Ngjarje

Rama shpreh keqardhjen për vëllezërit Budina, por Roberti nuk e pranon: S’jam me Covid


Një lajm në media gjatë së premtes se dy vëllezërit regjisorë Robert dhe Edmond Budina kishin rezultuar pozitivë me Covid-19, është përgënjeshtruar më pas nga vetë Roberti, por edhe bashkëshortja e tij Sabina Kodra. Regjisori Robert Budina është shprehur se do të bëjë kallëzim penal. Lajmi ishte njoftuar me emër dhe mbiemër edhe nga kryeministri Edi Rama, por të paktën njëri nga vëllezërit Budina nuk e pranon të jetë i vërtetë. Të paktën ai thotë se nuk ka një njoftim zyrtar nga autoritetet shëndetësore për këtë.

Budina reagoi pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama dhe tha se është i bindur që kjo gjë nuk është e vërtetë, e nesër do të kryejë një test tjetër.  Në një intervistë për mediat, Budina tha gjithashtu se do të ndjekë rrugë ligjore sepse është ndërhyrë në punën e fëmijëve të tij  e nëpër shkollat e tyre.

“Natyrisht do kërkoj një rrugë shtetërore, të më japin një përgjigje zyrtare, sepse me firma dhe me vula, të gjithë do kenë mundësi të mbajnë përgjegjësi për këtë sulm ndaj jetës sime personale. Për veten time nuk e kam problem se nuk e kam pasur ndonjëherë problem, sidomos kur pushteti është i kalbur dhe merret me mua, por për fëmijët nuk ia fal. Këtu do ketë një ndjekje ligjore deri në fund sepse ka ndërhyrë në mënyrë të poshtër te puna e jashtëzakonshme që kanë bërë fëmijët e mi për shkollën e tyre. Testin do ta bëj vetë për të matur gjendjen e informacionit në trupin tim,” ka deklaruar më tej Budina.

Më parë gjatë ditës edhe bashkëshortja e e Budinës, Sabina Kodra u shpreh për gazetën “Panorama” se nuk kishte asgjë të vërtetë. “Ka dalë lajmi që Berti është me Covid-19, ndërkohë që Berti s’është fare me Covid-19. Kjo është gënjeshtër, kanë nxjerrë emër dhe mbiemër dhe më kanë sakatuar fëmijët. Kjo është kafshëri”, u shpreh Sabina Kodra. Ajo ka komentuar dhe mesazhin e kryeministrit Rama, i cili për shumë media shërbeu si konfirmim zyrtari i infektimit të vëllezërve Budina. “Po sigurisht kryeministri, ai i di të gjitha ai”, tha bashkëshortja e Budinës e revoltuar.

Dy vëllezërit Budina kanë qenë ndër personat kryesorë në krye të protestave mbi dyvjeçare për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, si edhe pas shembjes së godinës në protesta të njëpasnjëshme.

Më pas ata ndërmorën edhe një tur për firmosjen e peticionit për rindërtimin e Teatrit Kombëtar në disa rrethe të vendit.

Autoritetet në përditësimin e të dhënave kanë njoftuar se ka shumë të infektuar nga grumbullimet, por pa specifikime të mëtejshme.

I vetmi që bëri një specifikim me emra për të infektuarit e ditës së premte ishte kryeministri Rama.

Nëpërmjet një postimi në “Twitter”, Rama tha se shpreh keqardhje për aktorët dhe uron që ta kalojnë sa më shpejt. Ndër të tjera, Rama vuri theksin edhe te kujdesi maksimal që duhet treguar, pasi virusi nuk ka ikur.

“Më vjen sinqerisht keq që dy vëllezërit Budina kanë rezultuar pozitiv në testin për Covid19! U uroj ta kalojnë sa më lehtë dhe të kenë shërim të shpejtë! Të gjithë duhet të bëjmë kujdes maksimal sepse virusi s'ka ikur dhe po përfiton nga neglizhenca e qytetarëve ndaj rregullave!”, shkruan Rama në “Twitter”.

https://twitter.com/ediramaal/status/1273932074135760896

Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë