Histori

Kur diktatori parashikonte se e ardhmja do t’i përkiste Realizmit Socialist

Artin, në veçanti atë figurativ përmes pikturave e skulpturave që humbën autorësinë individuale të artistëve e u bënë vepra kolektive, diktatori e shihte si armë për të skalitur njeriun e ri. Punëtori me kazmë, gruaja luftëtare me pushkë, heronjtë e skamur shndërruar në figura vigane, fytyra të qeshura me një lumturi që përmes penelit apo daltës së artistit ia injektonte partia.

“Puna e artistëve është mjaft fisnike dhe delikate: ata edukojnë dhe brumosin njerëzi e rinj me ndjenjën e së bukurës. Normat moralit komunist, etj.” shkruante diktatori Hoxha, në librin e përshtypjeve me rastin e çeljes së ekspozitës së arteve figurative, më 1964.  Vit që përkonte edhe me 20 vjetorin e çlirimit të vendit.

“Është për këtë arsye që sikurdoherë ata do ta kenë pranë tyre partinë e cila mishëron dhe vë në jetë ëndrrat më të bukura të popullit tonë, e pra dhe të artistëve tanë”.

Siç do të thoshte artisti i ndjerë Maks Velo pak vite më parë, pas botimit të librit të tij “Skulptura e Realizimit Socialist në Shqipëri dhe skulptura në Europë” se asnjë udhëheqës politik perëndimor nuk kishte shkuar apo diskutuar ndonjëherë në studiot e ndonjë skulptori për të dhënë udhëzime, sugjerime dhe urdhra. Madje edhe  Çurçill, i cili pikturonte  dhe  ka botuar kujtimet e veta nuk guxoi të japë sugjerime për artistët e tjerë. Enver Hoxha botoi  një vëllim mbi letërsinë dhe artin.

Në përshtypjet e tij në ekspozitën kombëtare të arteve figurative, botuar më pas në revistën “Nëndori”, Hoxha shihte si meritë kryesore të saj faktin se aty pasqyrohej Shqipëria e re, socialiste.

Revista Nendori, 1964.

 “[Ekspozita]është një dhuratë me vlerë për popullin, merita e saj kryesore, më duket mua, është se ajo në tërësi bie erë “Shqipëri e re socialiste” e pasqyruar në art. Më gëzon lidhja që artistët tanë mbajnë me jetën dhe luftën heroike të popullit tonë, të jenë të sigurt ata se duke i ofruar akoma me shumë lidhjet e realitetin, do të gjejnë frymëzim të reja për vepra akoma më të realizuar me art.  Më  gëzon gjithashtu fakti që në këto vepra,  në përgjithësi dominon mendimi i ri, socialist, optimizmi revolucionar i partisë sonë”, shkruante diktatori, duke e paraparë artin e së ardhmes së futur mes kllapave të së vetmes rrymë; atë të Realizimit Socialist, të zhveshur nga çdo lloj nuance, ngjyre, emocioni a zymtësie që nuk lidhej me ngritjen lart të moralit të masave, përmes glorifikimit të punës, të detyrueshme e të veshur nën petkun e vullnetarizmit përmes aksioneve për të ndërtuar shtetin e ri, socialist.

Me ardhjen e regjimit komunist në pushtet, edhe skulptura si ajo monumentale ashtu edhe ajo e kavaltetit, do të merrte disa karakteristika të dalluara nga ndjenja e falsitetit dhe gjigantomanisë, pajisja e figurave me vegla pune dhe armatime, mungesa e sensit artistik dhe e kërkimeve plastike, himnizimi i egërsisë. Shembja e objekteve të kultit pasoi me ngritjen e lapidarëve, memorialëve,  etj., shkruante Velo në librin e tij, i cili theksonte disa tipare të artit të Realizimit Socialist.

Së pari, rendiste arkitekti , piktori e skulptori, ishte ndjenja e falsitetit dhe gjigantomanisë, mungesa e sensit artistik dhe e kërkimeve plastike , himnizimi i egërsisë dhe himnizimi i  diktatorit Hoxha.

“Duke e thelluar më tej këtë aspekt themelor, artistët tanë të mund të realizojnë vepra edhe më të përkryera të realizimit socialist, të cilit  i përket e ardhmja.  Më  së fundi , më gëzuan edhe sukseset që kanë arritur piktorët, skulptorët , grafistët etj., në mjeshtërinë artistike”, gjykonte Hoxha, i cili nuk pat ndonjë formim të mëhershëm artistik në karrierën e tij.

Në disa rrëfime të ditarëve personalë të sekretarit personal të Enver Hoxhës, Musin Kroi, vihet re rëndësia e veçantë që diktatori i kushtonte skulpturës , ku jo vetëm takohej me skulptorë por shpesh jepte mendime, urdhra, porosi dhe vërejtje.

Në ditarin e tij, që mban datën 29 qershor të vitit 1970, Kroi shënonte... “Në orën 13.00 në sallën e pleniumeve ishin ekspozuar maketet për Monumentet e Pavarësisë. Shkuam bashkë me shokun Enver. U takuam me skulptorët. Shoku Enver bëri vërejtje për të përmirësuar përmbajtjen e maketit” dhe në një rast tjetër, më 27 janar të 1978-s, përshkruante një tjetër ngjarje ku Hoxha ndikonte drejtpërdrejt tek artistët dhe veprat monumentale . “Shoku Enver dha porosi të ngrihet një bust i mirë për Isa Buletinin në qytetin eShkodrës. U ngarkua Ramizi. Shoku Enver u interesua për Monumentin e Drashovicës dhe dha porosi të bëhet një monument i mirë me kompleks luftëtarësh, ku të dalë dhe figura ime”.

Këtë, Maks Velo në librin e tij “Skulpturat e Realizmit Socialist” - një katalog i pasur me fotografi monumentesh të shkrepura nga vetë ai, në çdo qytet të vendit-, e ironizonte si në afresket mesjetare ku krahas Krishtit janë dhe Apostujt.   

Më 9 korrik të 1979-s,  thërriste  Muntaz  Dhramin dhe e porosiste për Monumentin e Drashovicës, “të shohë mundësinë për ta mbaruar me rastin e 60 vjetorit të luftës së 1920”.Në  Shtator 1980,  Enver Hoxha shihte  maketin e Monumentit të Reformës Agrare, që i a prezantoi Anastas Kondo.

“Enver Hoxha bëri shumë dëme në strukturën totale të artit, nuk kish kush e kundërshtonte, pastaj kundërshtia ish e pamundur”, mendonte Velo, i cili në analizat e tij gjithnjë ka ngulmuar se Realizimi Socialist si rrymë në art , ishte i destinuar të dështonte, sepse arti pa elegancën, linjat e bukuria, femininitetin, dalldinë individuale të artistit dhe mbi të gjitha pa nudon, nuk mund të ekzistonte.   

"Puna e artistëve është fisnike dhe delikate. Ata edukojnë dhe brumosin njerëzi e rinj me ndjenjën e së bukurës, normat  e moralit komunist, etj", Enver Hoxha

“Komunizmi nxori në plan heroizmin socialist, sakrifikimi suprem në punë. “Diktaturat për njerëzit e thjeshtë janë sakrificë e detyruar, por regjimi i quante heroizma”, thoshte ai në një intervistë të disa viteve më parë.  

Jo vetëm i bashkoi shkrimtarët dhe artistët e arteve pamore në një Lidhje, si në asnjë vend tjetër perëndimor, por  regjimi me sugjerim të vetë diktatorit i bëri skulptorët të punonin në grup. Mbas letrës që Enver Hoxha u dërgoi tre skulptorëve Kristaq Rama, Mumtaz Dhrami, Shaban Hadëri kjo metodë u përhap gjerësisht. Në fakt ajo mohon autorësinë. Dy poetë nuk mund të shkruajnë bashkë një poemë. Dy piktorë nuk mund të punojnë mbi një tablo. Dy skulptorë nuk mund të kenë të njëjtin imazh. Skulptura është poezia e materies dhe detyrimisht është shprehje individuale. Por qëllimi ishte diabolik, duke i hequr poezinë skulpturës i mbetej vetëm materia që duhej formuar sipas urdhrave. Në fakt monumentet ishin skena të ngurtësuara që afroheshin më shumë me teatrin”, ishte i mendimit Velo.

Kështu, skulptura u kthye në një libër historie me heronj, luftëtarë, heronj të punës.Kulmi arriti me figurën simbol Në njërën dorë kazmën në tjetrën pushkën, të Hektor Dules, ku ai tani merrte përsipër të punonte dhe të mbronte vendin.Në këto momente skulptura arriti indoktrimin më të madh, ushqim i kondensuar ideologjik, më i preferuari që partia i jepte popullit. Një tjetër simbol ishte edhe skulptura Lart frymën revolucionare e Mumtaz Dhramit. Sa më shumë binte ekonomia, aq më tepër ngriheshin lart skulpturat. “Por më e rënda ishte devijimi i pavetëdijshëm i njeriut natyral në njeri fiksion, sipas modelit të zgjedhur artistikisht. Njerëzit merrnin pozat e skulpturave, buzëqeshnin si personazhet e pikturave, silleshin në jetë si heronjtë e filmave të Kinostudios. Dëmi më i madh që arti i shkakton njeriut është kur e denatyron”, thoshte Maksi.

Në fshatin Pezë është edhe kompleksi më i madh skulpturor memorial i artit të Realizmit Socialist. Lapidari për Konferencën e Pezës, më vonë monumenti në bronz i Myslym Pezës, pastaj memoriali për dëshmorët e Brigadës XII sulmuese e pastaj në bronz një memorial skulpturor që kulmon kompleksin e varrezave të dëshmorëve, janë ngritur në një territor prej 5 mijë metrash katrorë. Një tjetër vepër madhore është   skulptura e Dhramit ngritur në rrugën nacionale, që shënon drejtimin e fshatit. “Kush dëshiron të studiojë skulpturën e realizmit socialist mjafton të vizitojë këtë fshat skulpturë, me vepra të ngritura në një periudhë 20-vjeçare nga vitit 1965 deri më 1985–ën”.

Të gjitha këto ishin vizionet e Hoxhës, të parashkruara në atë libër përshtypjesh të Ekspozitës së Arteve Figurative, më 1964-n, 20 vjet pas çlirimit dhe instalimit të regjimit që u shndërrua  thuajse menjëhershëm pas marrjes së pushtetit në diktaturën më të egër të bllokut të Lindjes.

“Krejt ndryshe nga ajo që ndodhte në botë, por edhe në historinë e artit ku qysh prej antikitetit grek e romak, e deri te moderniteti figurat kanë lëvizje të buta, në artin e Realizmit Socialist personazhet e ngurtësuar të monumenteve janë plot mllef, mbushur me inat e egërsi dhe pa edukatë. Plastika ka agresivitetin e politikës”, analizonte  Velo, që Realizmin Socialist e quante gjakmarrje artistike.

Komunizmi ktheu në ritual që në intervale të llogaritura kohe bënte inaugurime veprash skulpturore.“Por që të mund të meritojmë kurdoherë aprovimin dhe admirimin e masave që janë njëkohësisht objekt i punës së tyre dhe gjykatësit më të drejtë të veprave të tyre, artistët tanë duhet të punojnë akoma më shumë dhe në të ardhmen për zotërimin e perfeksionizmin e jetës  artistike, për krijimin e stileve të larmishëm origjinale, për të dhënë secili diçka të tijën, të bukur dhe sa më të përsosur”, shkruante Hoxha, ndërsa e shihte punën e artistëve fisnike dhe delikate “...ata edukojnë dhe brumosin njerëzi e rinj me ndjenjën e së bukurës, normat  e moralit komunist, etj.

Galeria Kombëtare e Arteve, Periudha e Realizmit Socialist

Është për këtë arsye që sikurdoherë ata do ta kenë pranë tyre partinë,  e cila mishëron dhe vë në jetë ëndrrat më të bukura të popullit tonë, e pra dhe të artistëve tanë. Uroj nga zemra që punonjësit e arteve figurative të arrijnë suksese gjithnjë e më të mëdha”, përfundonte diktatori, i cili në planin e tij të kontrollit të masave, kishte së pari atë të kontrollit të artistëve e duke ua hequr tharmin individual të shprehisë artistike, ta kthente artin figurativ në një armë propagande për gati gjysmë shekulli. /S.B


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë