Shkrimtarja dhe gazetarja Xhada Arbeni, ose Ghada Arnaut, siç njihet ndryshe, është zgjedhur nga koalicioni qeveritar për të udhëhequr Libanin, duke u bërë kështu kryeministra e parë femër në Bejrut.
Falë biografise të pasur, ajo është një ndër emrat më të njohur në Liban dhe më gjerë në Lindjen e Mesme. Prindërit e saj janë të dy shqiptarë. Ajo ka lindur dhe është rritur në Liban, por pëgjatë viteve të fundit ka kërkuar azil në Kanada.
Xhada është shkrimtare, drejtoreshë e mediave liberale dhe shkencore në Universitetin e Albertës në Kanada. Ajo vlerësohet si një zë i rëndësishëm kritik në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe një kritike e ashpër e qeverive të diktatoriale.
Në një deklaratë për mediat, Xhada ka konfirmuar se është nominuar për posten e kryeministres pas tërheqjes së Saad Haririt, i cili është vënë në shënjestrën e kritikëve dhe gjendet nën presion nga protestuesit që nuk po ndalen në rrugët libaneze.
"Po është e vërtetë. Në ditët në vijim, unë do të konfirmoj nëse do të jem Kryeministre e re e Libanit”, tha ajo. Kandidatura e saj është emëruar nga koalicioni i ri qeverisës dhe shkrimtarja do të kthehet në Liban për të qeverisur të rinjtë që kanë pushtuar rrugët e Beirutit. Presidenti Ali Asoun është ai që do të miratojë ose dekretojë kandidaturën e saj pas miratimit nga Koalicioni i Qeverisë.
Xhada pranoi se është me origjinë të pastër shqiptare dhe se nuk ngurron të flasë për Shqipërinë, sepse nuk i ka harruar rrënjët.
Mbiemri i saj Arnauti, që në osmanisht dhe në arabisht do të thotë shqiptare. Ajo Pason Pashko Vasen, ose Vaso Pashain, Shkodranin që ishte Guvernator i Libanit para Pavarësisë, dhe bashkë me Mehmet Aliun gjyshin e Mbretit Faruk, shqiptarët më të famshëm që Drejtuan Shtete në Lindje nga diasporat e krijuara prej ushtarëve shqiptare dhe familjeve të tyre në mërgim po në lufte me Perandorinë Osmane. Xhada është e martuar ka dy fëmijë dhe kontribuese shumë e mirë e shkences dhe diplomacisë në botë.
Ajo është një figurë që i pëlqen media, poezia dhe fotografia. Xhada pati një përvojë të shkurtër në shtyp, por nuk zgjati shumë për shkak të presionit politik, por edhe dashurisë së saj për poezinë. Në intervistat e dhëna për mediat libaneze, ajo tregon se dashuria ndaj traditës dhe demokracisë e ka bërë atë një figurë rebele në Beirut, për t'u bërë më pas tejet e pranishme në diasporën libaneze në Kanada.
Xhada ka studiuar gjuhë dhe letërsi arabe, për të punuar më pas në fushën e arsimit dhe medias. Edhe në Kanada ajo ka realizuar një sërë investigimesh që lidhen me Libanin, më i fundit prej të cilëve kishte të bënte me blerja e pasaportave kanadeze nga politikanet libanezë.
“Media është një profesion. Sa i përket poezisë është një talent, krijimin dhe krijimtarinë nuk mund t’i veçosh sepse jam akoma brenda botës së shkrimit” shprehej ajo në një intervistë të dhënë disa muaj më parë për “Women of Lebanon”. “E dua jetën dhe lirinë, demokracinë, e dua natyrën dhe muzikën, e dua fotografinë, e dua thjeshtësinë dhe i qëndroj larg kostove”.
Xhada ka lindur në qytetin Sidon në jug të Libanit dhe ka filluar të shkruajë poezi në moshë të re. Poezitë dhe analizat e saj politikë nisën të botoheshin në gazetën e njohur libaneze "An-Nahar" gjatë viteve 1988 – 1999, ku edhe nisi të identifikohet në botën e medias.
Më pas, ajo punoi në fushën e mësimdhënies për disa vjet, dhe në vitin 2000, emigroi në Kanada. Në Alberta ajo ka punuar në fushën e gazetarisë për një sërë mediash libaneze dhe kanadeze, ku ka shkruar artikuj, reportazhe dhe analiza për zhvillimet ndërkombëtare. Sapo arriti në Kanada, ajo punoi si kryeredaktore e gazetës "Al-Akhbar-Al-Nahar" në Montreal në vitin 2001. Më pas në vitin 2006, ajo do të themelonte gazetën e saj, të cilën do ta quante “Ndërmjetësuesi Ndërkombëtar". Më pas ajo do të përfshihej në drejtimin e komunitetit libanez në Kanada, duke përfaqësuar edhe Shoqatën Libaneze për Kancerin dhe Sëmundjet Kritike.
Më pas, Xhada do t’i rikthehej sërish mësimdhënies, por kësaj here do të mësonte arabisht në Universitetin e Montrealit. Ajo mori pjesë në shumë konferenca letrare dhe gjithashtu mori pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë në Montreal në vitin 2009.
Shkrimet e Xhadës duket se i kanë rrënjët nga jugu i Libanit, pasi ajo ishte dëshmitare e disa luftërave. Kjo u pasqyrua qartë në fjalorin e saj, fotografitë dhe temat poetike.
Xhada është një figurë e papërlyer në skandalet e shumta që kanë tronditur jetën politikë të Libanit, dhe kjo duket të jetë edhe arsyeja përse koalicioni qeveritar zgjodhi emrin e saj. Megjithatë, Xhada njihet për shpirtin anti-konformist dhe kritikat e ashpra ndaj politikës libaneze.
"Nëse doni të njihni një popull, duhet te njihni kulturën dhe artin e tij … Sot në Liban po jetojmë në një epokë të degjenerimit intelektual, kulturor, shoqëror dhe politik, kështu që poezia nuk mund të ketë një rol me ndikim në shtet”, thotë ajo në një intervistë.
Analizat dhe poezitë e saj publikohen në gazeta ose botime të ndryshme universitare dhe madje, ashtu sic ka tregar edhe vetë Xhada, disa janë përkthyer edhe në shqip.
“Kam poema të përkthyera në disa gjuhë (anglisht dhe italisht / poeti Mario Riley dhe shqip / përkthyersi dhe shkrimtari Armal Bega)”, thotë Xhada.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.