Politike

Kush po e dhunon Xhisielën?

Në ditët e fundit të muajit korrik, Sali Berisha, ashtu si kolegët e tij deputetë në Parlament kishte pak ditë që kishte mbyllur sesionin parlamentar dhe po përgatitej për pushimet.

Por, opozitarizmi është një detyrë që nuk e ka luksin e pushimeve dhe Sali Berisha vazhdonte të denonconte në rrjetet sociale ngjarje a fenomene për të cilat akuzon drejtpërdrejtë qeverinë dhe deputetët e socialistë.

Një i tillë është edhe postimi i 29 korrikut. Në të, Berisha publikonte mesazhin e të zakonshmit “qytetar digjital”, ku denoncohej fshehja e dhunimit të një vajze 25-vjeçare me mbiemër Maloku nga fshati Zezë i njësisë administrative të Nikëlit në Krujë.

Sipas denoncimit, e reja ishte dhunuar nga shtetasi Rexhep Rraja, djali i deputetit socialist, Rrahman Rraja.

https://www.facebook.com/SaliBerisha/posts/1071517643009142

“Vajza ka bërë denoncim në Drejtorinë e Policisë Tiranë dhe i është deleguar për veprime policisë së rajonit Fushë-Kruje. Policia Fushë-Krujës ka thirrur vajzën dhe ka manipuluar denoncimin, duke i bërë akt pajtimi, por vajza ka shkuar në zyrën e Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesat në Durrës dhe e ka ribërë denoncimin dhe çështja ka ardhur përsëri në Policinë e Fushë-Krujës. Në rajonin e Policisë Fushë-Krujë punon vëllai i deputetit inspector, Bashkim Rraja. Inspektori i krimeve dhe polici gjyqësor janë nën presion e trysninë e deputetit Rrahman Rraja, e të kryetarit të bashkisë, Artur Bushi dhe të vëllait të deputetit, Xhelal Rraja, që është drejtor i Postës Kruje, e të ndërhyrjes së Taulant Ballës kanë bërë të mundur mosndalimin e djalit të deputetit dhe çështja ka shkuar në Prokurinë e Krujës në heshtje. Vajza dhe familja e saj janë nën presion psikologjik e dhunë verbale”, shkruhej në mesazhin denoncues të publikuar nga Sali Berisha.

Denoncimi i ish-Kryeministrit u mor nga një pjesë e mediave, që e publikuan atë dhe lajmi u përhap me shpejtësi, duke detyruar Policinë e Shtetit që të reagonte.

Kjo e fundit doli me një deklaratë një ditë më vonë, ku “sqaronte” se ngjarja po hetohej dhe se ajo nuk ishte mbajtur e fshehtë, por ishte publikuar në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit më 22 korrik, një ditë pas denoncimit të shtetases Xhisela Maloku.

Njoftimi gjendet ende në faqen online të këtij institucioni dhe në të thuhet shkurtimisht kaq: “Më datë 21.07.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës së Parë Krujë, për shtetasin R.Rr, vjeç 24, banues në fshatin Zezë, pasi në mënyrë të vazhdueshme, ka përndjekur e kanosur me anë të mesazheve telefonike, shtetasen Xh.M, vjeçe 25. Neni 120 i Kodit Penal”.

Me kaq u mbyll korriku për këtë ngjarje, e po ashtu edhe gushti, për të shpërthyer gjithçka ditën e mërkurë, më 26 shtator. Rreth mesditës së kësaj dite në media nisi të qarkullojë intervista e gazetarit Basi Çollaku me nënkomisarin Emiljano Nuhun.

Emri i këtij të fundit nuk ishte përmendur asnjëherë deri në këto ditë për çështjen e denoncimit të djalit të deputetit Rrahman Rraja, por ai në intervistën e dhënë pretendon të kundërtën.

Pasi prezanton detyrat që ka mbajtur ndër vite si efektiv i Policisë së Shtetit, ai thotë se më datë 21 korrik ka qenë në detyrë si oficer i policisë gjyqësore në stacionin policor të Fushë-Krujës. Këtë detyrë e kishte marrë në shtator të 2017-s dhe e mbajti deri në 15 gusht të këtij, viti kur është transferuar, siç thotë me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu për në qarkun e Beratit. Arsyet e transferimit i lidh me një dosje që po hetonte prej datës 21 korrik.

Pikërisht në këtë datë, në stacionin policor të Fushë-Krujës i është transferuar një denoncim i bërë në Komisariatin nr.3 të Tiranës nga shtetasja Xhisiela Maloku.

“Ka disa arsye. Një nga arsyet është që me transferimin tim bëhej e mundur ndërprerja e dosjes numër 372, që është në ngarkim të djalit të deputetit Rrahman Rraja, i cili quhet Rexhep Rraja. Duke më transferuar mua ndërpriteshin hetimet dhe i mundësonte atij prishjen e provave”, deklaron Nuhu.

Por si përfundoi në dorën e tij dosja në ngarkim të djalit të deputetit socialist të Krujës?

“Asnjë oficer tjetër nuk mori përsipër këtë dosje, ndaj më ngeli mua. Më 21 korrik 2018, shtetasja Xhisiela Maloku nga zona e Niklës së Fushë-Krujës, e cila ka shkuar në komisariatin numër 3 për të kallëzuar shtetasin Rexhep Rrahja”, sqaron Nuhu.

Oficeri jep me tej variantin e tij se si nisi denoncimi. Ai thotë se 25-vjeçarja Xhisela Maloku kishte deklaruar se më datë 19 korrik, rreth orës 17:30 në vendin e njohur si Ura e Gjolës në Nikël, shtetasi Rexhep Rraja e ka marrë me forcë nën kërcënimin e armës në makinën e tij. Më tej, sipas dëshmisë, ai e ka dërguar në një hotel, ku ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj. Nga dhuna, thotë denoncuesja, sipas oficerit të policisë gjyqësore, asaj i ka rënë të fikt dhe nuk është kryer akti i përdhunimit.

“E ka goditur me grushta, e ka djegur me cigare në pjesë të ndryshme të trupit dhe këto provohen edhe nga ekspertiza që është kryer më vonë”, thotë Emiljano Nuhu.

Dëshmia në polici e publikuar nga gazeta "Panorama"

Oficeri pretendon se kallëzuesja është paraqitur disa herë në komisariatet policore për të bërë kallëzimin, por sipas tij, është refuzuar për shkak të ndikimit të babait të autorit të ngjarjes, deputetit Rrahman Rraja.

“Në fund të vitit 2017 ka shkuar në Komisariatin nr.6 në Tiranë për të njëjtën akuzë, por nuk është marrë kallëzimi nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore”, deklaron ai.

Duke iu rikthyer dëshmisë së vet, Nuhu thotë versionin e tij se çfarë ka ndodhur më 21 korrik, pasi ka marrë njoftimin nga salla operative për denoncimin e Xhisela Malokut.

“Me sa mbaj mend ka qenë ditë e shtunë dhe unë kam qenë oficer i gatshëm i policisë gjyqësore në stacionin e Fushë-Krujës dhe mbuloja të gjitha ngjarjet që ndodhnin atë ditë në Fushë-Krujë dhe Krujë. Sapo kam marrë njoftimin, kam njoftuar shtetasin Rexhep Rraja që të paraqitej në stacionin e policisë në Fushë-Krujë”, shton ai.

Thotë se Rexhep Rraja është paraqitur rreth orës 19:30 të asaj dite, ku pasi i ka komunikuar akuzën ka njoftuar edhe Prokuroren e Krujës, Mirela Kapo. I akuzuari ka refuzuar që të flasë dhe në të tilla kushte, Nuhu thotë se njoftoi sërish prokuroren Kapo.

“Prokurorja më tha që t’i bëja të ditur Rexhep Rrajes se do të arrestohej dhe të njoftojë avokaat që të jetë i pranishëm për procedurë”, shton Nuhu në rrëfimin e vet.

Pikërisht këtu, të paktën në versionin e dhënë nga Nuhu gjërat ndërlikohen. Thotë se ka njoftuar babain e Rexhep Rrajas, deputetin socialist Rrahman Rraja, i cili është paraqitur në stacionin policor, por jo i vetëm.

“Erdhi i shoqëruar nga kreu i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi dhe deputeti tjetër, Taulant Balla dhe nga vëllai i tij, Xhelal Rraja. Bushi dhe Balla kanë lidhje shoqërore shumë të ngushta me deputetin e Krujës dhe erdhën shumë shpejt në zyrën time”, shton ai.

Dëshmia jep më pas atë që ka ndodhur, sipas oficerit të policisë në zyrën e tij. Deklaron se deputeti Rrahman Rraja i ka folur me një gjuhë kërcënuese. “Nuk ka shanse që tit ë arrestosh djalin tim”, citohet deputeti nga Emiljano Nuhu.

Ai që ka shkuar më tej ka qenë xhaxhai i të akuzuarit, Xhelali. Nuhu thotë se Xhelali i ka kërkuar Rexhepit që të dalë jashtë nga zyra dhe të largohet menjëherë. Por, oficeri i policisë thotë se e ka kundërshtuar dhe se nuk mund ta linte të largohej pa folur më parë në telefon me Prokuroren Mirela Kapo. Në këtë moment akuzon Xhelal Rrajan se i ka vendosur pistoletën në kokë, duke i përsëritur kërcënimin: “Nuk ke shanse të arrestosh Rexhepin sot, se nuk del i gjallë nga kjo zyrë. Ti nuk do të flasësh me askënd dhe kjo gjë do të mbyllet këtu, përndryshe të zhduk”, shton Nuhu.

Ish-oficeri shton më tej se gjithçka ka ndodhur në sy të kreut të bashkisë së Krujës dhe deputetit Taulant Balla. Këta dy, sipas tij, me një qetësi të habitshme i kanë kërkuar Xhelalit që të ulë pistoletën, se “polici është djalë i mirë dhe nuk i bën të tilla gabime”.

Pas kësaj, Nuhu thotë se ka komunikuar me eprorin e tij, shefin e Komisariatit të Krujës, të cilit i ka kërkuar forca policore për të zbatuar urdhrin e prokurores për arrestimin e Rexhep Rrajas. Eprori, sipas rrëfimit të tij, e ka këshilluar që të mos bëjë asnjë veprim dhe se “do të merrej ai vesh me ta”.

Deklaron më pas se po shefi i Komisariatit të Krujës, Artur Hebaj i ka thënë që të heqë dorë nga dosja dhe t’ja lerë atë në dorë oficerit të policisë gjyqësore, Gentian Çitozi, që thotë se është mik me Rrajat.

Çitozi është përpjekur që ta mbyllë kallëzimin përmes pajtimit dhe ka thërritur në stacion edhe kallëzuesen Xhisiela Maloku. Por, vetë kjo e fundit, një ditë më vonë ka denoncuar tek Shërbimet për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat rastin në fjalë. SHÇBA kanë pezulluar menjëherë Çitozin dhe Emiljano Nuhu thotë se e rimori sërish dosjen në hetim dhe më 30 korrik, i ka marrë të njëjtën dëshmi shtetases Xhisela Maloku dhe dosja ndodhet për hetim në Gjykatën e Krujës.

Nuhu thotë se gjatë vazhdimit të hetimeve është kërcënuar nga Rexhep Rraja dhe njerëz të tjerë, me të cilët është takuar në një moment në zonën e Unazës së Re në Tiranë dhe fill më pas ka bërë kallëzim në polici, ku tha se ishte i kërcënuar. Ai thotë se kërcënimet i ka marrë edhe përmes mesazheve në WhatsApp.

Çfarë thotë viktima?

Se çfarë ka shkruar në kallëzimin e bërë ndaj Rexhep Rrajas në këtë situatë vetëm Xhisela Maloku mund të thotë, por në një intervistë dhënë për Report TV, vetë 25-vjeçarja rrëzoi një pjesë të mirë të pretendimeve të Emiljano Nuhut.

Në intervistën dhënë për gazetarin Muhamed Veliu, ajo thotë se Nuhu gënjen, pasi deputetët Balla dhe Rraja nuk kanë qenë në polici, megjithëse as ajo vetë nuk ka qenë e pranishme në zyrën e Nuhut, të paktën edhe sipas versionit të këtij të fundit.

Ajo deklaron se nuk e njeh fare Emiljano Nuhun dhe shton se denoncimin e kishte bërë në komisariatin nr.3, ndërsa në Fushë-Krujë ishte paraqitur për ta tërhequr atë denoncim, pasi ishte penduar. 25-vjeçarja mohon se është përndjekur nga djali i deputetit Rraja, Rexhepi dhe as që është përdhunuar prej tij.

“Dikush po e përdor emrin tim për arsye politike dhe kërkoj që prokuroria të merret me këtë. Të hapë mesazhet, të shohë telefonatat”, deklaron ajo.

Politika, stisje apo kërcënim?

Lulzim Basha e postoi të plotë intervistën e Emiljano Nuhut përmes rrjeteve sociale dhe në mbishkrimin shoqërues të saj thotë se “ajo është dëshmi tronditëse për kërcënimin e tij më pistoletë në kokë në prani të Taulant Balles, deputetit të PS, Rrahman Rrahja, kryetarit te Bashkisë Krujë, Artur Bushi”.

Basha e quajti krim shtetëror dhe para drejtësisë nuk duhet të dalë vetëm Rexhep Rraja.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/315349315933861/

“Mbi të gjitha ky është një krim shtetëror, ndaj para drejtësisë duhet të dalë jo vetëm sadisti çnjerëzor Rexhep Rrahja, por edhe pushtetarët që i dhanë mbrojtjen shtetërore kriminelit: Rrahman Rrahja, Artur Bushi dhe Taulant Balla, ky i fundit një politikan bandit i zhytur në botën e krimit. Së bashku me ta, para drejtësisë duhet të dalin të gjithë drejtuesit e policisë dhe të prokurorisë që braktisën ligjin, detyrën dhe qytetaren e pafajshme, veçanërisht ata që përndoqën, larguan dhe kërcënuan dhe bënë plane për ta eliminuar nënkomisarin Emiljano Nuhu që u përpoq të luftonte krimin. Ky krim i rëndë kundër njeriut, i mundësuar dhe mbrojtur nga funksionarët më të lartë të shtetit është këmbana e alarmit për të gjithë shoqërinë se tashmë jetët e çdo kujt janë të rrezikuara nga kriminelët e rrugës që mbrohen nga kriminelët e shtetit”, deklaroi ai.

Vetë Taulant Balla reagoi duke e cilësuar deklaratën e Emiljano Nuhut një tjetër “skenar fabrikuar nga Partia Demokratike” dhe paralajmëroi depozitimin në prokurori të një padie.

Taulant Balla ne nje konference per shtyp. Foto LSA

Padia u depozitua këtë të enjte dhe në të paditen tre persona për shpifje, fyerje, fyerje dhe cënim imazhi . I pari në kërkesë-padinë është Lulzim Basha, më pas gazetari Basi Çollaku dhe në fund vetë protagonisti i videos, Emiljano Nuhu.

Për këtë të fundit, Taulant Balla thotë se të gjithë “shpifjen e ka bërë për të përfituar azil” dhe se në radhët e Policisë së Shtetit ai nuk do të kalonte testin e vettingut që po kryhet.

Balla mohon se më 21 korrik ka qenë në stacionin policor të Fushë-Krujës dhe thotë se ka dëshmitarë për të provuar që nga data 19 korrik deri më 22 korrik ka qenë në Elbasan, Librazhd dhe Pogradec.

Edhe deputeti Rrahman Rraja ka mohuar akuzat. Ai thotë se nuk e ka takuar asnjëherë efektivin e policisë Emiljano Nuhu, pranon se mes të birit dhe Xhisiela Malokut ka patur një lidhje, por denoncimin e saj e lidh me shkaqe xhelozie, ndërsa shton se akuzat janë krejtësisht politike dhe të sajuara nga Partia Demokratike.

Edhe kreut të Bashkisë Krujë ka mohuar akuzat. Në një prononcim për News24, Artur Bushi thotë se dëshmia e Nuhut është e gatuar në selinë e PD dhe se ai nuk ka qenë në komisariatin e Krujës dhe për ta vertetuar pretendimin e tij kërkon të publikohen pamjet e komisariatit.

Policia

Në reagimin e saj policia kujton deklaratën e shkurtët të 22 korrikut, ku thotë se e ka pasqyruar ngjarjen dhe nuk e ka fshehur, por rrëzon një pjesë të dëshmisë së Emiljano Nuhut.

Policia thotë se Nuhu nuk a ka patur si dosje këtë çështje, por ajo ka qenë e Gentian Çitozit, e madje në ditën që thotë se është kërcënuar, sipas policisë, ai nuk ka qenë fare në stacionin policor të Fushë-Krujës.

Policia konfirmon takimin e oficerit me shtetasit Rexhep Rraja dhe Redian Rraja, por ndryshe nga Emiljano Nuhu, thotë se “nga verifikimet bisedat mes tyre në WhatsApp janë miqësore.

“Takimi mes oficerit Emiljano Nuhu dhe shtetasit e pretenduar R.Rr. dhe R.Rr. në një lokal në Tiranë ka ndodhur. Por nga verifikimet e kryera pas kallëzimit të bërë nga Emiljano Nuhu në Komisariatin nr. 6 në Tiranë dhe më pas referuar në Prokurorinë e Tiranës, rezulton se ata njiheshim shumë më herët, që në kohën kur Nuhu ishte me detyrë në Policinë e Tiranës. Komunikimet e kryera midis tyre përmes aplikacionit ‘Whatsapp’ kanë qenë miqësore dhe pa kërcënime”, thotë Policia.

Prokuroria nis hetimet

Kur ende nuk dihet se çfarë është bërë me dy dosje të ngjashme të këtij lloji, ajo “Zagani” dhe ajo e “Babales” së Vlorës, organet e hetimit u duhet që të merren me një të tretë.

E vërteta, sipas ligjit, mund të dalë vetëm nga ky institucion dhe më pas të “vuloset” nga gjykata, por vështirë se kjo çështje do të mbyllet shpejt.

Prokuroria e Tiranes

Prokuroria e Tiranës ka administruar në dosje materialin filmik dhe zanor me dëshminë e ish-oficerit Emiljano Nuhu. Sipas Prokurorisë, objekti i hetimit është verifikimi i rrethanave të paraqitura në dëshmi.Po ashtu Prokuroria po kryen veprimet paraprake për të vlerësuar nëse ka elementë të veprës penale. Grupi i hetimit pritet të këqyrë regjistrin e hyrje-daljeve të Komisariatit të Policisë së Krujës.

Do të zbardhet apo jo, mbetet për t’u parë, por e sigurtë është që një tjetër oficer i policisë së shtetit, pasi lëshon akuza të rënda ndaj zyrtarëve të lartë largohet nga vendi pa “nam e nishan” me adresë vendet e Perëndimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë