Vende dhe Udhetime

Linza, fshati i lirit dhe kalasë së Dajtit

I vendosur në afërsi të Parkut Kombëtar të Dajtit, pasi kalon kryqëzimin Kinostudio-Porcelan, fshati Linzë njihet ndryshe edhe për përgatitjen e litarëve dhe sendeve të ndryshme nga bima e lirit.

Sipas banorëve të zonës, por edhe atyre që janë marrë me studimin e zonës, emri i fshatit vjen ngaqë në këto zona, parcela të vogla toke kanë qenë të mbjella me bimën e lirit (linit).

“Banorët e atyre anëve përgatitnin litarë të ndryshëm dhe sende prej liri (lini) për përdorim vetjak, por edhe për treg, si traditë e hershme. Këto toka quheshin Linore ose Linza.”,- shprehet për gazetën “Si”, Skëndër Farka, i cili ka hulumtuar në lidhje me fshatin, ashtu si dhe për shumë fshatra të tjerë të zonës.

Ky fshat shtrihet i ngushtë për së gjeri mbi mal, me kokën mbështetur në kreshtën e tij, njëlloj si edhe fshati Surrel i kësaj komune.

Rruga nga e djathta të çon fillimisht në qendër të fshatit, aty ku sot janë zyrat e komunës, shkolla fillore, ambulance dhe njësi të ndryshme shërbimi. Më sipër, në fushë të Dajtit, me lartësi 1152 metra, rruga e pret për së gjati territorin e fshatit, duke e ndarë pjesën më malore të tij, deri në lartësinë 1613 metra, nga pjesa tjetër kodrinore më poshtë.

 Rruga “M.Deliu” nga e majta, pasi lë mbrapa Institutin Sizmik dhe atë Bërthamor, gjatë Përroit të Gjujrosës, me kthesa të buta e nëpër një malore me pjerrësi 3-6 gradë pothuaj uniforme, të drejton deri në grykën e Shërminës.

Qesaraka, ferma për eksportimin e luleve të mimozës

Linza ka edhe një kompleks modern turistik, ose aty ku fillon plantancioni i drurëve mimoza, i krijuar dikur nga ferma për eksportimin e luleve të saj të bukura, e ka emrin Qesarakë.

Në Qesarakë është ngritur stacioni i Teleferikut të Dajtit. Disa toponime janë “Kodra e Gaxherrit”, “Shkambi i Gaxherrit”, “Vija e Gaxherrit”, “Hurdha e Gaxherrit”. Fisi Gaxherri, i pranishëm edhe sot në atë vend është një prej familjeve më të hershme në Linzë.

Rruga “M.Deliu”, më lart, vazhdon këmbësore, krahas përroit që zbret poshtë, deri në lartësinë e një kodre të bukur, ku ka qenë një kishë e vjetër, sipas toponimit të “Kisha Liçjet”.

Në atë vend, ku më vonë u ndërtua xhamia e parë, gjatë gërmimeve janë gjetur fragmente tullash të pjekura, si dhe mbetje kockash njerëzore të një varreze të vjetër.

Xhamia u shemb në vitin 1968 dhe u ringrit po aty më 1992, me pusin e vjetër aty pranë, që shikohet edhe sot.

Gryka e Shërminës dhe mbetjet arkeologjike

 Kur kthehesh e shikon poshtë nga qyteti, pamja është e bukur, si ditën ashtu edhe mbrëmjeve. Prej aty edhe mali i Dajtit është më afër, pas grykës së lartë të Shërminës, që gjithnjë gjelbëron nga maretë kokërrkuqe.

Dikur Shërmina ishte fshat, pastaj lagje. Emrin e ka marrë nga kisha që quhej e “Shën Minait”.

Sot atje kanë mbetur pak ngrehina të braktisura të vendosur në një vend të bukur me bregore, ullinj, pemë frutore dhe shkurre pyjore.

Mbrapa disa bahçeve të rrethuara me pemë frutore, mbi një bregore, midis gjysmëhijeve të pemëve të larta e të harlisura, dallohet një rresht gurësh të një muri jo të vogël dhe aty pranë, një fragment në formë obelisku, që vendasit e kanë quajtur “Guri i gjatë”.

Syri, edhe pse i pastërvitur në arkeologji, dallon qartë qoshen e një muri prej guri të trashë 0.8 metra, me lartësi 7 metra.

Aty duket qartë se një dorë kërkuesi, e paautorizuar, ka gërmuar, shumë i rrezikuar nga muri që po shembet dhe në fund të themelit të kambanores, ka nxjerrë në pah një të thelluar në formën e një varri të vërtetë, i rregulluar me gurë anësorë të vendosur me kujdes të veçantë.

 Kur udhëton me teleferik, ky mur-obelisk aty poshtë dallohet qartë vetëm nga ata që e dinë se ku është, sepse gjelbërimi i ullinjve, i lisave dhe caracëve të lartë e shekullorë, të pengon.

Territori i fshatit Linzë është shumë i thyer. Në dimër, disa përrenj aty për shkak të pjerrësisë së madhe janë shumë të rrezikshëm, sepse sjellin nga lart gurë. Shtëpitë e vjetra, fshati i ka të mbuluara me tjegulla të pjekura në vend, ndaj edhe sot ruhet toponimi “Kumia e tjegullave”.

Muret e shtëpive të hershme janë prej guri të ngjitur hollë me baltë ose llaç. Vomë janë përdorur edhe qerpiçët, që shihen edhe sot në disa prej shtëpive.

Kalja e Dajtit, mbi rrënoja ilire?!

Ndodhet në tarracën detare të Dajtit në lartësinë 1200 m mbi nivelin e detit, në shpatin perëndimor të malit të Dajtit, mbi një majë në të djathtë të rrugës që të çon nga Qafa e Priskës për në fushën e Dajtit.

Bëhet fjalë për Kalanë e Dajtit, e cila gjendet në territorin e fshatit Linzë: midis një gjelbërimi të dendur, në lartësinë afër 1200 metra, nga ana e majtë e ish-kampit të punëtorëve.

Ajo ka formë trekëndore, me mure guri e llaç, si dhe kulla rrethore në tri anë të saj, me diametër prej 7.6 metrash nga jashtë.

Kalaja mendohet të jetë një nga kalatë e rindërtuara nga perandori bizantin Justiniani I (527- 566) dhe i përket gjysmës së shekullit VI.

Ajo ka dy hyrje, një prej të cilave është e gjerë 1.3 metra kurse tjetra 3.3 metra, e cila ndodhet aty afër, 50 metra më tutje, që ka qenë hyrja kryesore.

Arkeologët Ceka dhe Psheniolo, që e kanë studiuar kanë dalluar fragmente të një muri të dytë rrethues, kurse nga brenda ndodhen themelet e ndërtesave, më i madhi prej të cilave është 6.2x6.5m.

Midis tjegullave të pjekura atje, në disa prej tyre janë parë të stampuara motive ilire, çka tregon se ndërtimi është bërë mbi një kala tjetër ilire të viteve 500.

Kjo kala ka qenë e njohur që prej shumë kohësh. Sot mund të vizitohet nëpërmjet një rruge këmbësore, por është shumë vështirë të dallosh qartë elementet kryesore, përveç murit rrethues.

Ajo ka një sipërfaqe prej 1.12 ha, dhe në pjesën më të madhe të saj ajo është mjaft e pjerrët. Muret kanë qenë të detyruar të ndjekin formën e kodrës, duke formuar një trekëndësh i cili është forcuar në tre këndet me nga një kullë të rrumbullakët. Sipërfaqja e rrethuar nga këta mure është në pjesën më të madhe mjaft e pjerrët dhe e mbuluar me shkëmbinj.

Qëllimi i ndërtimit të kësaj kalaje, por jo i vetmi, ka qenë mbrojtja e dy qafave që gjenden në dy anët e malit të Dajtit.

Nga zbulimet e bëra vërtetohet ekzistenca e një numri banesash si dhe se aty prodhohej qeramikë dhe shkrihej metal.

Në mure dallohen dy duar ndërtimi: njëra me gurë të mëdhenj katërkëndësh të palidhur midis tyre, që i përkasin ndoshta një kalaje ilire të mëparshme dhe tjetra me gurë të vegjël të palatuar dhe të lidhur me llaç që i përkasin kohës së vonë romake.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë