Lajme

Hetime shqiptare në Letoni. Kush janë ushtarakët që mbetën viktima mbi minë

Pas tragjedisë së një dite më parë, ku humbi jetën fatalisht nëntetarja Zarife Hasanaj dhe mbetën të plagosur dy efektivë të tjerë në Letoni, sot me urdhër të Ministrisë së Mbrojtjes është nisur drejt Letonisë një task-forcë për të ndjekur hetimet dhe zbardhjen e shkaqeve, të cilat i morën jetën efektives 32-vjeçare.
Ky grup është caktuar të ndjekë nga afër mbledhjen e provave mbi ngjarjen së bashku me autoritetet e Letonisë. Po ashtu ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka qëndron sot në Letoni (Riga) fillimisht për të vizituar dy efektivët e plagosur e më pas për të takuar kontingjentin shqiptar në bazën Camp Adazi.

Mëngjesi i 6 majit rezultoi fatal për nëntetaren 32-vjeçare Zarife Hasanaj, e cila humbi jetën në krye të detyrës në misionin e NATO-s në Letoni, si pasojë e shpërthimit të një mine.
Misionin në Letoni, nëntetarja Hasanaj së bashku me një grup prej 7 ushtarakësh të tjerë të FA e nisën në dhjetor të vitit të kaluar në kuadër të një misioni të NATO-s. Misioni ishte 6-mujor dhe ai përmbyllej në muajin qershor. Ky ishte misioni i parë jashtë vendit, që fatalisht u shndërrua edhe i fundit.
Nga shpërthimi i minës mbetën të plagosur edhe dy efektivë të tjerë, gjithashtu pjesë të Forcave të Armatosura, major Klodian Tanushi dhe rreshter Julian Kapaj.
Gazeta Si publikon sot një profil të nëntetares Zarife Hasanaj, major Klodian Tanushit dhe rreshter Julian Kapajt se si i nisën shkallët e karrierës brenda Forcave tona të Armatosura.
NËNTETARE ZARIFE HASANAJ
N/Tetar Zarife Muharrem Hasanaj, e datëlindjes 08/07/1987, ka lindur në Qytetin Barjam Curri, Tropojë, dhe me vendbanim në Babrru, Tiranë:
Gjendja familjare:
• Është fëmija i katërt i familjes Hasanaj, ka një vëlla dhe dy motra. Jeton me prindërit dhe vëllain e martuar.
Arsimimi:
• Ka përfunduar Shkollën e mesme të përgjithshme “Gramoz Palushi” Babrru, Tiranë në vitin 2006.
• Ka kryer Fakultetin e bujqësisë dhe mjedisit “Bachelor”, në “Inxhinieri Agrare”, profili “Hortikulturë” në Universitetin Bujqësor të Tiranës 2012-2017.
Kualifikimet:
• Ka kryer kursin EOD Niveli i I-rë “Asgjësimi i Municioneve me Eksplozivë”.
• Ka marrë pjesë në trajnimin “Ndihma e parë në Incidentet EOD”.

Nëntetarja Zarife Hasanaj

Gradimi dhe punësimi:
• Është mobilizuar në FA më datë 04/04/2008 si ushtare profesionist i pare dhe në datë 01/10/2013, titullohet n/oficer me gradën n/tetar.
• Gjatë karrierës në FA është dalluar në realizimin e detyrave dhe për disiplinë të lartë.
Nëntetare Zarife Hasanaj ka shërbyer si operatore EOD në RU 4040.
Më 20 dhjetor 2018 është dërguar me mision në operacionin ushtarak të NATO-s në Riga, Letoni, në përbërje të Grup-Batalionit Kanadez, me afat qëndrim 6-mujor, me detyrë Operator EOD.

MAJOR KLODIAN TANUSHI
Major Klodian Nikolla Tanushi ka lindur në Dibër më 31.10.1980, fëmija i parë i familjes Tanushi. I martuar dhe me tri fëmijë (dy djem dhe një vajzë) përkatësisht 14 vjeç, 11 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë.
Në vitin 1999 ka përfunduar shkollën e mesme profesionale “Nazmi Rushiti” në profilin “Motorist xhenerik”. Nga viti 2000 deri në vitin 2003 ka ndjekur studimet në Akademinë Ushtarake Skënderbej.
Ka kryer kurse funksional EOD Niveli I-re “Për asgjësimin e municioneve me eksploziv”.
Ka marrë pjesë në kursin “EUFOR Mine Awareness Instructor Course”.

Major Klodian Tanushi

Pas përfundimit të Akademisë është titulluar oficer dhe me urdhër nr.9628 datë 18.09.2003 ka marrë gradën e “Nëntogerit”. Në vitin 2006 ka marrë gradën e “Togerit”, në vitin 2010 ka marrë gradën e “Kapitenit” dhe në vitin 2017 ka marrë gradën e “Majorit”. Gjatë karrierës së tij ushtarake ka kryer detyra si: Komandant Toge, Komandant Kompanie, Shef Seksioni, Specialist Operacionesh. Aktualisht me detyrë Komandant i Togës së parë të EOD.
Më 20.12.2018 është dërguar me mision në Operacionin Ushtarak të NATO-s në Riga, Letoni në përbërje të Grup-batalionit kanadez me detyrë Komandant i Kontingjentit shqiptar dhe përfaqësues i lartë ushtarak, me afat qëndrimi 6-mujor.
Gjatë karrierës së tij është vlerësuar me Medaljen e “Karrierës” nga Komandanti i Forcës, Medaljen e “Shërbimit” nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Medalje shërbimi në Mision jashtë vendi si dhe Medaljen “Për pjesëmarrje në shërbime ndërkombëtare” nga ministri i Mbrojtjes.

RRESHTER JULIAN KAPAJ
Rreshter Julian Kapaj, i datëlindjes 05/08/1978, ka lindur në qytetin e Tiranës me banim Tiranë:
Gjendja familjare:
Është fëmija i parë i familjes Kapaj, i martuar, ka dy fëmijë dhe ka një motër. Jeton me prindërit.

Rreshter Julian Kapaj

Arsimimi:
Ka përfunduar Shkollën e mesme të përgjithshme “Qemal Stafa”, Tiranë në vitin 1997.
Kurse
• Ka kryer kursin funksional për specialitetin AEM (Kursi Fillestar i Asgjësimit të Municioneve)
• Ka kryer kursin EOD Niveli i I-rë “Asgjësimi i Municioneve me Eksplozivë”.
Gradimi dhe punësimi:
• Është mobilizuar në FA më datë 16.10.2001 si ushtare si n/oficer me gradën n/tetar.
• Gjatë karrierës në FA është dalluar në realizimin e detyrave dhe për disiplinë të lartë.
Rreshter Julian Kapaj shërben si operator EOD, në RU 4040.
Më 20 dhjetor 2018 është dërguar me mision në operacionin ushtarak të NATO-s në Riga, Letoni, në përbërje të Grup-Batalionit Kanadez, me afat qëndrim 6 mujor, me detyrë Operator EOD.
Medalje:
Medalje Shërbimi më 05.12.2007.
Medalje për shërbime ndërkombëtare më 24.06.2009.



Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë