SHBA-ja ka konfirmuar vendosjen e një arme hapësinore në orbitën e Tokës, kjo është hera e parë që vendi pranon ekzistencën e aftësive të tilla sulmuese.
Sekretari amerikan i Forcave Ajrore, Troy Meink, deklaroi se arma e vendosur në orbitë ishte e domosdoshme për të mbrojtur forcat amerikane nga veprimet armiqësore.
Duke folur të hënën në Konferencën për Aviacionin, Hapësirën dhe Kibernetikën, Meink tha se SHBA-ja ishte e përgatitur përballë “kërcënimeve në zhvillim”, por nuk dha detaje të mëtejshme mbi aftësitë e armës apo kohën kur ajo u vendos në orbitë.
Drejtues të lartë ushtarakë kanë deklaruar më parë se planifikonin të forconin kapacitetet ushtarake në hapësirë, duke iu referuar programeve ruse dhe kineze që synojnë zhvillimin e mënyrave për të sulmuar dhe neutralizuar satelitët amerikanë në rast konflikti të ardhshëm.
Administrata Trump ka deklaruar se kapacitetet hapësinore, si dhe raketat përgjuese, përbëjnë një element kyç të sistemit të planifikuar të mbrojtjes “Golden Dome” (Kubeja e Artë), i cili synon të mbrojë SHBA-në nga raketat dhe kërcënimet e tjera ajrore.
Një traktat i vitit 1967 ndaloi vendosjen e armëve të shkatërrimit në masë në orbitë. Që atëherë, fuqitë kryesore, përfshirë SHBA-në, Rusinë dhe Kinën, kanë eksploruar aftësi të tjera që nuk përfshihen në traktat, siç është shënjestrimi i satelitëve të rivalëve, të cilët janë thelbësorë për komunikimin ushtarak, mbikëqyrjen dhe navigimin.
Vitin e kaluar, Presidenti Donald Trump nxori një urdhër ekzekutiv që theksonte rolin e Forcës Hapësinore të SHBA-së jo vetëm në mbrojtjen e aseteve, por edhe si forcë sulmuese.
Forca Hapësinore e SHBA-së- dega më e re e ushtrisë amerikane në më shumë se 70 vjet- u krijua në vitin 2019 me qëllim mbrojtjen e aseteve amerikane në hapësirë, përfshirë qindra satelitë që përdoren për komunikim dhe mbikëqyrje.
Një zëdhënës i Forcës Hapësinore Amerikane tha se kontrolli i hapësirës përfshin zonat e misionit të nevojshme për të kundërshtuar dhe kontrolluar domenin hapësinor- duke përdorur mjete kinetike dhe jo-kinetike për të ndikuar në aftësitë e kundërshtarit përmes ndërprerjes, degradimit dhe madje shkatërrimit, nëse është e nevojshme.
“Këto aftësi mund të përdoren për qëllime sulmuese dhe mbrojtëse në drejtim të komandave luftarake.”
Në fillim të shkurtit, u zbulua se dy satelitë rusë me shumë gjasa kanë përgjuar komunikimet e të paktën një duzine satelitësh evropianë që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
Përgjime të tilla mund t’u kenë lejuar shërbimeve të inteligjencës ruse të lexojnë të dhënat e ndjeshme që ata transmetojnë, ose hipotetikisht, madje të marrin kontrollin e satelitëve.
Në vitin 2024, SHBA-të thanë se Rusia kishte lëshuar një satelit që besonte se mund të ishte i aftë të sulmonte sonda të tjera të tilla. Rusia nuk komentoi publikisht për këtë çështje.
Forca Hapësinore Amerikane thotë se Kina “zhvillon dhe operon aftësi hapësinore dhe kundërhapësinore si pjesë e një strategjie modernizimi ushtarak”, ndërsa Rusia “e sheh hapësirën si një fushë lufte dhe beson se supremacia hapësinore do të jetë një faktor vendimtar në konfliktet e ardhshme”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje