Njerez

Kryengritja e femrave të dhunuara: Pse vendosëm t’i denoncojmë burrat!

Dhuna në familje nuk kufizohet nga shtetësia, kultura, klasa apo arsimi. Kohët e fundit statistikat në Britaninë e Madhe flasin për shifra tronditëse të dhunës  dhe sulmeve seksuale ndaj femrave, Sipas mediave britanike, rreth 1.2 milion femra në Angli dhe në Uells janë viktima të dhunës në familje dhe çdo javë, dy gra vriten nga bashkëshortët e tyre. Edhe pse të ngresh zërin dhe t’u drejtohesh autoritete për ndihmë mund të jetë vendimi më i vështirë në botë, Britania, ndryshe nga Shqipëria, ofron ndihmë dhe mbrojte të menjëhershme për të gjitha femrat e dhunuara.

Valeria, Rasheli, Nensi, dhe Viktoria janë dhunuar barbarisht nga bashkëshortët e tyre. Ato janë katër prej shumë grave që kanë përjetuar dhunë të vazhdueshme në shtëpinë e tyre por kanë vendosur të ndajnë me publikun historitë e tyre. Të intervistuara nga BBC, ato u kanë bërë thirrje femrave të dhunuara në Britani dhe jo vetëm, të denoncojnë dhunën dhe të marrin në dorë frenat e jetës së tyre.

• Valeria

Rutina ime e përditshme fillonte në orën 5:00 të mëngjesit në mënyrë që bashkëshorti im të gjente gjithçka gati para se të zgjohej. Mbaj mend që shpenzoja shumë kohë që shtëpia të ishte e përsosur vetëm që ai të më vlerësonte. Unë kam qenë e martuar dy herë dhe në të dyja marrëdhëniet kam përjetuar kontroll, abuzim dhe dhunë. Herën e parë ish- bashkëshorti im më dogji me hekur pasi kisha lënë një rrudhë në këmishën e tij, ndërsa ish-bashkëshorti i dytë me hodhi nga shkallët dhe humba ndjenjat për katër orë. Ai shkoi në punë dhe bëri sikur nuk kishte ndodhur asgjë.  Kam shumë plagë për të treguar.

Të ikja nuk ishte e lehtë, sidomos kur kisha një fëmijë. Nuk kisha mundësinë të ikja dhe të merrja një shtëpi tjetër. Ndjehesha e pavlerë gjatë gjithë kohës.  Gjatë adoleshencës time kam qenë një  vajzë e sigurt në vetvete dhe shumë e shoqërueshme por tani ndihesha e pa vlerë. Koha iku shumë shpejt dhe unë u ktheva në hije.

Dhuna në familje filloi me kalimin e kohës. Në fillim partneri im më donte, më respektonte pastaj të gjitha ndryshuan si me magji. Ai më dhunonte fizikisht dhe psikologjikisht deri në pikën sa ndjehesha e pavlerë dhe kisha filluar të mendoja se e meritoja atë që merrja çdo ditë. Mendoja se ai ishte gjithçka që kisha.

Njerëzit nuk do ta kuptojnë kurrë se çfarë do të thotë që dikush të lejojë që ta trajtojnë keq por nuk kisha forcë të bëja asgjë. Pas shumë kohës shpëtova, dhe nuk më vjen turp për atë që kam kaluar. Jam krenare për plagët e mia, sepse më kanë bërë më të fortë.

• Rasheli

Një nga gjërat më të këqija për mua ishte se njerëzit rreth meje nuk më ndihmonin. Qytetarët e komunitetit hebraik-ortodoks që jetonin pranë nesh e shikonin se çfarë ndodhte me mua dhe fëmijët e mi dhe asnjëherë nuk na ofruan ndihmë.

Ditët e fundit të martesës time, unë dhe ish-bashkëshorti im flinim në dhoma të ndara. Isha shumë e frikësuar gjatë gjithë kohës, sa ulesha në divan dhe nuk flija gjithë natën. Shumë herë ai vinte në dhomën time dhe më detyronte të kryenim marrëdhënie. Ditën tjetër do ngrihesha, do bëja një dush, do pastroja veten dhe duhet të mendoja se asgjë nuk kishte ndodhur.

Tashmë jam ndarë dhe jetoj vetëm me fëmijët e mi, por ka ende gjëra që ndikojnë tek mua. Kontrolli që ai më ushtronte është aq i rrënjosur në kokën time sa i bëj akoma gjërat në mënyrën që ai dëshironte. Gjithçka kontrollohej prej tij, ushqimet në rafte duhet të kishin etiketën përpara, të ishin drejt, çdo gjë në shtëpi duhet të ishte në vendin e vet, çdo gjë duhet të ishte e përsosur.  Të gjitha gjërat në shtëpi ishin në rregull, problemi i vetëm ishte ai.

• Nensi

Fillimisht mendoja se ishte detajist dhe i përsosur. Më takonte shpesh, më shkruante kur ishte me njerëz të tjerë, më bënte dhurata, deri në momentin kur filluam të jetonim bashkë dhe dhuna u bë pjesë e pandashme e përditshmërisë tonë. Gjatë shtatëzënisë ai më shtyu dhe nuk i interesoi se unë u lëndova.

Më pas dhuna ishte prezente gjithë kohës dhe shtyrja ishte ajo që më dhembte më pak. Nuk dija çfarë të bëja. Nuk kisha qenë kurrë në atë pozitë më parë, askush nuk më kishte goditur ndonjëherë. Herën e fundit ai më dhunoi në një mënyrë aq të tmerrshme sa nuk do ta harroj kurrë. Gjatë gjithë kohës me godiste, me shtynte, me përplaste kokën deri në momentin që shkoi në kuzhinë dhe mori një thikë dhe ma vendosi në fyt. E shtyva dhe arrita të shpëtoja. Vrapova në rrugë dhe u fsheha në tualetin e një lokali. Ai ishte duke më ndjekur dhe kërcënuar. Në ato momente telefonova policinë dhe e arrestuan. Tani po përpiqem t’i lë gjërat mënjanë dhe të jetoj normalisht, edhe pse vuajtjen që kam kaluar nuk do ta harroj kurrë.

• Viktoria

Unë kam vuajtur dhunën nga të dy bashkëshortët e mi. Vitet që isha në këto marrëdhënie ndjehesha e pavlerë dhe e izoluar. Ata më kontrollonin dhe torturonin, aq sa ndjeja se gjithçka po ndodhte ishte për fajin im.

Në martesën time të dytë, ish-bashkëshorti im mori një çekiç dhe theu të gjitha gjërat në shtëpi, duke nisur nga dyert, dritaret, kuzhinën, dhe në fund u kthye nga unë dhe djali im. E fsheha djalin tim 11 vjeçar në dhomën e tij, ndërkohë që ish-bashkëshorti im afrohej drejt meje për të më goditur. Ndjeja si çekiçi prekte shpinën time, por nuk mund të ngrihesha dhe ta ndaloja pasi ai ishte sipër meje dhe nuk lëvizja dot. Fatmirësisht i vogli im doli nga dhoma dhe goditi babain e tij për të më shpëtuar. Kur u përmenda isha në spital. Pas disa kohësh më thanë se do dilja, doja të vrisja veten pasi çdo gjë më dukej e pa kuptim, por një letër nga im bir ndryshoi çdo koncept që kisha në atë kohë për jetën.

 “Të lutem mami, kthehu në shtëpi, kam nevojë për ty,” më shkruante ai. U ktheva për të marrë djalin dhe  me pas kërkova ndihmë nga shteti. Tani jetoj bashkë me tim bir duke u përpjekur të harrojmë ditët e këqija por pasojat e atij momenti i vuaj edhe sot, pasi nuk mbyll dot sytë natën për të fjetur dhe shpina ime ka nevojë vazhdimisht për terapi. Uroj që të fle një ditë dhe të zgjohem e frikësuar me imazhet e asaj dite.

Është e trishtueshme kur lexon se familja kthehet në një ferr, kur ti jeton si skllave dhe nuk ke asnjë arsye për të qenë e lumtur. Pikërisht vendi që duhet te jetë qetësia më e madhe kthehet papritur në  makthin tënd më keq. /BBC/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë