Makina

Kujdes! Makina po ju spiunon jetën seksuale. Filmon, regjistron e gjurmon shoferë e pasagjerë

Sipas një raporti të ri, prodhuesit e makinave po mbledhin të dhëna për shoferët dhe pasagjerët – disa madje ndjekin aktivitetin seksual të shoferëve.

Në një përmbledhje të 25 markave të makinave dhe 15 kompanive të makinave, të botuar nga Fondacioni Mozilla të mërkurën, studiuesit zbuluan se prodhuesi japonez i makinave Nissan kishte pranuar se mund t'u shesë informacione për aktivitetin seksual të shoferëve dhe pasagjerëve, inteligjencën dhe diagnozën shëndetësore ndërmjetësve të të dhënave, agjencive të zbatimit të ligjit dhe kompanive të tjera. Prodhuesi gjerman Volksëagen tha se mund të regjistrojë zërat e shoferëve për t'i profilizuar ata për reklama të synuara.

“Sasia e të dhënave që këto kompani makinash thanë hapur se mund të mblidhnin ishte tronditëse," tha Jen Caltrider, studiuese kryesore në Fondacionin Mozilla, që është edhe pronar jofitimprurës i kompanisë që drejton shfletuesin Firefox. “Është sikur askush nuk i ka sfiduar ndonjëherë ose nuk i ka bërë pyetje rreth privatësisë, dhe kështu ata thjesht përfshijnë gjithçka.”

Evropianët - në parim - janë më të mbrojtur nga abuzimi prej ligjit të tyre të privatësisë, Rregullorja e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR), por Caltrider shprehet se ligji është zbatuar dobët me kompanitë e makinave. Një vështrim se si është zbatuar ky ligj në të gjithë Evropën tregoi se pak rregullatorë kombëtarë kishin ndërmarrë veprime kundër mbledhjes së të dhënave të kompanive të makinave që nga hyrja në fuqi e ligjit.

Caltrider dhe studiues të tjerë shikuan politikat e privatësisë së kompanive të makinave dhe shkarkuan aplikacionet e tyre në Gjermani, Francë, SHBA, Japoni dhe Korenë e Jugut. Ata zbuluan se industria grumbullon sasi masive të dhënash përmes dhjetëra sensorëve dhe teknologjisë së ndërtuar në modelet më të reja të makinave që llogaritin peshën e njerëzve ndërsa ata ulen, filmojnë makinën brenda dhe jashtë me kamera, dëgjojnë bisedat përmes mikrofonave dhe gjurmojnë përdoruesit përmes lidhjes, aplikacioneve në telefonat inteligjentë.

"Nuk ka të bëjë më vetëm me shitjen e makinave për të fituar para. Ka të bëjë më mbledhjen e të dhënave dhe më pas përdorimin e këtyre të dhënave për të fituar para," thotë Caltrider. Sipas saj, makinat dukej se kishin praktika më të këqija të privatësisë sesa aplikacionet e shëndetit mendor, pajisjet inteligjente të shtëpisë dhe pajisjet që vishen në trup (kufje apo gjurmues fitnesi).

Studiuesit zbuluan gjithashtu se 84 për qind e markave të makinave të rishikuara mund të ndajnë dhe shesin të dhëna me kompani të tjera si ndërmjetësit e të dhënave, një treg i vlerësuar në qindra miliarda euro. Pak më shumë se gjysma e markave thanë se mund të ndajnë të dhëna me qeverinë dhe organet e zbatimit të ligjit kur kërkohet, në vend që të marrin përpara një urdhër gjykate.

Studiuesit vunë në dukje gjithashtu se njerëzit rrallë patën mundësinë të pranojnë në mënyrë të qartë dhe të vetëdijshme rregullat e privatësisë së makinave të tyre. Kompania e makinave Subaru, përshembull, tha se vetë fakti i të qenit pasagjer në një nga makinat e saj nënkupton miratimin e politikës së tyre të privatësisë.

Në disa raste, rregullatorët evropianë kanë goditur industrinë e automobilave. Tesla, e cila ka selinë e saj të BE-së në Holandë, iu desh të bënte ndryshime në kamerat e saj në mars me kërkesë të rregullatorit holandez për mbrojtjen e të dhënave. Volkswagen u gjobit pak më shumë se 1 milion euro që nga hyrja në fuqi e GDPR, sipas një liste në internet të gjobave të GDPR. Lista nuk përfshin gjobat për prodhuesit e tjerë të makinave në raport (Nissan, Toyota, Subaru, Kia, Chrysler, Fiat, Renault, General Motors, Mercedes-Benz, Honda dhe BMW).

Zëdhënësja e Volkswagen për çështjet dixhitale, Kamila Joanna Laures, tha në një deklaratë se kompania mbledh, përpunon, përdor dhe ruan të dhënat personale "vetëm në përputhje me kërkesat ligjore".

Burimi: Politico. Përshtati: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë