Mendim

Lule për polakët, kufij të mbyllur për shqiptarët

Këtë të martë zbritën në Rinas 180 polakë që kanë zgjedhur të pushojnë në Shqipëri në një situatë të vështirë për shkak të pandemisë.

Javë më parë mbërritën me një charter edhe turistët nga Bjellorusia që pushuan në Vlorë.

Ky është lajm i mirë për biznesin e dërrmuar të turizmit në vend nga Covid-19 që  ende shpreson se do të rimëkëmbet në javët e mbetura të sezonit, sidomos me ardhjen e pushuesve nga jashtë. 

Por pritja e bjellorusëve dhe polakëve me lule në Aeroport dhe transmetimeve “live” të televizioneve, me prani edhe të  Ministrit të Turizmit në pistë është e pazakontë, në mos edhe butaforike.

Të paktën nuk është parë në vendet fqinje, përshembull Greqi, ku kanë mbërritur disa dhjetëra charter-a me turistë të huaj në ditë. 

Ceremonia për polakët përkoi me ditën kur shqiptarët mësuan zyrtarisht se nuk mund të udhëtojnë edhe për të paktën 14 ditët e ardhshme në vendet e Bashkimit Europian.

Nuk mund të udhëtojmë as për qejf dhe as për hall  për shkak se tejkalojmë standardin që Brukseli ka vënë, numrin e të prekurve nga Covid-19 për 100 mijë banorë.

Gjasat duken që edhe edhe në gusht do të mbetemi të izoluar, për shkak se shifrat e të prekurve nga infeksioni sa vijnë dhe rriten dhe vendimi për ndalimin apo lejimin e udhëtimit në zonën e BE-së është në çdo dy javë.

Ndaj në kushtet kur disa vende europiane i kanë porositur qytetarët e tyre për rrezikun nga koronavirusi në Shqipëri, për mungesën e shërbimeve mjekësore në rast se infektohen dhe karatinën 2 javore që i pret në kthim, duhet që autoritetet të bëjnë çmos që të rrisin testimet. Dhe jo vetëm. Duhet një kontroll rigoroz i autoriteteve shtetërore mbi atë që po ndodh buzë detit, aty ku po i çojmë edhe turistët e huaj, si për masat e marra, nga respektimi i distancës mes çadrave, masat anti-covid nga lokalet e restorantet e deri tek festat pa fre që po zhvillohen në Jug në ambiente edhe të mbyllura.

Edhe për qytetarët nga ana tjetër kërkohet  ndërgjegjësim më i madh pasi virusin do ta kemi mes nesh për një kohë të gjatë. 

Një përmirësim i situatës me të dhëna do të bëjë që Shqipëria t’i largohet listës së  zezë së BE-së. Padyshim ky rezultat do të sjellë më shumë turistë të huaj në vend e më shumë emigrantë, që me të ardhurat e  tyre do t’i bëjnë mirë eknomisë. Aq shumë do të jenë sa  qeveria nuk do të ketë ku t’i gjejë aq shumë lule sa ti pres të gjithë.

Nga ana tjetër rivendosja e lëvizjes pa kufizime do të nxiste shqiptarët jo vetëm për pushime, por për të riaktivizuar planet e tyre të shkollimit, biznesit apo dhe shëndetit. Por edhe sikur mos të jetë asnjë nga këto arsye, në fund të fundit  shqiptarët nuk duhet të mbeten të izoluar dhe të kenë vetëm mundësinë e daljes jashtë shtetit në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Turqi, si në kohën e para heqjes së vizave me zonën Shengen, sepse lëvizja e lirë është një aspiratë  e fituar me shumë mund, të cilën nuk duhet ta humasim për asnjë rrethanë dhe për asnjë konjukturë sepse vetëm kosto krijon.

Sot të vetmit shqiptarë “me fat” janë atë që në këtë situatë kanë një nënshtetësi europiane, apo një green card amerikan për të bërë tranzit në vendet e BE-së dhe ky është një diskriminim për gjithë shqiptarët e tjerë që duhet të paguajnë koston e qeverisjes së  pandemisë në vendin e tyre e madje të shtiren të qeshur kur shikojnë me lule ca pushues nga lindja si “dallëndyshet” e rilindjes ekonomike.

Me fat edhe ata të paktë turistë, që vijnë nga vendet e largëta të BE-së e që priten në Rinas si në një ceremoni zyrtare që veçse në Shqipëri mund të ndodhë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë