Analize

Kush do të jetë pasuesi i Angela Merkel?

Gjermania po përgatitet të hyjë në një epokë të re politike, pas zgjedhjeve federale të së dielës, ndërkohë që partia e kancelares mund të zbresë për të herë pas 16 vitesh në vend të dytë.

Kancelarja në largim Angela Merkel iu bashkua fushatës në një tubim në qytetin perëndimor të Aachen të premten në mbrëmje në një përpjekje për të ndihmuar pasardhësin e saj në Unionit Kristian Demokratik (CDU), Armin Laschet, të mbyllë hendekun në socialdemokratin Olaf Scholz.

"Ne kemi nevojë për një qeveri të qëndrueshme," i tha Laschet mbështetësve në qytetin e tij të lindjes. "Nëse doni stabilitet për Gjermaninë, CDU-CSU [Bashkimi Kristian Social] duhet të jetë nesër në vendin e parë. Gjermania, paralajmëroi ai, nuk duhet të bëhet një "vend eksperimental për partitë e majta".

Armin Laschet, i cili u zgjodh në krye të CDU-së me këmbënguljen e Merkel, e përshkruan veten e tij si ‘kandidati i përhershëm’. Sipas Merkel, Laschet është i pajisur me aftësitë e duhura për të udhëhequr ekonominë më të fuqishme të Europës, por sipas sondazheve më të fundit, ai nuk është i preferuari i votuesve gjermanë. Laschet mbështeti politikat e emigracionit të Merkel gjatë vitit 2015 dhe është i njohur gjithashtu për politikat e tij liberale, pasionin për BE-në dhe aftësinë për të bashkuar komunitetet e emigrantëve.

Por fushata e zbehtë, nganjëherë e papërqendruar ka bërë që CDU-ja të ketë mbetur pas një SPD-së muajin e fundit, megjithëse sondazhet në ditët e fundit kanë zbuluar së hendeku midis dy partive tradicionale gjermane të ngushtohet pak. Sondazhi i fundit tregoi se Scholz kishte një mbështetje me 26% të votave, e ndjekur Laschet me 25%. Në sondazhet e tjera, hendeku ishte gjithashtu shumë i ngushtë për të qenë i rëndësishëm.

Por pasuesi i Merkel do të jetë vetëm njëri nga të dy, dhe pavarësisht se sondazhet nxjerrin Scholz me disa pikë para, gjasat që Laschet të përmbysë rezultatin  nuk janë të pakta.

Kush është Olaf Scholz?

Social Demokrati Scholz ka qenë ministër i financave dhe zëvendëskancelar i zonjës Merkel në "koalicionin" e madh të konservatorëve dhe anëtarëve të Partisë Social Demokratike (SPD) që formoi qeverinë në vitin 2017.

Nëse Scholz fiton, ky do të jetë një justifikim i përpjekjes së tij për të ndjekur gjurmët e zonjës Merkel. Edhe pse shpesh etiketohet "i parashikueshëm", ministri 63-vjeçar i financave njihet si njeri i aksionit, të cilit mund t'i besohen misione të vështira.

Avokati ka shërbyer në disa nga zyrat më të larta në nivel lokal dhe kombëtar. Ai hyri për herë të parë në parlamentin gjerman në moshën 40 vjeçare në 1998.

Ai ishte kryebashkiak i Hamburgut nga viti 2011 deri në 2018, por gjithashtu ka mbajtur pozicionin e shefit të SPD, nënkryetarit të SPD dhe ministrit të punës dhe çështjeve sociale në qeverinë e parë të zonjës Merkel.

Gjatë pandemisë, Scholz fitoi lëvdata nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për masat e tij, pasi ndoqi një buxhet të balancuarpër të mbrojtur ekonominë gjermane dhe ndihmoi në krijimin e fondit të BE -së për rimëkëmbjen nga pandemia, pavarësisht rezistencës fillestare të zonjës Merkel.

Mes inflacionit të lartë gjerman dhe presionit nga kundërshtarët e tij konservatorë, ai ka qenë i prirur t'i mbajë aktivitetet e Bankës Qendrore Evropiane (BQE) të ndara nga menaxhimi i qeverisë së ekonomisë gjermane, duke treguar nevojën për të respektuar pavarësinë e BQE -së.

Ai gjithashtu bashkëpunoi me Francën për të çuar përpara përpjekjet për të futur një normë minimale globale të taksës së korporatës dhe rregulla të reja tatimore për gjigantët e teknologjisë. Kombinimi i tij i maturisë dhe ndihmës vitale në mes të krizës janë shpaguar.

Pretendimet për të qenë edhe ai po aq i qetë dhe i përmbajtur sa Merkel, nuk janë marrë më seriozitet nga gjermanët, pasi në të kaluarën ai kishte pasur një acarim në marrëdhëniet e tij me mediat dhe protestuesit gjatë ngjarjes së Hamburgut G20. Megjithatë ai është i bindur se udhëhiqet nga pragmatizmi.

Por kush është kundërshtari i tij, Armin Laschet

I lindur pranë kufirit gjerman me Belgjikën dhe Holandën, ai u rrit në një familje që i përkiste besimit katolik, ndërkohë që i ati ishte inxhinier në minierat e qymyrit aty pranë.

Ai u bë një lider shumë popullor i Vestfalisë veriore ku deri më tani ka shërbyer si kryeministër.

Lideri 59-vjeçar shpesh bashkohej me qytetarët në festën tradicionale të karnavaleve.

Por, thirrja e tij për të lehtësuar masat COVID gjatë pranverës së vitit 2020 habiti shumë njerëz dhe zemëroi edhe mbështetësen e tij politike Merkel.

Shumë shpejt Laschet u tërhoq nga pozicioni i tij dhe iu desh që të ndreqte dëmin që i shkaktoi ky vendim kredibilitetit të tij politik.

Në lidhje me BE-në, Laschet ankohej që BE-së iu desh shumë kohë që të reagonte ndaj thirrjeve franceze për të reformuar Bashkimin Europian.

Ndërsa sa i përket integrimit, Laschet kërkon që të forcojë BE-në në çështje që kanë të bëjnë me luftën ndaj terrorizmit ndërkombëtar dhe krimit të organizuar, si dhe politikat energjetike.

Gjithashtu, ai dëshiron që Presidenti i Komisionit Evropian të zgjidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga votuesit.

Gjatë krizës së borxheve që përfshiu BE-në gjatë vitit 2009, Laschet ishte për zgjidhjen e krizës me anë të një dialogu të hapur dhe të kishte një zgjidhje të përgjithshme dhe jo të pjesshme të saj.

Në tetor të vitit 2011, ai nënshkroi letrën e hapur të George Soros, e cila bënte thirrje për më shumë përfshirje të Bashkimit Evropian në krizën e euros. Vetëm gjatë vitit 2020, Laschet është takuar me presidentin francez Emmanuel Macron tre herë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë