Njerez

‘Lufta’ e dy grave / Shqiptarja dhe turkja që s’marrin dot nënshtetësinë greke edhe pse me ligjin s’kanë probleme

Pengesat burokratike me të cilat përballen dy gra, një turke dhe një shqiptare, të cilat ëndërrojnë të marrin nënshtetësinë greke.

Dora Hisko mësoi ta donte Greqinë me kalimin e kohës. Ajo shkoi nga Shqipëria në vitin 2001, në moshën 18-vjeçare, për të kaluar një verë me vëllain e saj që jetonte atje, ndërsa prindërit e tyre vizituan motrën e saj në Gjermani. Ndryshe nga vëllezërit dhe motra, ajo nuk i kishte kaluar vitet e vështira pas vdekjes së Enver Hoxhës. Ajo synonte të kthehej në Tiranë për të studiuar por ra në dashuri me bashkëshortin e saj tashmë, po ashtu nga Shqipëria, dhe vendosën të jetonin në Athinë.

Hisko filloi të mësonte greqisht nga këngët, sidomos ato të trishtuarat të këngëtarit të njohur Giannis Ploutarhos dhe nga televizori. Ajo i shënonte fjalët dhe i kërkonte në një fjalor.

Kur bashkë me të dashurin e saj vendosën të krijonin familje, ajo filloi mësimet intensive të greqishtes pasi donte t’i ndihmonte fëmijët e saj kur të shkonin në shkollë. Në të njëjtën kohë, ajo punonte shumë, fillimisht si shitësi në një furrë buke e pastaj si kamariere. Vitet e fundit ajo ka zgjedhur të punojë më pak orë në mënyrë që të jetë më shumë në shtëpi, pranë vajzës së saj. “Teresa sot është 14 vjeç, një nxënëse e shkëlqyer. Ajo ka qenë tre herë flamurtare në paradë”, thotë Hisko me krenari, duke iu referuar traditës së përzgjedhjes së nxënësit më të mirë në çdo klasë për të mbajtur flamurin grek në paradat e mbajtura në dy festat kombëtare të vendit.

Dora Hisko, shqiptarja që jeton në Greqi prej vitesh e cila për shkak të burokracive, nuk mundet të marrë nënshtetësinë greke.

Nga ana tjetër, Lale Alatli nga Turqia ra në dashuri me Greqinë përmes muzikës greke. Ajo dëgjonte këngë greke me shokët e saj ndërsa studionin në Itali. Ajo kopjonte CD dhe kaseta dhe duke studiuar tekstet filloi të mësonte greqisht. Por në Turqi nuk mund të gjente asgjë greke në atë kohë. “Ishte sikur të kishte një mur të padukshëm mes dy vendeve”, kujton ajo. Në vitin 1999 ajo u kthye në Stamboll me dy libra që i kishte bërë vetë, përkthyer nga italishtja në greqisht, të cilët i lexonte çdo ditë me orë të tëra.

Prindërit e saj, edhe pse mendjehapur, ishin të shqetësuar.

"Çfarë do të bësh në Greqi moj vajzë?" ishte pyetja që ajo e dëgjonte çdo ditë.

Por ajo kishte vizituar Selanikun për pushime dhe tashmë kishte shumë informacione për vendin. “Në fillim më tërhoqi gjuha dhe muzika. Më pas më pëlqyen edhe natyra, deti dhe kryesisht njerëzit. Kishin elementet e mira të turqve, ngrohtësinë, por ishin më të qytetëruar. Këtu jam ndjerë më shumë vetvetja”, thotë ajo.

Në vitin 2010 ajo u transferua në Selanik. Ajo vazhdoi të bënte përkthime që i dërgoheshin nga Turqia, por me druajtje kishte filluar të ofronte mësime private për nxënësit. Fillimisht ajo kishte vetëm dy nxënës, por për të, ishte një fillim i mirë. Kur nisën të transmetoheshin serialet turke në Greqi, ajo u bë një person shumë i kërkuar.

Sot ajo kryesisht bën përkthime dhe shkruan poezi në të dyja gjuhët.

Të dyja këto gra, Dora nga Shqipëria dhe Lale nga Turqia, njëra me banim në Selanik dhe tjetra në Athinë, me siguri nuk do ishin takuar kurrë nëse nuk do kishin pasur të njëjtin problem.

Muajt e fundit ato kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm bashkë dhe ajo që i ka bashkuar është dëshira e tyre për t’u bërë shtetase greke dhe në veçanti pengesat që u ka vendosur shteti grek.

Të dyja dorëzuan dokumentet për nënshtetësinë në vitin 2017. Arsyeja kryesore ishte se ato mendonin se tani Greqia është shtëpia e tyre, vendi i tyre.

“Ndihem sikur i përkas këtij vendi. Sidomos duke qenë se vij nga një vend që mund të më anulojë pasaportën në çdo moment, nuk dua të jetoj me ankthin se çfarë mund të ndodhë nëse diçka nuk shkon mirë mes Greqisë dhe Turqisë”, shpjegon Lale.

Ndërsa Dora donte nënshtetësinë greke sepse shumë herë ndjente se e trajtonin ndryshe kur tregonte pasaportën shqiptare. E njëjta gjë po ndodh edhe me vajzën e saj, e cila ka lindur në Greqi.

Të dyja gratë kishin siguruar të gjitha dokumentet e nevojshme mbështetëse. I plotësonin të gjitha kushtet. Ato e dinin, sigurisht, se procesi do të zgjaste disa vite.

Kur Lale pyeti autoritetet se kur mund të priste një përgjigje, asaj iu tha se kishte një komitet vullnetar që mblidhej dy herë në vit dhe se në atë kohë (në 2017) ata ende po shikonin aplikimet nga viti 2010. Gjatë rrugës, sistemi ndryshoi dhe kërkoi që kandidatët të kalonin edhe provimet.

Lale, e cila ndërkohë kishte marrë një diplomë nga një universitet grek, ishte e shqetësuar.

“Isha e shqetësuar për pyetjet. Mund të di gjithçka për muzikën apo poezinë, por nuk di asgjë për rolet e aktores së famshme Aliki Vougiouklaki apo se në cilën ditë gatuhet fanouropita (tortë tradicionale)”, thotë ajo duke qeshur.

Ndërsa Dora kthehej nga puna dhe, pasi kujdesej për vajzën dhe shtëpinë, ulej e lexonte. Provimin e ka kaluar me 98% përgjigje të sakta. Por në fund edhe kjo nuk mjaftoi. Në mars 2022, ato të dyja mësuan se ishin refuzuar.

Kur Dora e mori vesh, ajo u trondit duke e ditur se ka pasur në rregull të gjithë dokumentacionin mbështetës dhe ka shkuar vetë në ministri duke kërkuar shpjegime. Ajo nuk kishte punësuar një avokat sepse mendonte se kishte gjithçka që i duhej dhe tashmë kostoja e tarifave për aplikimin (750 euro) e kishte sforcuar financiarisht.

Pyetjeve të saj të vazhdueshme, iu kundërpërgjigj një punonjës me një pyetje që e la pa fjalë: Pse do me çdo kusht të bëhesh greke?”

Lale, pasi kishte punuar si përkthyese për organizatat për të drejtat e njeriut, kishte akses te avokatët e OJQ-ve, të cilët i shpjeguan asaj se çfarë kishte ndodhur.

Në vitin 2020, Ministria e Brendshme u përpoq të fuste kriteret e “përfshirjes ekonomike” në ligjin e shtetësisë. Kriteret u hodhën poshtë në Parlament por u rifutën në fuqi një vit më vonë si vendim ministror.

Vendimi i ri u kërkon kandidatëve të vërtetojnë se për pesë vjet para paraqitjes së aplikimit, ata kishin të ardhura vjetore prej 6500 euro ose më shumë. Në teori, Lale nuk do të kishte problem me këtë kufizim. Ajo kishte shitur apartamentin e saj në Turqi dhe kishte transferuar 300 mijë euro në një llogari bankare greke. Me këto para ajo bënte një jetë normale, madje kishte nisur të ndërtonte shtëpinë e saj në Selanik. Vendimi, megjithatë, kishte edhe një kufizim tjetër: të ardhurat duhet të vinin ekskluzivisht nga aktiviteti i biznesit në Greqi.

Kur Lale shkoi për herë të parë në Greqi, ajo drejtonte një kompani turke. Në vitin 2016 e mbylli dhe hapi një kompani greke, ndaj nuk mundi të tregonte të ardhurat e kërkuara për të pesë vitet. “Ndjeva një zhgënjim të madh. Dukej sikur dikush po përpiqej që në fillim të vinte pengesa dhe si përfundim ia doli. Ndjehem si e huaj. Kam menduar të largohem por ku mund të shkoj, kjo është shtëpia ime”, thotë ajo.

Ajo e apeloi vendimin, por ankesa e saj u refuzua brenda gjashtë ditëve. Sa më shumë avokatë e studionin çështjen e saj, aq më shumë këmbëngulnin që ajo të merrte masa ligjore. Ata i shpjeguan asaj se është e paligjshme dhe antikushtetuese që ky vendim të zbatohet.

Ajo filloi të mendonte për opsionet e saj, por nuk e dinte nëse mund ta përballonte procedurën psikologjikisht, derisa një ditë njohu Dorën në Facebook.

Dy gratë ndanë historitë e tyre, fillimisht përmes mesazheve dhe më pas përmes telefonit. Ato të dyja ishin refuzuar për të njëjtën arsye, por Dora nuk po mendonte të merrte masa ligjore, as kur avokatët e Lales i ofruan ta merrnin çështjen.

“Unë marr 450 euro në muaj. Nuk kam mundësi të lë mënjanë 50 euro në muaj për një vit për të mbuluar kostot e një gjyqi”, shpjegon ajo.

Në fillim të marsit, Lale doli përpara Gjykatës Administrative të Apelit të Selanikut për të paraqitur çështjen e saj kundër refuzimit të kërkesës së saj. Ishin dhjetëra organizata në të cilat ajo ishte anëtare ose kishte mbështetur prej vitesh, të cilat shprehën mbështetjen e tyre, nga organizatat bamirëse të kafshëve, spitalet dhe jetimoret, te grupet mjedisore me të cilat ajo pastronte qytetin dhe plazhet, dhe nga fqinjët e saj, të gjithë i kishin dërguar letra mbështetjeje.

“Thonë se zakonisht dëgjon gjëra të mira për dikë pasi ai vdes. Unë pata fatin t'i dëgjoja sa isha ende gjallë”, thotë ajo duke qeshur.

“Unë kisha mundësi financiare ta ndiqja këtë çështje kështu që ndjehem sikur po e luftoj këtë vendim për të gjithë njerëzit që nuk kanë mundur të bëhen shtetas grek vetëm prej pamundësisë ekonomike. Siç më tha Dora, nëse e fitoj, do të jetë sikur kanë fituar të gjithë”.

Vendimi i gjykatës do të jepet pas disa muajsh. Lale vazhdon jetën e saj në Greqi dhe së fundmi është vendosur në shtëpinë e re që ka ndërtuar dhe po përpiqet të kuptojë se çfarë është Greqia për të.

“Dua të harroj refuzimin dhe ndjenjën që më shkaktoi dhe të fokusohem në mbështetjen që kisha”, përfundon ajo.

Burimi: Kathimerini. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë