Analize

Kush po lobon për ndarjen e Kosovës?

Verën e kaluar, Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçi tronditën mbarë rajonin me idenë e ndryshimeve territoriale si zgjidhjen më të mirë për mosmarrëveshjet Serbi-Kosovë. Ky lajm befasoi shumë ekspertë, por u mbështetet nga kryeministri Rama dhe pothuajse të gjitha fuqitë botërore, përveç Gjermanisë.

Të dy presidentët ishin mjaft të ndrojtur kur binte fjala për të shpjeguar se çfarë lloj ndryshimesh territoriale ishin duke propozuar, por ideja e tyre mori lobim të jashtëzakonshëm si në Bruksel ashtu edhe në Uashington.

Edhe ose askush nuk e ka të qartë sesi do të do bëhet ky shkëmbim territoresh, skenari që do të përcaktonte ndarjen e Kosovës në lumin Ibër (duke e bërë Veriun e Kosovës pjesë të Serbisë dhe komunat me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, pjesë të Kosovës) mori dritën e gjelbër nga aktorët kryesorë në bashkësinë ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara në Bashkimin Europian. Duket sikur kjo marrëveshje tashmë është arritur dhe do të zbatohet sapo dy qeveritë të marrim mbështeten e duhur në shtëpi.

Megjithatë, marrëveshja e arritur prapa kuintave, mori një goditje të fortë pas vendosjes së një tarife 100 për qind nga mallrat që vinin nga Serbia dhe këmbënguljes së kryeministrit Haradinaj për ta mbajtur në fuqi këtë vendim. Por a është marrëveshja për ndryshimet territoriale ende në tavolinë dhe kush po lobon pro saj?

Ekspertët thonë se sapo të zgjidhet çështja e tarifave, shkëmbimi i territoreve do të kthehet në temën kryesore, pasi në vërtetë nuk është larguar kurrë nga tryeza e negociatave.

Në një intervistë tronditëse për gazetën austriake "Der Standard" ish-Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç zbulon se Toni Bler dhe Aleks Soros, djali i Xhorxh Soros, po lobojnë vazhdimisht për ndarjen e Kosovës.

“Wolfang Petritsch punon në nivelin e Bashkimit Evropian. Tony Blair, si ish-kryeministër britanik, punon në të gjitha nivelet dhe me të gjitha palët. Në Amerikë është Corey Lewandoëski, ish drejtuesi i fushatës presidenciale për Trump, i cili drejton një firmë konsulence në Uashington. Lewandoëski takoi Vuçiçin në Beograd dhe loboi në Uashington për ndarjen e Kosovës. Mbi të gjitha, Aleksandër Soros përpiqet të bindë përfaqësuesit e demokratëve në SHBA për ndarjen e Kosovës”, ka rrëfyer ai.

Ish ministri i jashtëm serb në vitet 2007-2012 thotë se Plani Thaçi-Vuçic për ndarjen e Kosovës mbi baza etnike është mbajtur shumë i fshehtë edhe në Serbi dhe se ai ka dëgjuar për këtë plan, kur Tony Blair udhëtoi në Gjermani për të bindur Angela Merkelin për këtë ide.

“Ajo është kreu i vetëm i qeverive perëndimore që ka hedhur poshtë publikisht ndryshimet e kufijve. Si rezultat, në qarqet diplomatike u bë e njohur se Vuçiç është i gatshëm të japë Luginën e Preshevës në Kosovë në shkëmbim me zonat në Kosovën e Veriut.”– thotë Jeremiç për gazetën austriake Der Standard.

Vuk Jeremiç

I pyetur se përse kryeministri Edi Rama, Vuçiç dhe Thaçi janë duke punuar së bashku në këtë rast, Jeremiç shprehet se: Ata e kuptojnë se anëtarësimi në BE është një rrugë e gjatë, kështu që kanë vendosur prioritete të tjera. Vuçiçi po thellon sundimin autokratik, Thaçi po përpiqet të qëndrojë në pushtet dhe Rama i bie fyellit të nacionalizmit. Pavarësisht akuzave verbale publike, këta punojnë shumë ngushtë me njëri-tjetrin pas dyerve të mbyllura. Por, nuk mund të ndërtosh marrëdhënie të qëndrueshme dhe të mira mes dy popujve, duke i nxitur njerëzit kundër njëri-tjetrit me retorika luftarake. Historia e ka provuar këtë jo shumë larg në kohë. Në fillim të viteve 1990, kur Sllobodan Millosheviç (Presidenti serb) dhe Franjo Tuxhman (Presidenti kroat) mbajtën lidhje të ngushta dhe biseduan për ndarjen e Bosnjës pas dyerve të mbyllura, kjo përfundoi në një katastrofë.

Jeremiç ngre shqetësimin tjetër se marrëveshja për një shkëmbim territorial midis Vuçiçit dhe Thaçit nuk garanton miratimin e saj në Këshillin e Sigurimit dhe as pranimin e Kosovës në OKB nga Rusia dhe Kina, si dy anëtare të Këshillit të Sigurimit.

I pyetur nga “Der Standard”, nëse parashikon që këtë vit të ketë ende një marrëveshje midis Vuçiçit dhe Thaçit, ish ministri i jashtëm serb përgjigjet: “Vlerësoj mundësinë në 50%, sepse ka kundërshtim të fortë. Si në Serbi, dhe në Kosovë, shumica e popullsisë është kundër kësaj marrëveshjeje. Në Serbi është kundër edhe Kisha Ortodokse. Do të doja që politika evropiane të kthehej në perspektiva afatgjata dhe të mos bënte zgjidhje të shpejta”, thotë ai.

Ndërkohë, edhe Florian Bieber, profesor në Universitetin e Gracit dhe koordinator i Grupit Këshillues të Politikave të Ballkanit beson se ndryshimet territoriale janë negociuar gjatë gjithë kësaj kohe “nën radar”. Sipas tij Gjermania vazhdon të kundërshtojë fuqimisht idenë e ndarjes.

Hashim Thaçi dhe Aleksandër Soros

"Ndërmjetësimi i BE-së së shpejti do të mbyllet për shkak të zgjedhjeve të ardhshme në Parlamentin Europian. Ndonëse disa janë vende në BE të hapura ndaj këtij skenari, është e rëndësishme të kihet parasysh se Gjermania është një nga vendet e pakta me përkushtim politik për këtë çështje dhe ajo është kategorikisht kundër. Të tjerë mbështetën logjikën se ‘për sa kohë ka një ide që të dyja palët e pranojnë, ne jemi në favor’, por kjo nuk do të thotë se ata do të promovojnë ndarjen e Kosovës ", thotë ai.

Sipas Tena Prelec, hulumtuese në Universitetin e Sussex dhe Shkollën e Ekonomisë dhe Shkencave Politike në Londër (LSE) negociatat janë në vazhdim e sipër edhe në Bruksel dhe se pikat kryesore të diskutimit janë heqja e tarifave .

"Edhe pse publikisht të dyja palët kanë heshtur, së shpejti mund të shohim shumë zhvillime. Unë nuk do të isha e befasuar nëse ndryshimet e kufijve do të ishin ende pjesë e diskutimit, pasi Vuçiç duhet të çojë diçka në shtëpi për t’u mbyllur gojën nacionalistëve. Nga ana tjetër, unë besoj se pala shqiptare do të pranojë çdo marrëveshje që përfundon me njohjen e Kosovës”, thotë ajo.

"Komisioni i ri, strategji e re"

Aktori i tretë kyç në këtë trekëndësh, Bashkimi Europian, e gjen veten përballë zgjedhjeve për Parlamentin Europian këtë maj. Ky mund të jetë një faktor i madh kur bëhet fjalë për mundësinë e arritjes së marrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës në vitin 2019 dhe gjithashtu ngre një pikëpyetje të madhe për vazhdimin e procesit në këtë format në vitet e ardhshme.

Florian Bieber

Në vitin 2018, BE-ja dukej veçanërisht e etur për të parë përfundimin e këtij procesi deri në fund të mandatit të Komisionit Europian. Ajo u bëri thirrje të dyja palëve që të arrijnë "urgjentisht" marrëveshjen për normalizimin gjithëpërfshirës, .

Sipas Srđan Majstoroviq, Kryetarit të Bordit të Qendrës së Politikave Europiane "ka mjaft presione të jashtme që mund të rezultojnë me nënshkrimin e një marrëveshjeje deri në fund të mandatit të Komisionit aktual”. Ai thotë se shtysa kryesore po vjen nga vetë Presidenti amerikan, i cili po i motivon vazhdimisht udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës që të arrijnë një marrëveshje.

Megjithatë, ai beson se “vulosja” e kësaj marrëveshjeje do të varet nga gatishmëria e të dyja palëve për të trajtuar çështje të vështira, duke përfshirë edhe natyrën dhe vendndodhjen e vijave kufitare, të cilat do të kërkojnë debate serioze të brendshme mbi ndryshimet kushtetuese në Serbi dhe Kosovë".

Srdjan Majstorovic

Pyetja kryesore është se cila do të jetë pozita e BE-së ndaj dialogut Beograd-Prishtinë dhe ndryshimet e propozuara të kufirit nëse marrëveshja do të arrihet brenda mandatit këtij Komisioni.

Florian Bieber pret që Komisioni i ri të jetë shumë më efektiv, pasi qasja e Federica Mogherinit ka dhënë rezultate të kufizuara. Si ai, ashtu edhe shumica e ekspertëve pajtohen se shkëmbimi i territoreve nuk do të përfaqësonte një zgjidhje adekuate për procesin e normalizimit të Serbisë dhe Kosovë.

Sipas Srdjan Majstorovic, "në këtë moment është e pamundur të diskutohet për ndryshimet kufitare midis Serbisë dhe Kosovës dhe se çfarë do të nënkuptonte në terma territorialë, meqë informatat nga të dyja palët janë të pakta.

"E gjithë iniciativa , që duket të bazohet në marrëveshjen private midis dy presidentëve, është jo transparente dhe jo demokratike. Për më tepër, ajo mund të shkaktojë pasoja shumë negative në rajon ", thotë Majstoroviq.

"Për të arritur një marrëveshje, udhëheqësit duhet të nxisin një bashkëpunim më të ngushtë midis njerëzve të vendeve të tyre”, thekson ai.

Burimet: "Der Standar", "European Western Balkans"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë