Politike

Letra e shtatë s’është për Bashën, Rama u drejtohet demokratëve

Kryeministri Edi Rama e shkroi letrën e shtatë publike, por për dallim nga gjashtë paraardhëset e saj, mesazhi i saj nuk i drejtohet më Lulzim Bashës, por mbështetësve të tij.

“Bashkëqytetarë demokratë, unë nuk jam ai që ju doni të shihni në krye të vendit. Nuk më keni votuar dhe sot nuk ju kërkoj të më votoni, po thjesht shpresoj të më lexoni”, u drejtohet Rama.

Kryeministri thotë se anketimet tregojnë se shumica e mbështetësve të opozitës nuk mbështesin as djegien e mandateve, as dhunën në protesta, as bojkotin e zgjedhjes.

“As ju pyeti kush për këto vendime politike ekstreme dhe politikisht vetëvrasëse, as nuk është qëllimi im këtu t’ju them çfarë duhet të bëni me udhëheqjen tuaj, e cila ka humbur shikimin pasi s’di të shohë përtej hundës së vet”, vijon ai.

“Udhëheqja juaj nuk do zgjedhje, sepse i trembet një disfate elektorale të radhës. Ndërsa ne nuk e shkelim dot detyrimin, sepse duam të zgjidhemi në zgjedhjet e radhës”, shton ai.

Kryeministri jep përgjigjen e tij edhe për pyetjen nëse mund të bëhen zgjedhje demokratike më 30 qershor.

“Zgjedhje demokratike do të thotë që të gjithë të gëzojnë të drejtën të zgjidhen. Por nëse përjashtimi në çfarëdo forme i opozitës nga zgjedhjet i bën ato antidemokratike, vetëpërjashtimi i një partie kryesore nga zgjedhjet nuk i bën ato jodemokratike. Prandaj unë e ngre ndryshe pyetjen: A mundet që zgjedhjet demokratike të bëhen vetëm nëse do opozita? Imagjinoni për një moment sikur zhvillimi i zgjedhjeve në këtë vend të varet nga do apo s’do opozita të bëhen! Mendje të lehta politike e mediatike, kanë rrahur së fundmi shumë ujë në havan, lidhur me sa e tmerrshme qenka të bëhen zgjedhjet pa opozitën dhe sa e thjeshtë qenka, që të shtyhet data e zgjedhjeve meqë s’do opozita!”, deklaron Kryeministri.

https://www.facebook.com/edirama.al/posts/10156722577201523

Zhvillimin e zgjedhjeve nuk e sheh vetëm si afat i fundëm kushtetues dhe as si kokëfortësi e mazhorancës.

“Kjo është punë qëndrueshmërie e themelit të jetës demokratike. Imagjinoni pak sikur të hapej rruga e një marrëzie të tillë jo vetëm qartësisht antikushtetuese, po edhe thelbësisht antidemokratike, se çfarë do të ndodhte në zgjedhjet pas këtyre zgjedhjeve, në ato pas tyre dhe me radhë, kur sipas tekave të opozitës së radhës (apo edhe të palës tjetër në qeveri pse jo!) data e zgjedhjeve të kthehej, nga një detyrim kushtetues për ata që duan të zgjidhen, në një lojë politike e kujtdo që nuk do zgjedhje!”, deklaron Kryeministri.

Rama përjashton edhe njëherë tjetër mundësinë e dorëheqjes.

“Kjo është një recetë nga ato që heqin dhimbjen e kokës duke e paralizuar komplet trupin! Imagjinojeni pak çfarë rruge e tatëpjetë hapet për demokracinë tonë nesër, nëse sot vendoset precedenti që mjafton të ikësh nga parlamenti, të ushtrosh dhunë e të kërcënosh me moslejim të zgjedhjeve lokale dhe e përmbys, mu në mes të mandatit qeverinë e zgjedhur - duke provokuar zgjedhje të reja kur do ti, madje me kryeministrin që vendos ti”, thotë kreu i Qeverisë.

Rama kujton Kodin Penal për të gjithë ata që do të tentojnë prishjen e procesit zgjedhor.

“Është krim dhe ndëshkohet rëndë nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, kushdo që e kryen një krim të tillë. Po jo vetëm kaq, cilido që do të kuturisej të prekte një hallkë të vetme të procesit zgjedhor dhe do të dënohej më pas për krime zgjedhore në Shqipëri, nuk do ta kishte më të mundur të shkelte për gjithë jetën në Shtetet e Bashkuara (do të merrte në qafë edhe familjarët e afërt sipas ligjit përkatës në SHBA) dhe as do të kalonte dot më, kontrollin e kufijve të Bashkimit Europian duke u përfshirë në listën e kompjuterizuar të personave me rekorde kriminale, të cilët nuk hyjnë dot në territorin e Unionit”, thotë ai.

Në fund, Kryeministri përsërit zotimin se më 30 qershor jo vetëm që do të bëhen zgjedhjet, por Partia Socialiste do të fitojë edhe bashkitë e opozitës.

“Ne do të bëjmë më të mirën për t’i dhënë Kukësit, Shkodrës, Kamzës, Lezhës, Devollit, Mallakastrës e me radhë bashkive blu, qeverisjen e munguar deri më sot, pavarësisht nëse ju do të dilni apo jo në votime. Kudo ku do të fitojmë aty ku kemi kundërshtarë të regjistruar, njësoj si aty ku s’kemi të tillë, ne do të jemi në dispozicion të të gjithë qytetarëve pa dallim”, shton ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë