Njerez

Lufta e Kosovës- Kur flasin të përdhunuarat

Suadela  Balliu -  Gati e mbarova, shkruante  mbi  një  foto në  faqen e saj të Facebook-ut,  Vasfije Krasniqi-Goodman, ku shfaqej kopertina e një libri, titulluar “Unë, e përdhunuara”.  Vasfije Krasniqi, Buqja siç e thërrasin  të  afërmit, është një nga viktimat e dhunës seksuale gjatë  luftës  së  Kosovës,  ndërsa pak  kohë më parë, në një  intervistë televizive ajo bëri publik  rastin e  saj  të  përdhunimit  nga  dy  ushtarë serbë...Historia  në  librin, që e  mbijetuara e  kishte  marrë  me vete  në  Shtetet e  Bashkuara  të  Amerikës,  ku  jeton  prej  shumë  vitesh, nuk  ishte i saji.  Është  historia  e  një  nëne,  të  përdhunuar së  bashku  me  dy  vajzat e  saj  të  mitura,  rrëfen autorja,  ndërsa  shton  se  ka përfshirë gjithashtu edhe  historinë  e pesë  apo  gjashtë  grave  të  tjera, të përdhunuara në kohën e luftës. 

“Më  shumë  ka  të  bëjë  me  luftën  e  tyre  të  brendshme  për  të  dalë  nga  vorbulla në  të  cilën  ishin  futur  pas  përjetimeve të  dhimbshme  në  luftë”,  rrëfen Ramize  Murtezi-  Shala, autorja  e  librit dhe  gazetarja që gjithashtu  intervistoi Vasfije  Krasniqin  në  Prishtinë.    “Është  e  vërtetë  që  unë  e  kam  intervistuar Vasfije  Krasniqi  -Goodman, por  në  këtë  rast  kam  qenë  e  përfshirë  vetëm  si  gazetare. Me Vasfijen  tashmë kam  raport  shumë  të  mirë,  mirëpo  me  të  jam  njoftuar  vetëm  dy  ditë  para  intervistës. Intervista  është  realizuar në  19  vjetorin e  Qendrës  Kosovare për  të  mbijetuarit e  torturës, që udhëhiqet nga  zonja  Feride Rushiti.”

Vasfije Krasniqi Goodman dhe Ramize Murtezi-Shala

Rastisi  që  libri  i  saj  të  botohet  thuajse në  të  njëjtën kohë  me  intervistën publike  të  Vasfijes, por  siç  sqaron më  tej  autorja, rasti  i  saj  nuk  është  përfshirë  në  libër.  Megjithëse  ka  kaluar  gati  një  muaj  nga  intervista e  Vasfijes  ende  vazhdon  të  diskutohet  për  të,  thotë  gazetarja  nga  Kosova  e  duket  se  ky  rast  ka  bërë  që  shumë  të  tjera, viktima  të  dhunës seksuale  si  Vasfije Krasniqi,  ta  mendojnë daljen  publike  për  të  rrëfyer vuajtjet  gjatë  luftës. “U  desh  të  kalojnë  gati  20  vjet  për  të  dalë  publikisht një  grua  dhe  për  të  treguar  pa  e  mbuluar fytyrën  dhe  ndryshuar zërin.  Sigurisht  që  kësaj  kohe  i  ka  paraprirë  një  periudhë  e  paragjykimit  dhe  stigmës  ndaj  kësaj  kategorie. Por,  pozitivja  në  tërë  këtë,  sa  do  që  është  kohë  e  gjatë  pas  përfundimit  të  luftës,  që  më  në  fund  dikush e  theu  akullin dhe  inkurajoi  edhe  të  tjerat që  të  paktën të  mendojnë  në  këtë  drejtim.” ,  thotë  Murtezi-Shala. Sapo  i  kishte  bërë  të  gjashtëmbëdhjetat  Buqja, kur  një ditë prilli  në  vitin  e  tmerrshëm 1999,  nga  oborri i  shtëpisë  dëgjon të  trokasë  porta. Ishin  njerëz  me  uniformën  e  policisë  që  kërkonin dhunshëm të  hynin  brenda.  

U  dasht  me  e  çelë.  Nuk    dinim  a  hynë  me  na  vra  apo  me  bastisë  ...Kërkuan letërnjoftimet,  hyna  në  dhomë  t’i  merrja  dhe  ai  erdh’  pas  meje  dhe  ia  dhashë  letërnjoftimet,  ai  e  këqyri letërnjoftimi  ne  nënës, kur  e  kqyri  timin  e  mbajti  në  dorë  dhe  tha  se  kjo  duhet  me  ardhë  në  Përllozhë me  dhenë deklaratën te  komandanti  i  policisë, te  Dajani,  në  stacion  të  policisë.    Nana i  tha  mos  ma  merr  çikën, por  m’merr mu’.  Jo  tha  se  kjo  është  fëmijë dhe  nuk  di  me  rrejt.

Vasfije Krasniqi Goodman

Nuk  mbërritën kurrë  në  rajonin e  policisë,  por  makima  mori  në  drejtim të  Prishtinës.  U  kthy’  e  me  një  sokak, ishte  një  shtyp  ie  pabanuar, dy  katëshe.  E  ndali  kerrin, m’detyroi  me  dal’,  kishte  kallamboq  në  shtëpi  dhe  më  gjujti,   nia  me  kja  e  me    bërtit.  Pasi  e  detyroi  në  hipte  në  makinë,  aty  e  përdhunoi. Unë    doja vetëm  me  m’vra. Jo  tha,  se  kështu  vuan  më  shumë. E  ktheu  prapë  makinën në  Babimovc,  mu’  m’la  në  makinë.  Pastaj erdhi  tjetri,  nuk  ishte  me  uniformë,  ishte  me  rroba  civile,  më  hoqi  nga  makina  dhe  më  çoi  në  nji  shtëpi  tjetër,  afër  shitores dhe  bani  të  njëjtën  punë.  E  kërcënuan të  mos  tregonte e  megjithë  heshtjen e  saj,  familja e  kishte  marrë  me  mend  se  ç’kishte ndodhur.  Pa  ndihmë, bashkë  me  familjen u  strehua  në  male,  pa  ndihmë  mjekësore, pa  barna. 

Më  2010-ën isha  në  Gjermani tek  vëllai  dhe  po  kthehesha në  Kosovë  dhe  kalova  nga  Serbia.  Ishte  hera  e  parë  që  kaloja  nga  Serbia.  Pas  denoncimit në  policinë  e  Kosovës  dhe  tek  forcat e  Eulexit,  Buqja  ka  rrëfyer se  është  pritur ftohtë.  Pasi  familjarët e  përsëritën  sërish procedurën  më  2010-ën. Më  2012-ën,  dy  personat  u  arrestuan.  Më  2013-ën,  nisi  procesi  gjyqësor. Gjyqi  i  Mitrovicës i  gjykoi  të  pafajshëm,  ndërsa gjyqi  i  dytë,  me  po  të  njëjtat prova  i  dënoi  me  12  dhe  10  vjet  burg.  Një  gjyq  i  tretë  i  liroi...Kam  dashur të  dorëzohem  shumë  herë,  por  kam  mbrojtjen e  familjes,  burrit, të  vajzave.  Boll  me  19  vjet  në  heshtje...  Kështu  Buqja  u    bë  kështu    zëri i  20  mijë  të  dhunuarve seksualisht  në  luftën e  Kosovës. 

“U  desh  të  kalojnë gati  20  vjet  për  të  dalë  publikisht një  grua  dhe  për  të  treguar  pa  e  mbuluar fytyrën  dhe  ndryshuar zërin.  Sigurisht  që  kësaj  kohe  i  ka  paraprirë  një  periudhë  e  paragjykimit  dhe  stigmës  ndaj  kësaj  kategorie. Por,  pozitivja  në  tërë  këtë,  sa  do  që  është  kohë  e  gjatë  pas  përfundimit  të  luftës,  që  më  në  fund  dikush e  theu  akullin dhe  inkurajoi  edhe  të  tjerat që  të  paktën të  mëndojnë  në  këtë  drejtim”, rrëfen  gazetarja  Murtezi-Shala,  ndërsa thotë  se  së  shpejti  do  ta  përurojë librin  e  saj,  në  Kosovë. Por  viktimat e  dhunës  seksuale në  Kosovë  gjatë  luftës  nuk  kanë  qenë  vetëm  vajzat dhe  gratë.  “Ka  pasur  edhe  burra  të  përdhunuar e edhe  fëmijë. Intervista  e  Vasfijes ka  kontribuar  tepër  shumë  në  ngritjen  sa  do  pak  të  moralit të  këtyre  viktimave të  cilët  për  këtë  periudhë të  pas  luftës më  shumë  se  gjithcka kanë kërkuar  drejtësi,  por  që  deri  më  sot  nuk  e  kanë  arritur. Rezultatet  e  daljes publike  të  Vasfijes janë  parë  menjëherë me  reagimin  dhe  bujën  që  pati  kjo  intervistë  në  vend  rajon  dhe  në  Botë,  ku  shumica  e  televizioneve  edhe  ndërkombëtare  e  kishin  kërkuar për  transmetim  intervistën e  saj”,  thotë  Murtezi-Shala.

Krasniqi  ka  bërë  të  ditur  se  në  dhjetor do  të  jetë  në  Hagë,  e  ftuar  nga  nobelisti i  paqes  Denis  Mukwege,  ku  më  gra  të  tjera, nga  16  shtete, do  të  rrëfejë historinë  e  saj.  “Me  publikimin e  intervistës  së  Vasfijes  dhe  reagimin  pozitiv të  gjithë  shoqërisë mendoj  se  ndryshon edhe  përceptimi  ose  paragjykimi  që  dikush  mund  të  ketë  pasur  për  këtë  kategori. Të  gjithë  kemi  pritur  se  do  të  kishte  reagime, por  se  do  të  reagonte shoqëria  e  tërë  në  mënyrën më  positive  të  mundshme,  duke  e  inkurajuar atë  dhe  të  gjithë  të  tjerët  të  denoncojnë  gjithë atë  që  ata  ose  ato  kanë  përjetuar në  luftën  e  Kosovës,  për  mua  ka  qenë  dicka  e  re  dhe  më  ka  gëzuar shumë.  Kjo  është  një  shenjë që  shoqëria  jonë  është  e  arsyeshme  dhe  mbështetëse  në  rastet  kur  duhet  të  jetë.  Prandaj, mendoj  se  paragjykimi më  shumë  vien  nga  frika  jonë  nëse  do  të  na  paragjykojnë të  tjerët  se  që  në  të  vërtetë shoqëria  paragjykon”.

Popullsia e dëbuar shqiptare gjatë kohës së luftës në Kosovë. 

Ambasadorja  e  Kosovës  në  Shtetet  e  Bashkuara  të  Amerikës,  Vlora  Çitaku,  duke  folur  në  seancën  për  Kosovën  në  Këshillin  e  Sigurimit  të  OKB-së,  e  quajti  Vasfije Krasniqi-Goodman  një  grua  trime. "Ishte  16  vjeç  kur  u  përdhunua. Nuk  e  vranë, duke  i  thënë  “Se  kështu do  t’vuash  më  shumë.”  Pak  e  dinin  se  do  të  rritej për  t’u  bërë  një  grua  e  jashtëzakonshme,  nënë  e  dy    bijave  të  bukura  dhe  afro  dy  dekada  më  vonë  kthehet më  e  fortë  se  kurrë. Më  trime  se  kurrë.  Për  të  na  mësuar  ne  të  gjthëve një  mësim  drejtësie. Një  drejtësi  që  dikur  asaj  iu  mohua. Një  mësim  qëndrese. Për  të  mos  u  dorëzuar kurrë.  Pavarësisht  përpjekjeve për  ta  kthyer në  të  tillë, Vasfija  nuk  është  viktimë.  Ajo  është  heroinë. Dhe  heroinat  si  ajo  e  bëjnë  vendin tim",  do të thoshte ambasadorja Çitaku. 

“Më  në  fund  institucionet shtetërore  kanë  filluar të  lëvizin  në  këtë  drejtim. Është  formuar  komisioni për  verifikimin  dhe  dhënien  e  statusit  të  viktimës  civile të  luftës,  por  që  ky  proces  po  shkon  tepër  ngadalë.  Në  vendin  tonë  sfida  kryesore  mbetet  drejtësia  për  këtë  kategori”, zbulon  autorja  e  librit  “Unë  e  përdhunuara”. Në  librin e saj  të  parë,  Murtezi-Shala sjell dhimbjen  e  një  nëne  kosovare  të  përdhunuar  bashkë me  dy  vajzat e  saj  të  mitura.  Përpëlitjet e  saj  për  19  vjet  pas  clirimit të  vendit.  “Unë  punoj  edhe  si  gazetare në  televizionin  publik dhe  vazhdimisht  kam  publikuar  rrëfime të  grave dhe  burrave  të  përdhunuar  gjatë  luftës.”

Deri  më  tani,  përpara rastit  të  Vasfije Krasniqi-Goodman,  e  cila  është  shtetase amerikane  –  rrëfimet e  viktimave  të  dhunës  seksuale gjatë  luftës  ishin   transmetuar  me  fytyrë të  mbuluar  dhe  zë  të  ndryshuar.  “Rrëfimi i  zonjës  të  cilën  e  kam  edhe  personazh  kryesor në  libër  më  ka  prekur shumë  dhe  nuk  dija  se  cila  do  të  ishte  forma  që  të  bëj  dicka  më  shumë  për  të.” Historinë  e  saj  do  ta  lexojnë edhe  shumë  njerëz në  gjuhë  të  tjera  shpreson gazetara.   “Historia  e  saj  nuk  do  të  mbetet  histori që  sillet  vetën  në  kokën  e  saj,  por për  të  do  të  lexojnë shumë  njerëz  në  botë.  Për  mua  kjo  ka  rëndësi.”

Gazetarja Murtezi-Shala dhe Vasfije Krasniqi Goodman

Nga  të  dhënat  nga  20  mijë  viktima  të  dhunës  seksuale gjatë  kohës  së  luftës,  janë  bërë  778  aplikime  për  t’u  njohur ligjërisht  me  statusin e  viktimës  së  luftës e  për  të  përfituar  një  pension  nga  shteti.  Një  proces  që  ecën  ngadalë dhe  ku  pas  20  vitesh, verifikimi  bëhet  edhe  më    i  vështirë.  Edhe  nga  më  pak  se  800  aplikime, vetëm  143  janë  pranuar,  të  tjerat  janë  refuzuar  ndërsa 530  presin  të  shqyrtohen.  20  mijë  viktima  në  Kosovë, 44 mijë  në  Bosnjë dhe 7  mijë  viktima  në  Kroaci. Përdhunimet janë përdorur  si  armë  lufte, duke  lënë  pasoja të  rënda  në  këto  shoqëri, ku  viktimat  e  kësaj  dhune  vijojnë  të  diskriminohen  edhe  nga  vetë  shoqëria,  ku  shumë  të  dhunuara  janë  gjendur  jashtë shtëpive,  të  përzëna nga  familjet  apo  të  divorcuar nga  bashkëshortët.  “Nuk  do  të  thotë   se  nuk  je  burrë  nëse  mban  një  grua  që  është  dhunuar”, do  të  thoshte një  prej  vëllezërve të  Vasfijes,  ndërsa bënte  apel  për  bashkqytetarët  kosovarë t’i  braktisnin  dogmat dhe  paragjykimet  “e  me  përkrah motrat  tona”.   Nuk duhet  me  humb  shpresat  e  jetës,  i  inkurajonte  në  fund  të  rrëfimit,  Vasfija viktimat  si  ajo.  “Historia  duhet  me  u  fol  dhe  nuk  është  vonë  me  marrë  drejtësi". Por çlirimi i  brendshëm  nga  kjo  barrë  që  rëndon në  psiken  e  tyre  prej  dy  dekadash, sapo  ka  nisur  dhe  ka  ende  shumë  punë  që  viktimat  të  gjejnë  drejtësinë e  munguar.  Edhe  gazetarja  Murtezi-Shala,  është  e  bindur se  ky  libër  i  parë  i  saj,  nuk  do  të  jetë  i  fundit. Ka  ende  shumë  për  t’u  folur  e  shkruar. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë