Lajme

4 viktima në orët e fundit. Sot 50 raste të reja, shtohen pacientët në Infektiv

24 orët e fundit kanë paraqitur bilancin më të rëndë me viktima në vend që nga fillimi i pandemisë. Autoritetet shëndetësore bëjnë me dije se kanë ndërruar jetë 4 persona në Spitalin Infektiv. Pacienti i fundit ishte një 69 vjeçar nga Kruja, që vuante nga leukoza akute dhe ishte prej 10 ditësh në terapi intensive. Ndërsa dje u shënuan 3 viktima.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit janë shtuar 11 pacientë në Spitalin Infektiv. Nga 52 pacientë që ishin dje, sot janë 64 të shtruar. Epidemiologia Eugena Tomini bën me dije se  sot janë konfirmuar 50 raste pozitive, ku shpërndarja gjeografike është: 17 raste në Tiranë, 6 në Krujë, 5 në Lezhë, nga 4 raste në Shkodër, Durrës, Fier, 3 në Korçë, 2 raste në Vlorë dhe Elbasan dhe nga 1 rast në Kurbin, Mirditë dhe Sarandë,

“Në vendin tonë janë aktualisht 682 persona aktivë me Covid-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën apel të gjithë qytetarëve dhe bizneseve: Ju lutemi respektoni rregullat. E vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike prej 1.5 metër nga njëri tjetri, duke ruajtur higjienën personale dhe duke larë duart vazhdimisht, mbani maskat kudo ku ambienti është i mbyllur, bizneset dhe institucionet të respektojnë protokollet e përcaktuara. Kujtojmë edhe një herë se çdo rast i identifikuar pozitiv, duhet të vetëizolohet dhe se shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve", tha ajo. Ministria e Shëndetësisë thotë se po bashkëpunon ngushtësisht me Policinë e Shtetit për të mos lejuar asnjë person pozitiv që të thyejë rregullin duke dalë nga karantina, deri në shërimin e plotë. "Qytetarët duhet të shmangin grumbullimet masive pasi janë burim infeksioni, të evitojnë ceremonitë mortore dhe vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye. Familjarët e pacientëve në spitale të shmangin sa më shumë vizitat, të moshuarit kur është e mundur të shmangin kontaktet në qendrat shëndetësore, por të kontaktojnë me mjekun e familjes për barnat me rimbursim” është shprehur Tomini.

Më tej epidemiologia i bëri thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe nuk duhet humbur vigjilenca pasi virusi është ende shumë prezent.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë 317

Durrës 140

Shkodër 112

 Vlorë 45

Lezhë 28

 Elbasan 12

 Korçë 11

Kukës 10

Gjirokastër 5

Berat 1


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë