemikat, dyshimet dhe zënkat. Milani ndihet i vjedhur, Napoli fitues legjitim, koha do ta tregojë, ndërsa “Lega Lombarda” ka marrë rreth 50 mijë vota më shumë, sepse natyrisht çështja e futbollit është zgjeruar dhe ndezur më shumë”. Pak muaj pas humbjes me penallti ndaj Spartak Moskës, për Maradonën shpërtheu çështja e dopingut dhe lamtumira e tij nga Italia ishte e pashmangshme.

Ikonë e botës së tretë
Në stadiumin “Luzhniki” të Moskës, atë pasdite të 16 qershorit 2018, ndalohej pirja e duhanit, por Maradona u kap nga kamerat me një puro kubane. Pas ndeshjes ai kërkoi falje. Lidhja me Fidel Kastron dhe revolucionin kuban, jo vetëm për tatuazhin e Çe Guevarës në krahun e djathtë, janë një pjesë e rëndësishme e biografisë së Diegos dhe është gjithmonë një rast i mirë për t’ia treguar botës. Dhe në fakt, në “Centro Internacional de Salud La Pradera de L’Avana”, Maradona u diagnostikua si përdorues droge në janar të 2000-ës. Fotot në shoqërinë e liderit kuban janë vetëm një pjesë e fotogalerisë së madhe, ku Maradona shfaqet bashkë me udhëheqës politikë latino-amerikanë, nga Evo Morales te Kristina Kirchner, nga Luiz Injacio Lula te Ugo Çavez.

Momentin e popullaritetit më të madh politik Maradona e ka në nëntor të 2005-ës, në Argjentinën e lëvizjeve “no global”. Në qytetin e Mar del Plata organizohej “Cumbre de las Américas”, forumi i katërt i vendeve amerikane dhe mijëra njerëz mashonin drejt stadiumit me thirrje kundër presidentit amerikan George W.Bush, duke “mbytur” projektin Alca, zonën e shkëmbimit të mallrave mes dy amerikave, e kontrolluar nga USA.

Në Mar del Plata vjen edhe Maradona, në shoqërinë e regjisorit Emir Kushturica, i cili po xhironte një film për jetën e tij. Diego mban veshur një fanellë me shkrimin “Stop Bush”, ku në vend të “s”-së është një svastika. Çavez e fton të flasë para turmës. “Argjentina ka dinjitet, ta përzëmë Bushin”, tha Maradona.

Maradona dhe lideri socialist Evo Morales, me një veshje anti-imperialiste. Gazeta Si, 30 tetor 2020

Autobiografia e argjetinasit
Atë pasdite moskovite, ndeshja Argjentinë-Islandë u mbyll 1-1 dhe Mesi humbi një penallti. Janë elementë që e rrisin forcën mediatike dhe karizmën e të përjetshmit “Pibe de oro”. Në ndeshjet e tjera të botërorit, ku Argjentina u eliminua në 1/8-at nga Franca, kampione bote, nuk u fol vetëm për dështimin e radhës nga Mesi me kombëtaren, por edhe pamundësinë e përjetimit nga populli argjentinas të një heroi kombëtar popullor, i aftë për të udhëhequr vendin drejt fitoreje kundër gjithçkaje dhe kundër të gjithëve. Ai moment, kur Maradona pas ndeshjes shkoi të ngushëllonte Mesin e trishtuar, certifikoi diferencën mes dy numrave 10.

Në sagën “Futbol y patria”, sociologu Pablo Alabarces i ka dedikuar një kapitull figurës së Maradonës, duke parë tek ai ikonën publike të patriotizmit të futbollit argjentinas. Një figurë qendrore që e ka epiqendrën në gjysmën e dytë të viteve ‘80, me triumfin e Argjentinës në Botërorin e Meksikës në 1986-ën, dhe sukseset ndërkombëtare që Maradona arriti me Napolin. Martesa e tij në stadiumin “Luna Park” të Buenos Airesit në 1989-s pati një mbulim televiziv të jashtëzakonshëm.

Gardel, Evita dhe Maradona, triniteti popullor në Argjentinë. Gazeta Si, 30 tetor 2020

Është koha kur imazhi i tij merr përmasat e një heroi global, që i dhuron gëzim popullit argjentinas pas viteve të diktaturës dhe luftës së Malvinas, që shpërthen lumturinë në qytetin e Napolit, që fiton statusin e një ylli ndërkombëtar, që shfaqet në ballkonin e Casa Rosada me Kupën e Botës në duar.

“Në pjesën tjetër të jetës, - shton Alabarces, - Maradona është bërë nga industria kulturore si mall dhe ka përfaqësuar një lloj domethënieje boshe, që mbushet nga dikush në një moment të caktuar”. Para se të thuhet fjala e fundit për jetën e tij të jashtëzakoshme, duhet pritur dita kur nuk do të jetë më. Do të jetë vdekja e tij që do t’i japë sensin përfundimtar ekzistencës së tij. Urime për 60-vjetorin Diego! Kush e do futbollin, nuk do të harrojë kurrë.

Burimi: Sportmediaset/ Përgatiti: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë