Mendim

Maska duhet mbajtur sa del nga shtëpia

Ministrja e Shëndetësisë njoftoi sot se mbajtja e maskave në hapësirat e mbyllura do të ishte e detyrueshme, duke iu bashkuar pjesërisht një sërë vendeve europiane dhe rajonale në këtë masë parandaluese. Sipas vendimit të qeverisë, maska do të jetë e detyrueshme në të gjitha ambientet si zyrat, institucionet, baret, hotelet, apo madje edhe shkalla dhe ashensorët.

Kjo lëvizje e qeverisë shqiptare, e kërkuar prej kohësh nga ekspertët, vjen pasi një sërë vendesh si Kosova, Franca, Britania, apo Italia, urdhëruan po ashtu mbajtjen e detyrueshme të maskave, por ka një ndryshim në vendimin e qeverisë shqiptare me ato të disa vendeve të tjera europiane: maska atje duhet mbajtur edhe në rrugë.

Italia, Franca dhe vendet e tjera janë duke debatuar prej javësh nëse njerëzit duhet të mbajnë maska sa herë që dalin jashtë dhe jo vetëm në një hapësirë të mbyllur. Pas këshillimit me epidemiologët, qeveria italiane u detyrua të hënën të ndryshonte vendimin e saj, duke theksuar se maska për fytyrën duhet të mbahen edhe në rrugë, sidomos në rastet kur është e vështirë të ruash distancën nga të tjerët.

Përveç mbajtjes në ambiente të mbyllura, edhe Franca këshilloi së fundmi mbulimin e gojës dhe hundës në hapësirat publike, si sheshet, rrugët, apo kafenetë tipike franceze që shtrihen në bulevarde.

Ekspertët thonë se të qenit në një hapësirë të mbyllur, rrit mundësinë për t’u infektuar nga Covid-19 nëse keni pranë një qytetar të prekur, por kjo nuk do të thotë se të qenit në rrugë apo shesh, bën të jeni të mbrojtur. Shqetësimet janë rritur pas alarmit të një sërë studiuesve se koronavirusi i ri përhapet edhe nga ajri. Kjo detyroi shumë vende të vendosin mbajtjen e maskave brenda një kohe të shkurtër.

Ashtu si Shqipëria, edhe Kosova urdhëroi fillimisht vendosjen e maskave vetëm në hapësirat e mbyllura, por me shtimin e rasteve, u detyrua të forcojë këtë vendim, duke urdhëruar mbajtjen e tyre sapo qytetarët të dalin nga shtëpia. Në rrugët e Prishtinës, pothuajse të gjithë qytetarët janë parë me maska, ashtu si edhe në rrugët e Shkupit, pasi qeveria e Maqedoninë së Veriut ka urdhëruar po ashtu mbajtjen e tyre pas daljes nga shtëpia.

Sipas vendimit aktual të qeverisë, ju ligjërisht keni të drejtë të qëndroni në radhë përpara një institucioni pa e vendosur maskën, duke qenë se jeni në ambient të hapur, por jeni të detyruar ta vendosni sapo të hyni brenda. Ato minuta në radhë, me dhjetëra persona të tjerë, pa maskë, janë po aq të rrezikshme sa hyrja në një ambient të mbyllur pa mbuluar gojën dhe hundën.

Duke parë shembujt nga dy vendet fqinje, por edhe ato europiane, mendja të shkon se ndoshta edhe qeveria shqiptare do ta fuqizojë më vonë këtë vendim duke i bërë maskat të detyrueshme edhe në rrugë. Pyetja është: Përse mos ta bëjë që tani?


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë