Analize

Kush po i përhap lajmet e rreme për largimin e refugjatëve nga Greqia drejt Shqipërisë?

Një valë refugjatësh që përpiqen të largohen nga kampet greke drejt Maqedonisë së Veriut apo Shqipërisë, mund të destabilizojë Ballkanin Perëndimor, duke e kthyer sërish në shtegun kryesor për hyrjen e tyre në vendet e Bashkimit Europian.

Nga ana e saj Athina zyrtare flet për "dezinformim" përmes mediave sociale nga trafikantë dhe grupet me interesa "të çuditshme".

Disa thashetheme që u përhapën në mediat sociale, bënë që qindra emigrantë të niseshin drejt kufirit të Greqisë me Maqedoninë e Veriut, ku u përleshën me policinë për të tretën ditë radhasi.

Ministria greke e Migracionit tha se emigrantët ishin joshur nga një "lajm i rremë" për hapjen e kufijve.

"Të nxitur nga këto dezinformime, refugjatët u mashtruan me shpresëm për të lëvizur drejt Europës Perëndimore", tha ministri grek i migracionit Dimitris Vitsas.

Gjithçka duket se nisi nga një postim në Facebook që fliste për një kalim të organizuar të kufirit maqedonas. Ai u shpërnda nga një organizate humanitare e krijuar rishtazi, e quajtur "Karvani i Shpresës", e cila ka postuar në arabisht një mesazh që pretendonte se Greqia do të hapte kufirin me Maqedoninë e Veriut në mesditën e 5 prillit.

Por kush i shpërndau këto lajme të rrëme dhe a ishte qëllimi i këtyre thashethemeve destabilizimi i marrëdhënieve mes Athinës dhe Shkup, apo edhe me keq, krijimi i trazirave të reja në Ballkan?

Duke parë natyrën e raporteve, por edhe përhapjen masive në rrjetet sociale brenda një kohe mjaft të shkurtër, nuk kanë qënë të paktë ata që e kanë drejtuar gishtin nga Rusia.

Kalimi i refugjatëve drejt Maqedonisë së Veriut ose Shqipërisë ka gjasa të shkaktojë jo pak trazira në rajon dhe të lëkundë marrëdhëniet delikate mes Shkupit dhe Athinës. Lajmet e rreme për hapjen kufijve erdhën vetëm disa ditë pasi Ambasadori amerikan në Greqi ngriti alarmin se Rusia po përgatiste një tjetër fushatë dezinformimi kundër Greqisë.

Duke folur për mediat greke, Geoffrey Pyatt tha se Athina ishte e prekur nga dezinformimi rus. "Ne kemi parë dëshmi të manipulimit të informacionit në Greqi. Ne kemi parë përpjekjet ruse për të ndërhyrë në marrëveshjen e Prespës dhe përpjekjet për të minuar rolin e Patriarkut grek" tha ai.

"Nuk mund t'ju them se kam parë dëshmi të përpjekjeve për të ndërhyrë në zgjedhjet e ardhshme të Greqisë, por rreziku nga dezinformimi që vjen nga Rusia është shumë i lartë”, tha ambasadori disa ditë përpara fillimit të trazirave në afërsi të Selanikut.

Pas këtyre raporteve, emigrantët u mblodhën jashtë kampit të Diavatës në veri të qytetit grek dhe u përpoqën të kalonin në zonën e Edomenit, e cila ishte dikur kalimi më i shpeshtë nga Greqia në Maqedoninë e Veriut dhe nga atje, në pjesën tjetër të Europës.

Përleshjet kanë vazhduar jashtë kampit edhe përgjatë fundjavës, pasi emigrantët kanë qëlluar vazhdimisht me gurë policinë greke. Në të njëjtën kohë, që nga e premtja e kaluar, refugjatët kanë pushtuar stacionin hekurudhor qendror në Athina, duke kërkuar të shkojnë në Diavatë dhe prej aty në Edomeni. Forcat e policisë janë në alarm dhe oraret e trenave janë anuluar.

"Kufijtë janë dhe do të mbeten të mbyllura dhe pa dyshim nuk do të lejojmë lëvizje të parregullta", tha Ministri grek për Politikat e Emigracionit duke u bërë apel emigrantëve të mos rrezikojnë veten dhe familjet e tyre. Ministri grek i Mbrojtjes gjithashtu ishte shumë i qartë duke thënë se refugjatët nuk do të lejohen të largohen nga Diavata dhe se ata nuk do të lejohen të dalin në Maqedoninë e Veriut.

Sipas një refugjati irakian, për dy muaj në mediat sociale ka qindra raporte dhe mesazhe, që theksonin se kufiri do të hapej. Ai rrëfeu po ashtu për mediat greke se javën e kaluar, në një takim në kampin Diavata, refugjatëve iu komunikua të niseshin drejt Maqedonisë së Veriut.

Për këtë arsye, Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët po përpiqet të bindë refugjatët dhe emigrantët në kampe, me njoftime në gjashtë gjuhë të ndryshme, që të mos rrezikojnë fëmijët e tyre duke u përpjekur të lënë Greqinë. Po ashtu, mediat greke theksojnë se nëse largohen nga kampet, refugjatët mund të mos pranohen më nëse kthehen.

Greqia aktualisht strehon më shumë se 70,000 emigrantë në të gjithë vendin. Dhjetëra mijëra refugjatë dhe emigrantë janë bllokuar në vendin fqinj, pasi vendet e tjera të Ballkanit mbyllën kufijtë në vitin 2016, duke bllokuar rrugën kryesore drejt Evropës Qendrore dhe Perëndimore.

Numri i emigrantëve që kanë arritur në Perëndim përmes rrugës ballkanike ka rënë ndjeshëm pas instalimit të një gardhit kufitar përgjatë kufirit greko-maqedonas në fund të vitit 2015. Kufiri është mbyllur që nga ajo kohë, pasi ishte kthyer në një pikë mjaft te rrezikshme për trafikimin e emigrantëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë