Lajme

Një projektligj i vjetër kundër lajmit të rremë

Në vitin 2012, Partia Demokratike, asokohe në pushtet ndërmori një nismë ligjore për të rregulluar tregun mediatik, sidomos atë online, që sapo kishte nisur të masivizohej.

Demokratët në atë kohë deklaronin se nisma synon që të mbrojë publikun nga lajmet false, të rrisë besueshmërinë e medias tradicionale dhe asaj online, si dhe të mbrojë të drejtën e autorit.

Nisma u cilësua e parakohshme dhe u sulmua nga një pjesë e mediave, si përpjekje e mazhorancës së asaj kohe për të kontrolluar mediat. Mungonte gjithashtu edhe konsensusi nga ana e socialistëve, që ishin në opozitë.

Pikërisht të njëjtin projektligj kanë marrë në dorë drejtuesit dhe pronarët e mediave kryesore në vend për t’ja dorëzuar në tavolinë Autoritetit të Mediave Audivizive.

Drejtuesit dhe pronarët e mediave kryesore në vend thonë se kanë ndryshuar disa pika të projektligjit, duke i përmirësuar ato.

Ky projektligj, thonë propozuesit, është i ngjashëm me atë të vendeve të Bashkimit Europian dhe mbështet pajisjen e publikut me dekodera pas vendimit për fikjen e sinjalit të transmetimeve analoge.

Mes parashikimeve të këtij projektligji është edhe ai i krijimit të një fondi për të mbështetur mediat private, që sipas propozuesve është një garanci për pavarësinë e tyre. Propozohet që ky fond të krijohet nga tarifa që publiku paguan për Radiotelevizionin Publik për përdorimin e aparatit televiziv, dhe jo nga buxheti i shtetit.

Vetë kreu i AMA-s mbështet projektligjin dhe i mëshon faktit se në të parashikohet edhe rregullimi i profesionit të gazetarit.

Projektligji do t’i propozohet fillimisht Qeverisë dhe më pas do të kalojë në Kuvend për miratim në seancë plenare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë