Më 11 prill të 1985 vdiq Enver Hoxha. Vdekja e diktatorit pasoi disa ditë zie kombëtare dhe vajtimet kolektive publike me hir dhe pahir zgjatën deri më 15 prill, ditë kur u varros. Sot, 34 vite më vonë ato ngjarje shihen si një ndër aktet e fundit të tragji-komedisë komuniste shqiptare.
Lajmi i vdekjes së diktatorit tejkaloi kufijtë e hermetizuar të shtetit shqiptar dhe u pasqyrua gjerësisht në mediat ndërkombëtare. Njëra prej tyre ishte edhe britanikja “The Guardian”, që në artikullin e publikuar më 12 prill, një ditë pas vdekjes së Hoxhës, flet me optimizëm për një epokë të re ndryshimi.
Media britanike e ka rikthyer këtë shkrim në kuadër të rubrikës së saj “The Guardian Archives”.
Artikulli i “The Guardian”: Përfundon epoka ‘Hoxha’ në Shqipëri
Udhëheqësi i fundit europian, që nga koha e Luftës së Dytë Botërore, vdiq pas 40 vitesh drejtimi me dorë të hekurt të një vendi të vogël komunist në Ballkan, të cilin e shndërroi në një prej vendeve më të izoluar e të hermetizuar në botë.
Enver Hoxha vdiq në moshën 76-vjeçare. Ai raportohej i sëmurë, së paku që prej vitit të kaluar dhe detyra e drejtimit të shtetit kishte kaluar në duart e pasardhësit të zgjedhur prej tij, Ramiz Alisë.
Lajmi zyrtar i vdekjes së tij pasoi emërimin e Alisë si drejtues të komitetit që do të organizojë funeralin, detyra e parë si udhëheqësi i ri i vendit komunist. Alia tha se Hoxha vdiq pas një sulmi në zemër dhe se prej një viti ndodhej i paralizuar pjesërisht.
Ramiz Alia gëzon reputacionin e njeriut më liberal në udhëheqjen komuniste aktuale në Shqipëri. Ai pritet që të përshpejtojë procesin e hapjes së Shqipërisë me botën, proces që nisi dy vite më parë.
Me prejardhje nga një familje e varfër myslimane, para se Hoxha të shpallte të jashtëligjshëm dhe të mbyllte të gjitha xhamitë dhe kishat, Ramiz Alia iu bashkua organizatës fashiste rinore “Të rinjë e Liktorit”. Në atë kohë ishte 19 vjeç, por shpejt u shndërrua në një komunist.
Sot 59 vjeç, Ramiz Alia ka qenë në krah të Enver Hoxhës për tre dekada. 30 vjeç u zgjodh Ministër Arsimi dhe ka qenë anëtar i Byrosë për thuajse 25 vite. Praktikisht u vendos në krye të shtetit në nëntor të vitit 1982, një vit pas asaj që duket si vrasje e Mehmet Shehut, që si Kryeministër ishte njeriu i dytë më i pushtetshëm pas Enver Hoxhës.
Mes ankesave të shfaqura edhe në shtypin zyrtar për joefektivitet dhe apati, Alia ka bërë thirrje për modernizim të ekonomisë dhe më shumë hapje me të huajt. Por, 40 vite dore të hekurt dhe kulti i personit të gdhendur nga Hoxha, Alisë i duhet që të tregohet i kujdesshëm me liberalizimin.
Ka raportime për qindra-mijëra të burgosur politikë në vendin me 3 milionë banorë. Së fundmi flitet për 40 mijë persona, përfshirë këtu njerëz të klerit fetar dhe të tjera që refuzuan t’i përuleshin “puritizmit socialist” të Enver Hoxhës.
Grupe ekzile janë aktive në Shtetet e Bashkuara dhe në Greqi, ndërkohë që ish-Mbreti Leka, monarku i rrëzuar pak ditë pasi kishte lindur kërkon rikthimin e monarkisë.
Pasuritë në agrikulturë dhe në minerale, përfshirë këtu naftën dhe kromin e kanë mbajtur ekonominë e vendit deri më tani duke zbutur efektet shkatërruese të izolimit disavjeçar. Megjithatë, marrëveshjet tregtare të nënshkruara muajt e fundit me Europën Perëndimore, përfshirë këtu Italinë, Gjermaninë Perëndimore, Austrinë e deri dhe Greqinë e Turqinë synojnë që të zbusin ende më shumë situatën.
Shenjat e para të afrimit me Perëndimin në politikën e jashtme mund të mbërrijnë nga zoti Alia me Britaninë dhe Francën. Marrëdhëniet me Londrën janë të ngrira që prej refuzimit të Britanisë së Madhe për t’ë rikthyer arin shqiptar, që britanikët ja morën Musolonit dhe pas mbytjes së dy luftëanijeve britanike në Ngushticën e Korfuzit në vitin 1946 nga pala shqiptare. Ramiz Alia beson se këto diferenca mund të tejkalohen përmes përpjekjeve të përbashkëta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.