Politike

Për shqiptarët, “kazani” është më i besueshëm se politika

Mentor Kasa  – Media nuk ka fuqi vendimmarrëse, por që prej shekullit të 16-të ka konsoliduar në vazhdimësi rolin dhe rëndësinë që ka në mirëqeverisjen dhe përparimin e shoqërisë përmes llogaridhënies së pushtetmbajtësve. Evoluimi i saj nuk ka qenë një fushë me lule dhe ndër vite, bashkë me sofistikimin e mjeteve të komunikimit u sofistikuan edhe metodat e rrugët e ndjekura nga pushteti për të ngulfatur zërin e lirë e kritik.

Mes pushtetit dhe medias ka një betejë të përhershme, e para për të qenë e lirë dhe i dyti për ta kontrolluar. Historiku i këtyre betejave në vende të ndryshme ka prodhuar fitues të ndryshëm, por një rezultat; sa më e zhvilluar dhe e pavarur të jetë media, aq më e zhvilluar dhe e begatë është një shoqëri.

Sot, problemi i medias nuk është vetëm presioni i vazhdueshëm i politikës, por edhe fenomeni i lajmeve të rreme (Fake News). Ndaj këtyre lajmeve nuk kanë imunitet as mediat shqiptare, sidomos në këto kohë “bumi” portalesh e faqesh informative. Për një pjesë të madhe të lexuesve online mbetet e vështirë sfida për të dalluar një lajm të rremë nga një të vërtetë.

Sipas parimit “nga bari i thatë digjet edhe i njomi” këtu hyn në mes politika, që e shfrytëzon këtë pjesë për të denigruar besimin edhe të mediave të shëndosha. Edhe ky fenomen nuk është shqiptar. Janë të përbotshme tashmë “betejat” e Donald Trump me CNN, me New York Times, Washington Post e të tjera media të njohura amerikane, që të gjitha i akuzon shpesh përmes Tëitter-it për lajme të rreme.

Në Shqipëri, politika, nga të dyja kahet rrallë është përfshirë në emra konkretë, qoftë për mediat online, qoftë për ato tradicionale, por Kryeministri Edi Rama i fut padrejtësisht të gjitha me “një thes”, duke i quajtur “kazanë mediatikë”.

E në këtë betejë të vazhdueshme, në cilën anë mbetet publiku? Për ta kuptuar këtë po rikthehemi disa muaj pas në kohë për të sjellë gjetjet e një sondazhi të ndërmarrë nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (PNUD).

Sondazhi i titulluar “Besimi në Qeverisje 2017” u zhvillua për të pestin vit me radhë dhe sjell të dhënat e grumbulluara nga pyetjet drejtuar 1648 qytetarëve të shtresave dhe rajoneve të ndryshme të vendit për besimin që kishin tek institucionet publike, shoqëria civile dhe tek media.

Interesante ishte gjetja se partitë politike, pikërisht ato që ndërmorën reformën në drejtësi nxitur edhe nga besimi i ulët i qytetarëve tek drejtësia, gëzonin në 2017 të njëjtin nivel besimi sa gjykatat, po 21 për qind.

Partite, Qeveria dhe Parlamenti gezojne me pak besim se media tek shqiptaret. Foto ilustruese

Të ndarë në kategori, vetëm 3 për qind u besojnë plotësisht partive politike dhe 18 për qind thonë se përgjithësisht u besojnë. Pjesa më e madhe, 48 për qind thonë se përgjithësisht nuk u besojnë partive politike dhe 29 për qind të tjerë nuk kanë besim fare tek to.

Edhe Qeveria, sipas këtij sondazhi gëzon më pak besim tek qytetarët sesa media. Në total janë 47 për qind e të anketuarve që i besojnë asaj, të ndarë sipas kategorive; 9 për qind që i besojnë plotësisht, 38 që përgjithësisht i besojnë, 33 për qind që përgjithësisht nuk i besojnë dhe 20 për qind që nuk kanë besim fare tek ajo.

Parlamenti renditet më keq akoma se qeveria, ku vetëm 34 për qind e të anketuarve kanë besim tek ai si institucion, ndërsa institucionet më të besuara janë ato fetare dhe institucionet ndërkombëtare, si NATO dhe BE.

Me jeshile te forte kategoria e personave qe u “besojne”, jeshile e zbehte qe “pergjithesisht u besojne”, te kuqe te zbehte ata qe “pergjithesisht nuk u besojne” dhe me te kuqe te forte kategoria qe “nuk u besojne”

Po tek media, sa besojnë shqiptarët? Sipas sondazhit të IDM dhe PNUD, 54 për qind e të anketuarve kanë besim tek media. Të ndarë sipas kategorive, 10 për qind e të anketuarve shprehen se kanë besim të plotë tek mediat, 44 për qind se përgjithësisht i besojnë, 29 për qind që përgjithësisht nuk i besojnë dhe 16 përqind që nuk kanë fare besim tek to.

Megjithëse del më e besuar se klasa politike dhe institucionet e pushtetit, në vetvete media ka humbur terren në fushën e besueshmërisë në krahasim me vitin 2016, ku gëzonte 58 për qind të besueshmërisë, partitë politike humbën besueshmërinë me 2 për qind krahasuar me 2016, ndërsa Qeveria dhe Parlamenti kanë fituar rritje besimi me përkatësisht 3 dhe 7 për qind.

Sondazhi është zhvilluar në një vit me klimë përplasesë mes vetë politikës dhe kësaj të fundit me mediat, përplasje që është pasqyruar edhe përgjatë këtij viti. Përplasjet e 2017 u reflektuan në uljen e besueshmërisë së publikut tek mediat dhe tashmë mbetet për t’u parë nëse ky fenomen do të ndodhë edhe për 2018.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë