Histori

Kush e zbuloi vërtet Antarktidën?

Dyqind vjet që nga zbulimi i Antarktidës, kontinenti i ngrirë njihet si vatër e kërkimeve shkencore dhe një vend aventuresk dhe rreziku të lartë. Po kush e zbuloi vërtet kontinentin e ri? Kjo varet nga mënyra se si ju e përcaktoni fjalën “zbuloj”. Vrojtimi fatlum mund t’i atribuohet një ekspedite ruse më 27 janar 1820, ose një britanike vetëm tri ditë më vonë.

Kapiteni James Cook

Deri në fillim të shekullit të 19, eksploruesit ishin në kërkim të një kontinenti masiv jugor që ata e quanin Terra Australis Incognita (“tokë e panjohur jugore”). Kjo tokë e gjerë, u mendua, do të “ekuilibonte” tokën në Hemisferën Veriore. Por përpjekjet e hershme për të gjetur kontinentin kishin dështuar. Kapiteni James Cook kaloi tre vjet duke e kërkuar atë gjatë udhëtimit të tij të dytë nga 1772-1775. Ekspedita e çoi Cook dhe njerëzit e tij në Rrethin e Antarktikut, por eksploratori përfundimisht e quajti të mbyllur ekspeditën pasi nuk arriti të gjente kontinentin.

Ekspedita e kapitenit britanik James Cook

Cook ishte i bindur se kishte diçka më shumë në këtë histori. “Unë besoj me vendosmëri se ka një truall tokësor afër Polit, i cili është burimi i pjesës më të madhe të akullit që është përhapur në këtë Oqean të gjerë Jugor”, shkroi ai në fund të ekspeditës, por “rreziku në eksplorimin e një bregdeti në këto dete të panjohura dhe të akullta, është aq i lartë, saqë me plot gojën mund të them, se askush nuk do të guxojë kurrë të aventurohet më larg se unë dhe se tokat në Jug mundet që të mos eksplorohen kurrë. Më vonë, gjatë rrjedhës së historisë, u zbulua se Cook kishte qenë vetëm 80 milje larg nga bregu i kontinentit në një moment të udhëtimit të tij.
Udhëtimet e Cook nxitën eksplorues të tjerë, por asnjëri nuk pati sukses dhe kërkimi për “tokën e panjohur jugore” u konsiderua i pamundur. Pastaj, kërkimi për Antarktidën u ndez përsëri në sajë të rivaliteteve ndërkombëtare dhe fitimeve të mundshme nga lëkurat e fokave të gjuajtura në ujërat e akulltë. Konkurrenca globale për territorin dhe mbizotërimin ekonomik, nxiti eksplorues nga Rusia, Anglia dhe Shtetet e Bashkuara drejt Antarktidës.

Më 1819, Rusia ngarkoi Fabian von Bellingshausen të shkonte më tej në jug, përtej vendit ku kishte mbërritur Cook. Më 27 janar 1820, ai dalloi akullin e ngurtë, pjesë të bregut të kontinentit, që tani njihet si Land Maud Land. Në padijeni të eksploratorit të pajtuar nga Rusia, tri ditë më vonë, oficeri i marinës britanike Edward Bransfield zbuloi majën e Gadishullit të Antarktikut.
Megjithëse von Bellingshausen ishte teknikisht i pari që pa kontinentin e panjohur – shkruan historiani David Day – arritja e tij u fsheh për dekada nga një përkthim i pasaktë i ditarit të tij që i bëri historianët të supozojnë se ai nuk kishte parë tokë. Amerikanët nuk ishin shumë larg: John Davis, gjahtar dhe eksplorues, ishte personi i parë që vuri këmbë në tokën e Antarktikut në 1821.

Gara për të gjetur Antarktidën ndezi konkurrencën për të gjetur Polin e Jugut – dhe nxiti një rivalitet tjetër. Eksploratori Norvegjez Roald Amundsen e gjeti atë më 14 dhjetor 1911. Pak më shumë se një muaj më vonë, Robert Falcon Scott e gjeti gjithashtu. Ai u kthye mbrapsht me rezultate katastrofike. I gjithë ekipi i Scott u zhduk dhe ekspedita ende vlerësohet si një dështim. Megjithatë, kur Amundsen foli përpara Shoqërisë Gjeografike Mbretërore, në një ceremoni për nder të arritjeve të tij – shkruan historiani Edward J. Larson – të pranishmit vlerësuan më shumë qentë e eksploruesit, por jo edhe atë. Antarktida mund të jetë e ftohtë, por pasionet që ndez në zemrat e eksploruesve dhe kampionët e tyre, janë me të vërtetë të zjarrta.

Më Shumë