Mendim

Kur duhet ta “pranojmë” virusin me bërryl

Kur Bërnie Sanders dhe Joe Biden u përshëndetën me bërryl në kulmin e përhapjes së Covid- 19 në një debat televiziv në CNN, shumëkush në botë kryesisht nga politikanët e kthyen atë xhest në një rregull të pashkruar.

Jo vetëm mes politikanësh, por edhe njerëzish përshëndetja me bërryl, që deri pak kohë më parë kishte një konotacion negativ, sot po kthehet në një mënyrë jetese.

Sepse shifrat e përhapjes së COVID-19 (në mungesë të një vaksine) po na mësojnë se duhet të bashkëjetojmë me të, duke respektuar  rregullat e arta, që janë ruajtja e distancimit social, mbajtja e maskës në ambiente të mbyllura, larja e duarve, si dhe higjienizimi i ambienteve ku jetojmë e punojmë.

Skënder Brataj në një intervistë për “Opinion” tha disa të vërteta mbi situatën e Covid-19 në vend. Shpejtësia apo niveli i infektimit nuk kishte ndryshuar, por vetëm forma e shfaqjes, se nuk ishte ulur virulenca, porse shenjat e virusit i kishim më pak agresive.

Sipas tij, përhapja vijon të jetë e njëjtë, por kemi edhe numrin më të vogël të pacientëve të shtruar në spital në raport me të infektuarit krahasuar me periudhën e prillit.

Brataj këmbënguli se virusi vijon të jetë i rrezikshëm dhe se nuk duhet neglizhuar paçka se kohëzgjatja e të sëmurit është më e shkurtër se përpara. Edhe pse më pak agresiv, virusi duket më dinak, pasi është dyfishuar koha e shfaqjes së simptomave. Nëse më parë fillonte nga 3 deri në 5 ditë, tani e kalon javën.

Ndryshe nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, që fliste për prapakthehu kur të shtruarit në spital do ta kalonin numrin 80, Brataj solli tjetër skenar.  

“Ne mund të mbyllemi vetëm nëse numri i kapaciteteve në spitale i kapërcen të gjitha resurset tona. Ne momentalisht kemi 400 shtretër, 55 janë të zënë, nëse numri i pacientëve që kërkojnë hospitalizim i kalon 400 të shtruar në spitale, atëherë s’kemi çfarë të bëjmë dhe do duhet të mbyllemi, por që nuk mendoj se do shkojmë deri aty“, tha Brataj të enjten në mbrëmje.

Në të njëjtën gjatësi vale edhe pse e ftuar në një emision tjetër ishte edhe ministrja e Financave dhe e Ekonomisë, Anila Denaj. As ajo nuk fliste për  kthim pas të situatës, e aq më shumë për karantinë të dytë kur kishte parasysh biznesin.  

Mjafton tu referohemi shifrave zyrtare që Denaj përcolli, për të kuptuar se një “prill” i dytë do të ishte vetëvrasje për biznesin. 

 “Gjatë periudhës së pandemisë janë larguar nga puna 136 mijë e 147 punonjës. Po ashtu kemi 109 mijë të punësuar. Efekti neto në papunësi është -27 mijë...”, tha Denaj në "Open".

Pra, më pak fjalë, politikanë, shtetarë, virologë, epidiomologë, infeksionistë po bombardojnë  ndërgjegjen e qytetarit me një fakt të thjeshtë se, ne duhet të bashkëjetojmë me virusin dhe të bashkëjetosh me të do të thotë të respektosh rregullat bazike dhe të harrosh... shtrëngimin e duarve.

Të paktën për aq sa na takon. Le ta  “pranojmë” virusin edhe me bërryl.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë