Histori

Kur Boris Johnson intervistonte kriminelin e luftës, Arkan

Një intervistë e qershorit të 1999,  kur  Boris Johnson ishte gazetar i Daily Telegraph. Vetë kryeministri britanik e ka përmendur në disa raste se ka qenë reporter i Kosovës gjatë bombardimeve të NATO-s, madje është shprehur edhe kundër ndërhyrjes së Aleancës Euroatlantike në Serbi, por një gazetare vendase që  e shoqëroi në atë periudhë Johnson-in do të kujtonte se atij nuk i pëlqente fort zona e luftës duke zgjedhur të rrinte rreth hotelit të tij në Beograd.

Në kryeqytetin serb, në një sallon çaji ai u takua me kriminelin e luftës Zeljko Raznatovic, i njohur me nofkën Arkan, të cilin Johnson do ta etiketonte që në titullin e artikullit si “krimineli i luftës me fytyrë foshnjarake”.

***

Menjëherë e shquan  fytyrën foshnjarake në sallonin e çajit “Hyatt” - fytyra që është në një aktakuzë e vulosur  për krime lufte,  në Hagë. Ai është pronari i ekipit numër një të futbollit jugosllav, pronar i zinxhirit të furrave të bukës “Kurora Serbe”, bashkëshort  këngëtares më të mirë foklorike në Serbi dhe njeriu i veçuar nga sekretari britanik  i Mbrojtjes, George Robertson si mishërimi,  i kasaphanës  serbe.

Ai quhet Zeljko Raznatovic, ndryshe  Arkan dhe ai ka një mesazh për ne. Jo, ai nuk ishte në Kosovë kur Robertson tha se ishte në nisje të konfliktit. Por “Tigrat” e tij paraushtarakë janë në stërvitje në të gjithë Jugosllavinë dhe Arkan po pret ...

“Nëse do të  vini me trupa tokësore, unë do të shkoj në Kosovë. Unë u rrita në Prishtinë, në kryeqytet”,  thotë Arkan, në mënyrë që të dimë se sa personalisht e merr këtë.

Sipërmarrësi paramilitar është i rrethuar nga disa gra shumë të zgjuara, përfshirë gruan e tij me një kostum saten ngjyrë blu  dhe disa fytyra të ashpra. Njëri prej tyre quhet “Kolonel Igor Igorov”, një rus me sy të sheshtë, i veshur me kostum të errët. Igor ulet në bisedën tonë,  ndërsa një palë tjetër e ndihmësve të Arkanit ulen pas meje.

Arkan dhe Radovan Karaxhiç, presidenti i Republika Srpska, gjatë luftërave të Bosnjës

Na thuaj, Arkan, po në lidhje me krimet e tua të luftës në Bosnjë?

“Unë vras ​​shumë njerëz në një luftë të drejtë sepse unë shkoj i pari dhe ushtria më vjen pas. Nuk mund të jetoj dot pa rrezik.

Nuk pati mizori në Bijeljina, një qytet në Bosnjën lindore ku njerëzit e tij dëbuan pjesën më të madhe të banorëve të saj myslimanë , nga shtëpitë e tyre.

“Kishte 40,000 myslimanë dhe 20,000 serbë. Ata myslimanë filluan të shtinin dhe, pas kësaj, ne erdhëm në qytet dhe i vramë ata bastardë.

“Populli mysliman dhe populli serb,  ata më mirëpritën dhe unë mbajta  një fjalim. U drejtohem njerëzve dhe ata fillojnë të bërtasin, “Faleminderit Arkan! Faleminderit Arkan!”,  sepse i shpëtova nga myslimanët.

 “Unë i respektoj myslimanët. Unë nuk ha, për shembull, mish derri, por nuk jam mysliman. Thjesht nuk më pëlqen mishi i derrit”, thotë  47- vjeçari, baba i nëntë fëmijëve.

Kjo është një unazë e këndshme – jo një unazë metalike grushtuese, them unë, duke treguar një diamant me madhësinë e një karameleje. Jo, thotë ai. “Ma bëri dhuratë ime shoqe. Ajo bëri një album të shtatë dhe ma dhuroi  për ditëlindje”, thotë Arkan, i cili dikur ka jetuar në Londër dhe flet frëngjisht rrjedhshëm.

Po në lidhje me mizoritë serbe, që po ndodhin  në Kosovë?

“Ka mundësi që disa serbë të jenë zemëruar dhe vepruan siç nuk duhet”,  thotë ai. “Në këtë vend, ne kemi ligj dhe rregull. Në këtë vend, ne nuk kemi një president,  i cili është një kriminel lufte”.

Po përdhunimet?

“Nuk kanë ndodhur kurrë. Unë do të isha i pari që do të shtija mbi një ushtar serb , që e bën këtë. Ai nuk do të jetonte as për  dy sekonda. Ne nuk jemi të egër. Ne nuk jemi nazistë. Ne nuk vrasim njerëz”.

A mendoni se do të ketë një luftë tokësore?

“Sigurisht.  Pse mendoni se i kam prerë flokët? Jo për t’u dukur i ashpër, por kur vë beretën, është më mirë nëse flokët janë të shkurtër”.

Je i sigurt që do të fitoni?

“Unë nuk dyshoj për asnjë sekondë se ne jemi fituesit. Pas kësaj, ne do të këndojmë “We are the Champions”.

Në nota më paqësore, a ka ndonjë biznes që po i dihat nën mëngë?

 “Do të shes qeset plastike, sepse do t'ju duhen shumë qese plastike për ushtarët tuaj. Ky do të jetë biznes i mirë”.

A nuk do të jetë për të ardhur nëse ai nuk mund të udhëtojë nëpër Europë tani dhe çfarë po ndodh me këtë aktakuzë për krime lufte në Hagë? “Nuk më plas fare. Unë nuk e njoh atë gjykatë, në të vërtetë”.

“Ai kapiten i ragbisë. Ata e shkatërruan  për hiçmosgjë, për argëtim. Dhe ajo gjëja lakuriqe; doni ta vrisni siç vratë Dianën. Ju britanikë keni diçka mizore në mentalitetin tuaj dhe kjo është arsyeja pse pushtoni”.

( “Çaj me kriminelin e luftës,  me fytyrë foshnjarake”.  Boris Johnson Daily Telegraph, Londër, 1 qershor 1999)

***

Zeljko Raznatovic u vra më 15 janar të vitit 2000, në hotel Interkontinental, në Beograd, para se të niste gjyqi i tij në Hagë. Ai ishte komandanti dhe kreu i Gardës Vullnetare Serbe gjatë Luftërave Jugosllave dhe ishte në listën e më të kërkuarave nga Interpoli në vitet ’70 dhe ’80 për grabitje dhe vrasje të kryera në një sërë vendesh  europiane dhe më vonë u akuzua nga Tribunali i Hagës për Ish-Jugosllavinë për krime kundër njerëzimit. Raznatovic ishte, deri në vdekjen e tij, figura më e fuqishme e krimit të organizuar në Ballkan. Ai akuzohej për torturimin dhe vrasjen e qindra boshnjakëve myslimanë.

Boris Johnson, kryeministri i Britanisë së Madhe

25 vite pas masakrave në Srebrenicë, ku u vranë me mijëra boshnjakë myslimanë, kryeministrit Boris Johnson i bëhet thirrje të kërkojë ndjesë për një artikull që ai shkroi më 1997, dy vite pas ngjarjes.

Ndonëse në një artikull në “Ottawa Citizen”, Johnson i dënonte ngjarjet, duke i përshkruar si “masakra më e rëndë në tokën europiane qysh prej Rajhut të Tretë”, por argumentonte se do të kishte qenë e vështirë për Perëndimin, që të ndërhynte në konflikt.

“Në rregull, them se, fati i Srebrenicës ishte ngjethës. Por nuk ishin tamam engjëj, këta myslimanët”, shkruante ai.

Në  një letër, më shumë se 100 organizata myslimane dhe përfaqësues komunitetesh nxitën kryeministrin Johnson të kërkonte ndjesë, duke argumentuar se pjesëmarrja në përkujtimoret e Srebenicës “pa reflektim në komentet tuaja të mëparshme është një fyerje për viktimat dhe familjet e tyre”.

Një tjetër letër mbi këtë çështje erdhi nga 30 anëtarë të parlamentit britanik, ndërsa një prej parlamentarëve do të thoshte se “nuk kishte justifikim në asnjë mënyrë duke fajësuar viktimat e një gjenocidi për krimet e kryera.” Megjithatë, nga kryeministria thonë se fjalët janë nxjerrë jashtë kontekstit.

“Unë pashë jetë të shkatërruara dhe familje të shkatërruara nga bombardimet dhe pashë civilë që pikëlloheshin për të dashurit e tyre që ishin vrarë nga NATO. Të gjithë i pamë rezultatet e gabimeve tragjike të Pentagonit, ” shprehej Johnson në një debat në parlamentin britanik,  më 2003-shin, duke shtuar: “Mbaj mend që kam shkruar disa artikuj shumë të zemëruar ndërsa isha në Beograd për mënyrën se si u zhvillua ajo luftë sepse sinqerisht i urreja metodat që u përdorën. Unë e përbuza bombardimin nga 9 kilometra, e cila më dukej se ishte mizore dhe e gabuar ”, shprehej  ai. Por një gazetare nga Beogradi, Vesna Peric Zimonic, e cila e shoqëroi Johnson-in në atë kohë, pretendon se pikëpamjet e tij ishin krejt të ndryshme në atë kohë.

OSIJEK, Kroaci Zeljko "Arkan" Raznatovic dhe i biri, MIhailo, kontrollojnë armët para patrullimit në zonën rreth Osijek, qershor 1995.

“Gjatë asaj kohe, ai raportonte për Daily Telegraph dhe ishte absolutisht pro bombardimit të Serbisë, me shkrimet dhe sjelljet e tij”, do të tregonte Zimonic për rrjetin ballkanik Birn.

Ajo thoshte edhe se Johnson nuk pëlqente të shkonte në vijat e frontit apo zonat  e bombardimit. “Ai parapëlqente të rrinte në Beograd, në hotel, klube shtypi dhe kafene. Njëherë siguroi transport dhe eskortë nga ushtria për në Novi Pazar, ku kishin ndodhur disa bombardime. Ai refuzoi të shkonte dhe qëndroi në Beograd”, thoshte gazetarja serbe.

Ajo do të thoshte se Johnson ndryshoi mendje vetëm gjatë vizitës së tij të dytë në Beograd, kur shkruante artikuj mbi Serbinë,  pas lufte.

“Aty u çorodit pak. U vetëdijesua se bombardimet e Serbisë ishin bërë pa lejen e Kombeve të Bashkuara dhe pa refugjatët serbë dhe kjo i la goxha përshtypje”, kujtonte Peric Zimonic.

Johnson gjithashtu mori lëvdata nga Asambleja e Diasporës Serbe, në janar të 2014-s, pas një artikulli, botuar gjithashtu në Telegraph, ku thoshte se nuk duhej fajësuar Serbia për shpërthimin e Luftës së Parë Botërore. /Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë