Politike

Kriza/ Rama fton Bashën, Kryemadhin e aleatët: Flasim pa kushte

Kryeministri Edi Rama fton zyrtarisht opozitën jashtë parlamentare për të diskutuar mbi reformën zgjedhore dhe pa kushte. Menjëherë pas daljes publike të lajmit se OSBE-ja do të organizojë një tryezë për reformën, kryesocialisti i është drejtuar me një thirrje publike liderëve të koalicionit opozitar, Basha, Kryemadhi, Ndoka, Dule, Duka, Shehi dhe Mediu. “Kundërshtitë tona në aspektin politik janë botërisht të njohura dhe pozicionet respektive, në raport me hapësirën institucionale të vendit po ashtu. Sidoqoftë, përtej skajshmërisë së dallimeve tona, ne as nuk e kemi zgjedhur njëri-tjetrin dhe as nuk e zhbëjmë dot ekzistencën e njëri-tjetrit. Pra jemi të dënuar të bashkëjetojmë pavarësisht jo pëlqyeshmërisë reciproke, për sa kohë të tjerët, zgjedhësit, na kanë dhënë mandate përfaqësimi, disave për të qeverisur e disave për të bërë opozitë. Ju vendosët t’i digjni mandatet e hyrjes në Kuvend dhe të vetëpërjashtoheni nga jeta parlamentare e kësaj legjislature. Por gjithsesi, deri në zgjedhjet e qershorit 2021, ju jeni të votuar për të përfaqësuar një pjesë jo të vogël të zgjedhësve shqiptarë. Prandaj e dhe Kuvendi ka rezervuar një vend të posaçëm për ju, në Komisionin e Reformës Zgjedhore”, shkruan Rama në thirrjet e tij nëpërmjet Facebook.

Lideri i socialistëve i bindur se pa PD-në s’mund ta realizojë një reformë zgjedhore siç është edhe tradita e kahershme politike, ka shtrirë dorën e bashkëpunimit me opozitën jashtëparlamentare, porse kjo ftesë lidhet vetëm me reformën zgjedhore.
“Procesi ka nisur në Kuvend me opozitën parlamentare dhe do të mbyllet në Kuvend natyrisht, por mungesa juaj ne institucionin më të lartë vendimmarrës të republikës, nuk ju përjashton vetvetiu nga hapësira e diskutimit për Reformën Zgjedhore. Përkundrazi. Të paktën ky është opinioni im dhe duke vënë re edhe mungesën tuaj në vetë tryezën e Komisionit Zgjedhor, ju ftoj të takohemi e të bashkëbisedojmë për këtë sfidë të përbashkët, në çdo kohë e vend që do t’ju vinte për shtat - sigurisht në rast se ju jeni të interesuar të përfshiheni në këtë proces. Pa kushte”, mbyll Rama ftesën e tij.

Për zhvillimin të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit kryeministri Edi Rama i drejtoi shtatë letra rivalit të tij politik, kryedemokratit Lulzim Basha., por edhe zgjedhësve të djathtë. Refuzimi i njëpasnjëshëm i ftesave për dialog nga ana e Lulzim Bashës, nuk e dorëzoi Edi Ramën që të kërkojë dialog, por duke e paralajmëruar se koha po përfundonte dhe akuzuar opozitën se po rrezikonte hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në këtë vit.


“Zoti kryetar, letrave të mia po i vjen fundi. E fundit për të tentuar Dialogun është edhe kjo javë, e cila mbyllet me çeljen zyrtarisht të fushatës së 30 qershorit”, do e niste letrën e tij të gjashtë Kryeministri.
Ndërkombëtarët kanë kërkuar nisjen e dialogut mes palëve për zgjidhjen e krizës e ku mazhoranca dhe opozita të diskutojnë mbi reformën zgjedhore. Pikërisht kjo ftesë e Ramës shihet si tentativë për të dhënë një tjetër imazhi përpara ndërkombëtarëve përpara marrjes së vendimit për çeljen e negociatave me BE-në. Më 18 tetor Këshilli i ministrave të Jashtëm të BE-së pritet të marrin një vendim nëse Shqipërisë do t’i caktohet një datë për çeljen e negociatave.
Ndërsa nga ana e tjetër opozita ka vendosur që të mos zhvillojë asnjë protestë deri në marrjen e këtij vendimi nga ana e BE-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë