Njerez

Loreta, vajza e “999 fytyrave”

Loreta është një vajzë në dukje e egër, por me synime të qarta. Teksa vjen përballë me “her bike” siç e quan ajo, duket qartë se është një tip shumë moskokëçarëse. E veshur thjesht, me një xhaketë dhe xhins, një palë syze rrumbullake dhe me kaçurrela të çrregullta, duket sikur është gati për të bërë fotografitë e radhës.
Loreta në profesion është fotoreportere dhe gjatë gjithë kohës është në terren për të qenë dëshmitare e ngjarjeve të ndryshme, por gjatë vitit të fundit ajo ka ndërmarrë edhe një projekt që synon të dëshmojë - thotë ajo - identitetin shqiptar. E ulur në një kafene, duke pritur telefonatën e radhës për fotografi, Loreta më tregon se ideja e projektit të saj është që të sjellë ndryshimin e shoqërisë nëpërmjet portreteve.
“Po të shikosh tek rinia, ka një divesitet, mënyra se si e shprehin veten, mënyrën e perceptimit. Edhe problematikat rëndojnë në portretin tonë. Për shembull, je pa punë dhe automatikisht je i trishtuar dhe i mërzitur dhe normalisht kjo reflektohet në portret,” tregon Loreta.

Kjo vajzë në dukje e shkujdesur ka menduar çdo detaj për projektin e saj dhe tregon se qëllimi i saj është të realizojë një “dëshmi të identiteteve shqiptare se si kanë ndryshuar dhe do të ndryshojnë me kalimin e kohës”.
Loreta tregon se çdo fotograf mund të fotografojë në forma të ndryshme dhe mund ta sjellë Shqipërinë në forma të ndryshme, por ka menduar se me anë të portretit është më e dukshme gjendja e një vendi. Ndërkohë duke folur më së shumti me gjeste, fotoreporterja rrëfen se ndoshta nuk do të tregojë të gjithë Shqipërinë, por do të sigurojë një qoshkë historike që më pas njerëzit në të ardhmen ta përdorin si një hartë demografike dhe kështu do të dallohet tranzicioni ndër vite.


Kur e pyeta se përse numri “999”, duke qeshur Loreta më tregoi se të gjithë ja bëjnë këtë pyetje dhe ka të bëjë me preferencat e saj për numrat tek dhe është diçka që njerëzit i gërric në aspektin psikologjik, për të thënë se “unë dua të jem portreti i 1000?”
“Si çdo artist tjetër gjithçka nis nga faktorë të jashtëm dhe personale, që ndikohesh dhe gjithmonë duke punuar nuk mendoja se do realizoja kaq shumë portrete, po rrugës pash se të gjithë donin të ishin pjesë e diçkaje, donin të përfshiheshin diku, donin që t’i përkisnin diçkaje. Filluan të më kontaktonin njerëz nga rrjetet e mia sociale nga grupmosha të ndryshme dhe pastaj kur nisën të realizoheshin shumë foto çdo gjë mori rrjedhën e vetë. Dhe mendova 999 portretizime shqiptare përpos që unë do fotografoj është edhe biseda që krijoj me ta, është edhe ura e besimit që të të japi portretin dhe në fillim fare isha që “nëse arrij 100 portrete ok”, por më pas vijova dhe më shumë,” tregon Loreta shumë e entuziazmuar.

Loreta Çuka

Po me aq shumë entuziazëm ajo tregon se në projektin 999 portrete dëshiron t’i përfshijë të gjithë për të nxjerrë në pah identitetin shqiptar.
“Mendoj që fillimisht do të shikosh ndryshimin e njerëzve si kane qenë në vitet më përpara dhe si janë tani, për shembull më parë nëse do të ishin 30 vjeç dhe kishin rrudha në fytyrë, për shkak se ishin lodhur nga jeta, tashmë shikojmë diçka ndryshe. Dua të jetë një pasqyrë e realitetit shqiptar. Çdokush do të kishte dëshirë të dimë se në një botë që filtrat dhe rrjetet sociale kanë një ndikim të madh, sa guxojnë të dalin vetja pa pasur ndikimin e jashtëm,” më tregon.

Shtysa më e madhe për Loretën ka qenë shoqëria e saj, sepse ata e njohin dhe e dinë që egoja e saj artistike nuk do ndalet për të përfunduar synimet e saj, pavarësisht se ka nevojë për një mbështetje të madhe financiare, fryma që kanë në Shqipëri për artistët e rinj nuk është drejt mbështetjes financiare.

“Këtë projekt dua ta sjell edhe në tre vëllime librash, ku secili të mbajë 333 portrete në mënyrë që të jetë diçka edhe më e prekshme për të gjithë por është i kushtueshëm. Pavarësisht kësaj unë e dashuroj punën time dhe të vazhdoj ta bëj deri sa të mundem. Deri më tani me kanë ardhur njerëz që as “selfie” nuk kanë bërë dhe njerëz që kanë probleme në perceptimin e vetes së tyre, të idesë se “duhet të jemi të bukur patjetër.” Njerëzit që kam takuar më kanë thënë se doja të thyeja barrierat e mia, përtej të qenit mirë. Mendoj që vetë pjesëmarrja e tyre ka bërë të ndryshojnë diçka, sepse mesazhi kryesor i këtyre fotove është jo të dali bukur dhe jo vetvetja dhe sado përsëritëse të duket është e vështirë të dalësh vetja.,” shpjegon Loreta, duke qartësuar se deri më tani pjesëmarrësit kanë qenë të rinj dhe shumë pak fëmijë dhe të moshuar për shkak të pamundësisë së saj për të lëvizur jashtë Tiranës.
Kur e pyeta Loretën se çfarë synimi ka mbi projektin “999 portrete”, apo edhe përtej këtij projekti, më tregoi se synimi i saj fillestar është që njerëzit të pranojnë veten siç janë dhe kur të shohin këto foto, të kuptojnë se ata janë gjithmonë të bukur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë