Ngjarje

Letonia, ekspertja e çminimit! Si kryhet procesi

Baza ushtarake në Letoni, ku ndodhi shpërthimi tragjik i një mine, që vrau nëntetaren shqiptare 32-vjeçare Zarife Hasanaj ndodhet pak kilometra larg Rigës, kryeqytetit të vendit. Ajo ka shërbyer si e tillë që në fund të viteve 1920 të shekullit të kaluar, por u përforcua si e tillë fillimisht nga nazistët dhe më vonë nga sovjetikët.

“Adazi Military Base” e ka marrë emrin nga një fshat letonez, që ndodhet aty pranë, e cila aktualisht përdoret nga aleanca e NATO-s. Kapaciteti i saj është deri në 4 mijë trupa në raste stërvitjesh madhore.

E vendosur në një zonë pyjore, terreni është përzgjedhur me kujdes, që t’u mundësojë trupave simulimin sa më perfekt të një beteje reale. Pjesën dërrmuese të territorit të saj e zënë zonat ku stërvitjet kryhen me municion të vërtetë dhe jo mësimor. Një e tillë është edhe zona ku ra në krye të detyrës nëntetarja shqiptare.

Zyrtarisht autoritetet letoneze thonë se incidenti ka ndodhur gjatë trajnimit dhe jo në ndonjë mision çminues në vend. Detajet janë duke u hetuar, e po ashtu në drejtim të vendit baltik është nisur edhe një grup hetuesish shqiptarë.

Pse në Letoni?

Letonia u bë anëtare e NATO-s si pjesë e listës prej shtatë vendesh të ish-bllokut komunist që iu bashkuan Aleancës në vitin 2004. Anëtarësimi e gjeti me një përvojë të pasur në fushën e çminimit dhe të prodhimit të minave tokësore, traditë e vendosur që me nazistët dhe e përforcuar më vonë nga komunistët.

Deri para anëtarësimit, Riga refuzonte të nënshkruante memorandumin e ndalimit të prodhimit të minave tokësore. Memorandumi përcaktonte gjithashtu edhe shkatërrimin e produktit në gjendje. Përvoja e fituar nga ky proces, por edhe gjatë fushatave të çminimit në mes të viteve ’90 i dhanë ushtrisë vendase një rol eksperti edhe në trajnimin e aleatëve të tjerë pas përfshirjes në NATO.

Kjo ishte njëra arsye, megjithëse arsyeja kryesore mbetej pozicionimi gjeografik në detin Balltik dhe e menduar nga NATO si kundërpeshë ndaj përforcimit gjithnjë e më shumë të bazave ruse në Kaliningrad.

Si kryhet një proces çminimi?

Me ndihmën e teknologjisë sot janë disa metoda, por trajnimet ushtarake përqendrohen kryesisht tek metoda tradicionale. Kjo metodë nënkupton identifikimin e minës me një detektor metalik dhe më pas çaktivizimin, ose asgjësimin e saj përmes një shpërthimi të kontrolluar.

Çaktivizimi është një proces i ndërlikuar dhe këshillohet të aplikohet vetëm në rastet kur kërcënohet jeta e një apo më shumë personave. Ky proces varet thellësisht nga modelet minave, koha e qëndrimit të tyre nën tokë dhe vjetërsia e prodhimit.

“Minat e Luftës së Dytë Botërore mund të kenë mekanizma më të thjeshtë, por kjo i bën edhe më të rrezikshme, pasi qëndrimi i gjatë nën tokë u ka dobësuar sensorët, duke gënjyer xhenierët se mina mund të jetë e çaktivizuar”, thuhet në një raport të 2017 të “Landmine Monitor”, organizmi që vëzhgon zbatimin e memorandumit për ndalimin e prodhimit të përhapjes së minave.

Ky organizëm flet për disa zona të nxehta sot. Pjesa më e madhe e tyre ndodhen në Afrikë dhe në Azinë Lindore, ndërsa Letonia ka dalë nga kjo hartë prej kohësh. Në hartë, me rrezikshmëri të lartë konsiderohej deri vonë edhe Kosova.

https://www.youtube.com/watch?v=mWfNZoXr6rQ

Nëse procesi i çaktivizimit është i pamundur të realizohet, atëherë kalohet tek kryerja e shpërthimit të kontrolluar. Zakonisht përdoren rrjeta, ose litarë që hidhen mbi sensorët e minave. Përmes kësaj metode ushtria amerikane ka asgjësuar me qindra bomba të vendosura në anë të rrugës në Afganistan.

Përveç identifikimit të minave me anë të detektorëve metalikë ka edhe disa metoda të tjera, që nga minjtë e qentë nuhatës eksplozivi e deri tek makineritë gjigante të shpërthimit të tyre të kontrolluar. Këto të dytat janë më të sigurtat, por jo të gjitha ushtritë e përballojnë koston e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë