Mendim

Ku po shkon Greqia?

Dalja nga programi i shpëtimit, shënoi pa dyshim një moment historik për Greqinë, por “karvani i sfidave dhe borxheve” nuk ka mbaruar ende për vendim fqinj. Ekspertët thonë se masat e shtrëngimit ekonomik ka të ngjarë të vazhdojnë deri në 2060-ën, duke e lënë Greqinë vendim më të brishtë të Bashkimit Europian.

Populli grek është i lodhur nga recesioni i gjatë dhe i thellë, nga masat shtrënguese dhe reformat e vazhdueshme, përfitimet e të cilave nuk i kanë parë asgjëkund deri më tani.

Por Greqia ka ende një rrugë të gjatë përpara se t’i kthehet "normalitetit". Për rimëkëmbjen do të duhen investime të mëdha, stabilitet politik dhe reforma të mëtejshme në administratën publike. Por jo vetëm borxhi publik është më i madh se ai në vitin 2009, të ardhurat e qytetarëve janë zvogëluar, prona e tyre është e zhvlerësuar dhe borxhet janë shumëfishuar.

Zgjedhjet kombëtare vijnë në një moment mjaft delikat për Athinën zyrtare. Sondazhet tregojnë Partia e Demokracisë së Re ka fituar përparësi. Nëse ajo fiton dhe konsolidon pushtetin, do t’i duhej të ndërmerrte masa të shpejta ekonomike, në mënyrë që të fitojë një farë besimi në publik. Ironikisht, Demokracia e Re, e cila humbi pushtetin për shkak të Syrizas në vitin 2015, sepse Tsipras premtoi fundin e masave shtrënguese dhe shlyerjen e borxhit, ndodhet tanimë në pozicionin e Syrizas, duke u ankuar për paaftësinë e Tsipras për të ulur vlerën nominale të borxhit.

Kryeministri Alexis Tsipras

Nga ana tjetër, qeveria, e cila ka qenë gjithmonë e gatshme për të zbatuar masat shtrënguese dhe reformat e Bashkimit Europian, premton përmirësime, ndërkohë që opozita zotohet të përmbysë politikat dhe vendimet me të cilat nuk pajtohet.

Vlerësohet se deri më tani më shumë se 700,000 qytetarë kanë lënë Greqinë që nga viti 2010, duke kërkuar një jetë më të mirë jashtë vendit. Vdekjet tejkalojnë lindjet pasi grekët janë duke bërë më pak fëmijë ose nuk guxojnë të bëjnë fare. Hulumtimet e fundit sugjerojnë se me normat aktuale, popullsia e Greqisë, e cila ishte rreth 10.9 milionë në vitin 2015, mund të bjerë me 2,5 milionë njerëz deri në vitin 2050.

Kriza ka dëmtuar bizneset. Rënia e kërkesës së brendshme, kushtet për marrjen e kredive, pasiguria politike dhe zhvendosja e bizneseve jashtë vendit shkaktuan ndërprerjen e prodhimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Këto biznese gjenerojnë një të katërtën e GDP-së dhe mbulojnë 76 për qind të punësimit në vendin fqinj.

Falë një rritje të lehtë në vitin 2017, bizneset filluan të rimëkëmbeshin. Në gjashtë muajt e parë të 2018-ës, 153 kompanitë e listuara në bursën e Athinës kanë raportuar fitime deri në 957 milionë euro. Megjithatë, kur vendosen përballë borxhit publik, këto shifra tregojnë sfidën me të cilën do të përballen grekët në vitet e ardhshme.

Athina

Në vitin 2009, borxhi publik ishte 299.7 miliardë euro, ose 130 për qind të GDP-së. Greqia ka marrë 288.7 miliardë euro hua nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Në vitin 2012, u reduktuan rreth 107 miliardë euro borxhe, por borxhi publik në vitin 2018 ishte 357.25 miliardë euro, më i larti që Greqia kishte parë përgjatë viteve të krizës.

Ka disa tregues që sugjerojnë se Greqia është në rrugën e duhur. Papunësia është 18.3 për qind, nga 27.9 për qind që ishte në vitin 2013. Në vitin 2018, sufiçiti primar vlerësohet të ketë tejkaluar objektivin e caktuar nga kreditorët, falë pagesave të vonuara nga shteti tek individët dhe kompanitë, si dhe shkurtimet e mëtejshme të sigurimeve shoqërore.

Kjo “shtrydhje ekonomike” do të vazhdojë për dekada, pasi Greqia do të jetë nën mbikëqyrje të rreptë derisa të ripaguajë kreditë e marra deri në vitin 2060. Rreth 4.2 milionë njerëz janë në borxhe ndaj shtetit. Autoritetet kanë konfiskuar pagat, pensionet dhe pasuritë e më shumë se një milion grekëve. Shumë greke cilësohen tanimë si të rrezikuar nga varfëria ose përjashtimi social (34.8 për qind e popullsisë në vitin 2017) ndërkohë që në fillim të krizës kjo shifër ishte 27.7 për qind.

Të varfrit janë bërë më të varfër, ndërsa klasa e mesme vazhdon të mbajë të gjithë barrën e shtrëngimeve ekonomike. Tatimet mbi pasurinë janë rritur me 3.7 miliardë euro në vitin 2017. Shumë njerëz janë detyruar të shesin dhe sende të çmuara për të mbijetuar. Policia arrestoi së fundmi disa persona të dyshuar për trafikim ari në Turqi. Qarkullimi ditor ishte mesatarisht 400,000 euro, ekuivalenti me rreth 11 kilogram ari çdo ditë.

Porti i Pireut

Megjithatë pasoja më e madhe e kësaj krize ka qenë largimi i të rinjve. Greqia është përballur me emigrimin masiv në të kaluarën, pasi varfëria, lufta, diktatura dhe mungesa e perspektivave nxitën kryesisht njerëz të pakualifikuar për të kërkuar fatin e tyre në Amerikë, Australi, Europë dhe Afrikë. Por këtë herë, megjithatë, shumica e atyre që largohen janë të rinj të arsimuar dhe profesionistë nga më të kërkuarit. Rreth 18,000 mjekë kanë lënë vendin fqinj gjatë krizës, ndërkohë që arsimimi i secilit prej tyre i kishte kushtuar shtetin 85,000 euro.

Paradoksi është se Greqia ka një kosto të madhe arsimi dhe trajnimi, por nuk mund t'u ofrojë atyre stabilitetin dhe mundësitë që i nevojiten për t'i punësuar. Ky është një lajm mjaft i mirë për vendet e tjera anëtarë të BE-së të cilat vuajnë nga mungesa e fuqisë punëtore, por kjo pengon rritjen ekonomike në Greqi, ku kompanitë mund të mos gjejnë punonjësit me aftësitë që u nevojiten.

Në një Europë gjithnjë e më të paqëndrueshme që po përgatitet për zgjedhjet europiane, askush nuk dëshiron që kriza greke të jetë në agjendë. Kriza e borxhit grek e ka lejuar Eurozonën të përgatisë veten për trazirat e ardhshme ekonomike, veçanërisht falë krijimit të fondin të shpëtimit dhe përforcimin e të ashtuquajturit Bashkimi Bankar.

Por reformat mbeten të papërfunduara pasi janë parë me mjaft skepticizëm nga Veriu i Europës, i cili ka frikë të paguajë për borxhet e Jugut./New York Times/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë