Komunitet

Lajmet e rreme për një grusht klikimesh në Shqipëri

Mentor Kasa - 23 milionë euro të kapura në aeroportin kryesor të Parisit, që kishin si destinacion Shqipërinë. Një shtetas nga Mali i arrestuar. Ky ishte lajmi që u përhap me shpejtësi në portale dhe rrjetet sociale një ditë pas 1 prillit.

Askush nuk u interesua nëse bëhej fjalë për një lajm të rreme, apo për një ngjarje të vërtetë, por të gjithë e morën "copy-paste" dhe nisën garën se kush e shpërndan më parë në rrjetet sociale me titujt më të goditur për një grusht klikimesh.

Mes atyre që e shpërndanë ishin edhe faqet zyrtare në internet të televizioneve kombëtare, të cilat disa orë më vonë kafshuan gjuhën dhe e përgënjeshtruan informacionin e shpërndarë vetë me aq shpejtësi e zell. Çuditërisht, përgënjeshtrimi prodhoi një tjetër lajm, në mos të rremë, të paverifikuar. Në lajmin e dytë, nuk ishte më Shqipëria destinacion i 23 milionë eurove, por Malajzia.

Pra, lexuesve u ofrohet informacioni i rremë, në rastin më të mirë padashje dhe në rastin më të keq me vetëdije për përfitime financiare nga klikimet, ose për të shkaktuar një bujë artificiale në publik.

Nga buroi ky lajm? Të gjitha portalet shqiptare citonin si burim mediat franceze, por edhe burimi në vetvete është i rremë. Ne si gazetë “Si” arritëm që të identifikojmë se burimi nga ku është marrë ky informacion nga portalet shqiptare është faqja e internetit bamada.net, një portal afrikan, që ka si slogan “Mali në web”.

Në fund të lajmit me dy paragrafe që publikon, ky portal afrikan citon burimin se nga e kishte marrë vetë këtë informacion. Burimi ishte një tjetër portal, i quajtur shkurtimisht “Le Temoin”, që në shqip mund të përkthehet si “Dëshmitari”.

-Ballkani Perëndimor, një fushëbetejë dezinformimi
-Një projektligj i vjetër kundër lajmit të rremë
-Si fitojnë të rinjtë nga Kosova mijëra dollarë me "fake news"

Artikulli i publikuar ne bamada.net

Nëse kërkon në Google për “Le Temion” të shfaqen lidhje të një filmi francez me të njëjtin titull të vitit 1978 dhe asnjë faqe interneti informative. Me domeinet .org, .net dhe .fr mesazhi që kthehet pas është se nuk ekzistojnë, ndërsa me domeinin .com të shfaqet mesazhi se Le Temion është në shitje.

Ky ishte rasti më i bujshëm i këtyre ditëve, por të tjerë nuk munguan. Dhunimi i një qytetari në protestën e fundit të opozitës para Kuvendit është njëri prej tyre. Në mediat sociale e ato tradicionale u shfaq videoja e sherrit me grushte. Nga Partia Demokratike thanë se i godituri që u përzu nga protesta ishte i infiltruar i policisë, ndërsa vetë policia e arrestoi si protestues të dhunshëm. Një variant i tretë që qarkulloi ishte ai i problemeve mendore të personit në fjalë.

Të dyja deklaratat, si të opozitës, ashtu edhe të policisë u morën dhe u transmetuan të mirëqëna sipas kendvështrimit të portaleve apo televizioneve, por sot askush, përveçse të dhunuarit nuk është në gjendje që të thotë të vërtetën mbi këtë rast.

Këto janë rastet më të freskëta, por jo të vetmet. Pak kohë më parë të gjithë në rrjetet sociale qarkulloi me shpejtësi një video ku tregohej një gjyqtar i Kukësit teksa dhunonte fizikisht një avokate në hyrje të gjykatës. Lajmi në vetvete nuk ishte i rremë. Dhunimi kishte ndodhur dhe ishte fiksuar nga kamerat e sigurisë së institucionit. Problemi është se ngjarja ka ndodhur në 2014.

Për të përforcuar idenë, një tjetër rast mbërrin nga Zelanda e Re, ose të paktën portalet shqiptare ja faturojnë vendit të largët në Oqeani. Në rrjetet sociale u shpërndanë artikuj, madje edhe me video sesi “të burgosurit rrihnin me grushte autorin e vrasjes së 50 myslimanëve në dy xhami në qytetin Christchurch të Zelandës së Re”, në sulmin terrorist të ndodhur para pak kohësh. Lajmi dhe video janë kryekëput të rreme. Autori jo vetëm që nuk është dhunuar, por as pamjet nuk janë të këtij viti dhe as nga burgjet e Zelandës së Re. Videoja në fjalë është një zënkë mes të burgosurish në një burg amerikan të ndodhur në 2016.

Në videon në fjalë, ai që rrihet është amerikani nga Otaua, Carlos Larmond. Ngjarja ka ndodhur në 2016. Carlos, së bashku me vëllain e tij binjak ishin arrestuar me akuzën e terrorizmit, pasi po përpiqeshin të rekrutonin militantë për ISIS-in në Siri.

Nga këto pak shembuj lind pyetja, çfarë i risjell këto ngjarje në 2019 për publikun shqiptar, përveçse mania për klikime e bujë, e rrjedhimisht edhe për shtim ndjekësish e klikime, që përkthehen në shtim të ardhurash financiare?

Rrjetet sociale, habitati perfekt për lajmet e rreme

Jo të gjithë kanë mundësi të verifikojnë vërtetësinë e një lajmi që lexojnë, apo që të dallojnë qartë një lajm të rreme nga një të vërtetë në rrjetet sociale, për më tepër kur vetë lajmi i rremë po evoluon duke u shfaqur hera-herës me nuanca gjysmë të rreme, apo gjysmë të vertete.

Vetëm pak javë më parë një investigim i BBC zbuloi një grimcëz të fenomenit të “karremit të klikimeve” në Kosovë. Në përfundim të investigimit, Carl Miller, gazetari i gjigantit britanik të medias thotë se pas këtyre lajmeve nuk qëndronte asnjë agjendë politike, ruse, turke apo e një tjetër vendi, por vetëm përfitimi financiar.

“Për herë të parë erdha në Kosovë pa kamerat e BBC-së për të hulumtuar mbi një libër që fliste për ndryshimin e pushtetit në epokën digjitale. Kisha dëgjuar për fushatat e errëta për influencë nga Rusia, apo ushtarakë që luftonin ndaj sulmeve kibernetike në kërkim të informacionit. Por, ata me të cilët u takova, më thanë se arsyeja përse njerëzit dërgonin lajme të rreme dhe tejet të ndjeshme ndaj audiencave perëndimore ishte krejt tjetër dhe shumë e thjeshtë. Gjithçka bëhej për para! Ata përhapnin lajme të tilla, sepse ne i klikojmë ato”, deklaroi Miller.

Në Maqedoni, qyteti Veles ishte kryeqendra e serverave të një rrjeti të mirëorganizuar përhapjesh profilesh dhe lajmesh të rreme që u aktivizuan sidomos gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dyshimet ishin se pas këtyre qëndronte dora ruse, por gjithçka ka mbetur në kuadrin e dyshimeve.

Një bazë të ngjashme ka zbuluar në Shqipëri televizioni Al Jazeera. Në këtë investigim të 2017, Al Jazeera thotë se në Shqipëri janë hapur mijëra llogari Twitter-i dhe Facebook-u, përmes së cilave shpërndahen lajme të rreme për Iranin dhe për këtë gjë sipas “AJ” janë përgjegjës muxhahedinët në Manëz. Reporterët e këtij rrjeti pretendojnë se kanë qenë në Shqipëri, ku kanë kontaktuar ish-anëtarë të muxhahedinëve që ua kanë konfirmuar këtë fenomen. Në këtë rast, gjithmonë nëse është i vërtetë, qëllimi i lajmit të rremë nuk është financiar, por politik.

Në morinë e informacionit që shpërndahet në internet, dallimi i shpejtë i lajmeve të rreme është një sfidë për masën. Megjithatë, ka disa metoda, me anë të të cilave mund të identifikohen. Njëra është lidhja mes përmbajtjes që të ofron titulli me foton që e shoqëron. Përgjithësisht, lajmet e pavërteta shoqërohen edhe me një foto apo video po aq të pavërtetë.

Sot, Facebook është rrjeti i preferuar i përhapjes së lajmeve të rreme. Përballë këtij fenomeni duket se është dorëzuar edhe vetë Mark Zuckerberg, i cili pas shpërthimit të skandalit “Cambridge Analytica” u thirr nga ligjvënës në SHBA e BE për sqarime. Në këto dëgjesa ai foli për masat që kishte ndërmarrë e do të ndermerrte për të ruajtur privatësinë e përdoruesve dhe për të luftuar lajmet e rreme. Por, pak ditë më vonë Facebook doli me një deklaratë, ku tha se nuk mund të mbyllte profile e faqe të rreme që perceptoheshin si burim keqinformimi, përsa kohë ato nuk shkelnin kushtet e përdorimit mbi privatësinë dhe etikën e komunitetit.

Facebook është rrjeti më i madh me mbi 2 miliardë përdorues. Vetë Facebook konfirmon se janë rreth 83 milionë profile dhe faqe të rreme. Twitter nga ana tjetër është më pak i masivizuar dhe për më tepër me mekanizma më të përforcuar verifikimi informacioni që shpërndahen. Sa i takon Instagram-it, kjo platformë shfrytëzohet më tepër për argëtim e komunikim dhe nuk bën pjesë tek platformat e preferuara për shpërndarjen e informacionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë