Biznes

Larg të nxehtit dhe rrezikut të zjarreve – Turizmi malor, opsioni për pushime që po zgjerohet falë… Instagramit

Nga Gazeta ‘SI’ - Edhe pse 2023-shi po përshkruhet si viti më i mirë ndonjëherë i turizmit shqiptar, kjo nuk është e gjithë e vërteta.

Përpos turizmit ‘tradicional’ për të cilin Shqipëria njihet tashmë dhe përtej kontinenteve, turizmi malor është opsioni tjetër me po aq potencial, dhe (ndoshta) me më shumë avantazhe.

Temperaturat e larta në rajon dhe vend nuk po favorizojnë më detin, por malin.  

Neritan Ibi, guidë profesionale nga “My Albania Nature Explorers”, tregon për Gazetasi.al se turizmi malor është në fakt opsioni që duhet konsideruar për pushime... larg atyre normale.

Duke listuar të gjitha të mirat e këtij aktivitetit, Ibi thekson se interesi është shtuar nga të huajt, lidhur kjo me reklamat e shumta falas të Shqipërisë dhe e kundërta për shqiptarët të cilët janë shumë të limituar.

“Fillimisht, qëndrimi në natyrë të ofron qetësi dhe freski. Nuk ke nevojë për kondicioner në një vend malor. Je i lidhur me natyrën. Pastaj, për shkak të fluksit më të vogël të njerëzve, shërbimi është më cilësor se në jug. Shumica janë njerëz që punojnë në bujtinat e veta dhe sigurisht do mundohen ta bëjë më mirë shërbimin. Në Theth p.sh të rrinë në këmbë ditë e natë”, tregon Ibi duke shtuar dhe avantazhin kryesor të pushimeve në mal.

Neritan Ibi, guidë profesionale nga "My Albania Nature Explorers" në një udhëtim në veri të Shqipërisë me turistë të huaj dhe shqiptarë, Gazeta 'SI'

“Ky është turizëm më pak i kushtueshëm, nuk janë çmimet si në jug. Nëse atje një dhomë të thjeshtë e merr minimumi 50-60 euro, në veri me 80 euro merr dhomën më të mirë. Po ashtu janë pushime që nuk zgjasin shumë, deri në 3 ose 4 ditë”.

Ai shton se ditët e fundit, përhapja e flakëve në jug të Shqipërisë dhe në Greqi ku agjencia e tij përsëri kryen guida, ka shtuar shqetësimet e klientëve. Por kjo nuk ka ndikuar në zgjedhjet e tyre dhe në një zhvendosje të pushimeve nga deti në mal. Çfarë i bind shqiptarët të shkojnë në mal është... Instagrami.

Ibi tregon se shumë vende janë shtuar në guidë për shkak se bëhen virale në Instagram, nga fotot e videot dhe sigurisht edhe numri i klientëve. “Ata që vijnë, ose e duan si aktivitet ose e kanë parë në Insta. Shumica shohin fotot e videot dhe e provojnë. P.sh liqenet e Jezercës u bënë shumë të famshme në Insta dhe të gjithë donin të vinin, por rruga është shumë e vështirë dhe nuk rezultonte aq argëtuese. Nuk është gjë që mund ta bëjnë të gjithë”, shprehet Ibi për Gazetasi.al.

Por përralla e turizmit malor në Shqipëri, ka mbetur e tillë dhe 2023-shi nuk i dha shkëlqimin që meritonte.

Ibi nga “My Albania Nature Explorers”, tregon të gjithë ‘sabotuesit’ e turizmit malor.

“Krahasuar me vitin e kaluar ka një rënie, arsyeja kryesore është ekonomia. Shqiptarët kanë më pak lekë se një vit më parë. zhvlerësimi i euros ka sjellë humbje. P.sh vetëm në një xhiro 20 mijë euro humb 1 mln lekë nga kursi. Nga ana tjetër edhe koha ka qenë e papërshtatshme. Qershori ishte me shi dhe direkt nisën temperatura e larta, që po ashtu nuk janë të favorshme për këtë lloj turizmi”, shpjegon Ibi duke treguar se klientët dhe të ardhurat janë reduktuar me 50% nga një vit më parë.

Ndërkohë Shqipëria gjatë këtij viti është vizituar masivisht nga turistët “me çantë”; të huajt që nuk janë pjesë e sistemeve të kontrolluara të turizmit, por zgjedhin të udhëtojnë si nomadë dhe të qëndrojnë pranë natyrës, duke marrë vetëm çantën e tyre.

Vetëm për muajin maj 2023 (publikimi i fundit), Instat raporton se turistët e huaj që përdorin çadrat, kampingjet e hapësirat e tjera të tilla janë dhjetëfishuar nga maji i shkuar. Ndërsa turistët vendas janë përgjysmuar.

I njëjti raport tregon se nga rreth 29 mijë vizitorë në rajonin verior, 18 mijë janë të huaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë